Flash

Alibia qesharake e referendumit

Lapsi.al 10 March 2016
Alibia qesharake e referendumit

Kam parë nga dje deri më sot me dhjetra socialistë besnikë dhe idhtarë të flaktë të kryetarit, të ngazëlleheshin, që më së fundi Edi Rama u hoqi nga supet peshën e rëndë të mbrojtjes së diçkaje absurde.

Gjatë gjithë kësaj kohe ndoshta qenë ndjerë keq që i duhej të arsyetonin publikisht, faktin se një parti nuk ka nevojë për zgjedhje, se lideri nuk duhet shqetësuar me vogëlsira, se ai ka merakun e madh që të reformojë vendin, se për të nuk ka konkurentë të denjë, se po bezdiset nga arrivistë që nuk i vënë dot fre ambicies së tyre.

Ndoshta shpesh herë janë ndjerë të përdorur dhe qesharakë, sepse thellë thellë e dinin se qenë të detyruar të mbronin të pambrojtshmen, duke u shndërruar në dordolecë në sytë e publikut. 
 
Ndaj dhe e kuptoj më mirë sot, ofshamën e tyre të lehtësuar, kur në mbledhjen e fundit të asamblesë, Edi Rama pranoi se e ka shkelur statutin e PS-së, duke i hedhur njëkohësisht edhe karemin tjetër, atë të një referendumi të të gjithë antarësisë, për vazhdimin e mandatit të tij.
 
"A kështu po, kjo është zgjidhja", kanë brohoritur shumë prej tyre, me devocionin e idiotëve të dobishëm që mund të përtypin gjithçka për ti shërbyer kauzës. Natyrisht pa e futur trurin në punë. 
 
Tani ata e kanë në dorë justifikimin e ri.
 
Hë, ç'doni më tepër, ku ka parti shqiptare që lideri të bëjë "mea coulpa" se ka shkelur statutin? A donit votime? Ku ka votim me legjitimitet më të madh sesa ai që buron nga anëtarësia?  
 
Këto janë argumentat e lehtësimi të tyre.
 
Por, në fakt, ato janë po aq idiote dhe qesharake sa edhe të parat. Ja sepse.
 
Së pari ajo që u tha në asamblenë e së mërkurës nuk ishte veçse një bllof. Një deklaratë e Ramës e cila as nuk u votua dhe për të cilën në fund të mbledhjes nuk u mor as vendim. Nuk dihet se kur ky referendum do të bëhet, nëse për të ka vërtet vullnet, apo është një manovër më shumë për të fituar kohë dhe hedhur hi syve publikut.
 
Por, edhe sikur kjo të ndodhte, pyetjet që ngrihen janë disa: po kur janë të gatshëm të fusin partinë në të gjithë këte aventurë, pse nuk zhvillojnë garën reale? A e mohuan atë në emër të kursimit të energjive për reformat qeverisëse? Pse referendumi nuk harxhoka energji dhe gara po? Po nëse bëhet referendumi, kush do ti numërojë votat, pasi ai është ndyshe nga përballja, ku gjithsekushi ka komisionerët e tij? Po nëse organizohet, pse një shumice i lindka e drejta të pranojë thyerjen e rregullit në emër të sanksionimit te një kryetari të përjetshëm, i cili i shmanget konkurimit? Po nëse nese Edi Ramës i lind ideja që të bëjë një referendum për shtyrjen edhe disa vite të zgjedhjeve, sepse qeveria do duhet të mbarojë reformat dhe të korrë frytet e koncesioneve, a do të qe ky një argument i pranueshëm?
 
Mund të gjenden edhe dhjetra pikëpyetje të tjera për të shndërruar në qesharake idenë e papritur të referendumit.
 
Por një gjë e tillë është e panevojshme. Sepse ky propozim nuk duhet marrë seriozisht. Ai është pjesë e vazhdës së një sërë absurditetesh (nuk bëjmë garë se s'duhet të harxhojmë kohën e reformave, do zbatojmë statutin e laburistëve, do bëjmë rregulla të reja me fuqi prapavepruese, do ti'a lëmë këtë punë kongresit) që në fakt tregojnë një gjë: të vërtetën e thjeshtë se Edi Rama nuk do garë. Nuk do konkurim dhe përballje.
 
Ai nuk ka hallin nëse humbet apo fiton. Kjo gjë tashmë dihet nga ta gjithë. Por, ai nuk duron dot rivalin kushdo qoftë. Nuk duron dot mbështetësit e tij (sado të pakët në numër), që ta kundërshtojnë edhe brenda partisë.
 
Ai do hosana dhe venerim, nuk do pakica kundërshtare apo fraksion.
 
Prandaj ai është i gatshëm të shpikë gjithfarëlloj piruetash, vetëm për të penguar gjënë më të thjeshtë dhe më të ndershme: konkurimin me rival përballë.
Pikërisht sepse nuk e honeps dot këtë, ai u hodhi dje mbështetësve të tij karemin e referendumit. 
 
Dhe ata, me shpresën e atij që do të lajë një turp, pa vrarë mendjen se po bën një tjetër, u hodhën me kokë për ta përqafuar idenë e re. Ndaj shumë prej tyre i pashë sot të ngazëllyer, pa më të voglën drojë se tallja e radhës së liderit të tyre, do ti bënte edhe më palaço në sytë e publikut. (Lapsi.al)

Të këshilluara

Derisa një ditë…

Merre një popull dhe lëre pa punë dhe pa mundësi për të fituar jetën. Me paratë që u mbledh nga taksat, mos hap pu...

16:46

Edi Rama si Shehrazadja

“Është bërë aq keq sa ta rithuash këtë që e shohin sytë e të gjithëve, është detyra e &cced...

19:48

Hija e Gjukanoviçit mbi Tiranë

Një lloj specifik autokracie është instaluar gradualisht në “Ballkanin Perëndimor”. Kjo është e dukshme pas d&eum...

09:14

ide

Si po e çon Rama vendin drejt përplasjes civile

Insistimi në dhunë, në armatosje të civilëve, në pagesa të policëve si të ishin mercenarë, vetëm paqe nuk pjell. Frika e Edi Ramës se ku do të përfundojë kur të mos jetë kryeministër nuk ka pse të bëhet makthi i Shqipërisë

15:20 Armand Shkullaku

Pse guri dhe molotovi u bënë të pashmangshëm

Kjo revoltë rinore ka pasur një meritë të madhe. Ajo i bëri të njohur publikut të gjërë anën më kriminale të këtij regjimi që ishte deri më tani e konservuar në skutat më të fshehta. Nëse revolucioni ekstremisht paqësor i flamingove na tregoi se kjo qeverisje nuk ishte më popullore, epilogu i tij radikal, me gurë dhe molotov po shërben për të nxjerrë në dritë të diellit se autokrati është në gjendje të përdorë çdo mjet për të qëndruar në pushte

11:37 Andi Bushati

MOTI TIRANA

10°c

KËMBIMI EURO

91.10

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI