Aksident i rëndë, 2 vajza të vdekura, makina 'fluturon' nga mbikalimi i Saukut dhe zë poshtë një mjet tjetër

Një aksident tragjik me pasojë dy të vdekur ka ndodhur këtë pasdite në hyrje të Tiranës, pranë Saukut. Dy vajza kanë humbur jetën dhe tre të tjerë janë plagosur, pasi një makinë ra sipër një makine tjetër këtë të enjte, në mbikalimin e Saukut në kryeqytet.
Automjeti tip “Audi” me drejtues një 24-vjeçarin K. R., me dy vajza pasagjere në makinë, ka qenë duke udhëtuar në unazën lindore me drejtim lëvizje nga Farka për te rrethrrotullimi pranë një qendre tregtare.
Pasi ka humbur kontrollin, ka thyer barrierat rrethuese dhe ka përfunduar në autostradën Tiranë-Elbasan, duke aksidentuar automjetin tjetër tip “Honda”, me drejtues shtetasin me iniciale Q. K., rreth 60 vjeç.
Dy vajzat kanë humbur jetën, ndërsa shoferi 24-vjeçar po lufton me jetën në spital. Të plagosur kanë mbetur dhe drejtuesi i “Honda-s” dhe dy pasagjerët e tjerë.
Forca të shumta policie dhe ambulanca ndodhen në vendngjarje dhe qarkullimi i mjeteve është i bllokuar. Ende nuk dihen shkaqet e aksidentit të rëndë, por dyshohet se 24-vjeçari nuk ka frenuar dhe as nuk ka devijuar për të shmangur daljen nga mbikalimi.
Burimi: top-channel.tv