Flash

Dosja e radhës/ Qeveria Rama në ankth

Lapsi.al 29 October 2017
Dosja e radhës/ Qeveria Rama në ankth

Dosja Tahiri - Habilaj po e mban në ankth qeverinë Rama. Dhe jo vetëm ajo. Kryeministri nuk po e fsheh dot shqetësimin, jo për çfarë iu desh të përballet, por për çfarë do të duhet të përballojë në vazhdim.

Të premten, sy më sy me Arjan Çanin, i mungoi spontaniteti.

Batutat i dolën të thata. E qeshura, e zorshme. Ngacmimet, të ngathëta.

Ndoshta u sugjestionua nga “kostumi” i hetuesit që veshi gazetari në pyetësorin e tij të zakonshëm.

Tani, ai e ka me hetuesinë betejën. Ndoshta në errësirën skenike të “Zonës së Lirë” mendimet i endeshin poshtë e lart nëpër dosje të tjera që është paralajmëruar se do të bëhen publike e që njerëzit e hetimit do të kenë në dorë.

Një grup i Prokurorisë së Krimeve të Rënda do të niset drejt Katanias për të parë të tjerë fashikuj për Saimir Tahirin. Janë 4 vjet përgjime dhe ato çfarë kanë mbërritur në Shqipëri janë vetëm maja e ajsbergut; një përmbledhje e reduktuar në maksimum.

Tahiri nuk është ferra e vetme në këmbën e kryeministrit.

“Ky është vetëm fillimi” i përsëriti sërish dje Lulzim Basha.

“Në ditët e ardhshme do ketë të reja të tjera që zbulojnë përfshirjen e qeveritarëve shqiptarë dhe të Ramës në mbështetje të krimit dhe të trafikantëve të drogës”, tha kryetari i Partisë Demokratike.

“Edhe bota tashmë e ka kuptuar dhe nuk mund të lejojë më një shtet të kontrolluar nga krimi në mes të Europës”, vijon presioni i tij.

Por çfarë janë këto dosje të reja që po përfliten? Çfarë përmbajnë ato? A i disponon ato opozita? Nga kush kanë dalë?

Një ministër aktual është fotografuar në shoqërinë e një anëtari të grupit të Habilajve, në Vlorë, gjatë fushatës së zgjedhjeve të 25 qershorit.

Sali Berisha, që me qytetarin e tij dixhital ka goditur jo pak herë në shenjë, përmend Damian Gjiknurin.

Superministri i Ramës, që mori nën vete Energjinë dhe Transportet, e përgënjeshtroi Berishën. Por deri këtu bëhet fjalë vetëm për deklarata politike.

Lapsi.al paralajmëroi këtë javë se disponohen edhe pamje filmike të zyrtarëve të lartë me Habilajt e trafikantë të tjerë të drogës.

Priten edhe përgjime. Më të rënda se ato të Tahirit. Një zyrtar lokal, kryetar bashkie i një qyteti të madh është përgjuar duke komunikuar vazhdimisht me drejtues të një grupi të famshëm kriminal.

Këto përgjime implikojnë edhe familjarin e një Ministri aktual. Opozita flet e sigurt. Prokuroria nuk ka ende asgjë. Ndoshta do të jetë i njëjti skenar si me dosjen Tahiri – Habilajt; prokuroria do të veprojë pas publikimit të saj, nëse përgjimet nuk janë kryer prej organeve shqiptare.

Një dosje korruptive pritet të publikohet gjithashtu. Një ish –ministër dhe zyrtarë të tjerë të lartë përflitet se janë përfshirë dhe mund të thirren nën hetim.

Një raport i një shërbimi të rëndësishëm sekret për krimin e oganizuar në Shqipëri del gjithashtu në dritë. Priten hollësi të asaj që deklaroi disa ditë më parë ambasadori amerikan, Donald Lu, për 4 familje mafioze që drejtojnë të gjitha punët e pista e trafiqet në Shqipëri.

Prokuroria po heton edhe Ministrinë e Mbrojtjes për radarët që dyshohet se janë mbajtur jashtë funksionit qëllimisht për të favorizuar skafet e gomonet e trafikantëve.

Edi Ramës do t’i duhet të përballet me të gjitha këto, njëra pas tjetrës.

Vendosmëria e tij për të mbrojtur të vetët dhe veten bashkë me ta do të vihet sërish në provë.

Do t’i çojë përpara drejtësisë të besuarit apo do të manovrojë si me Tahirin? Do të jetë më në gjendje ta mbajë timonin që shqiptarët i lanë në dorë më 25 qershor, apo do t’i duhet të përdorë “airbag-un” që iu dhurua tek “Zonë e Lirë”?

Opozita flet për dosje të bujshme që disponohen nga partnerët e jo vetëm. Dosja e radhës pritet më e fortë se ajo e Tahirit. Qeveria po pret një rrebesh përmasat e të cilit s’i parashikon dot e që duket se nuk do të mjaftojë ombrella politike e kartonave të parlamentit për ta mbajtur të palagur. /Lapsi.al

Të këshilluara

ide

Si po e çon Rama vendin drejt përplasjes civile

Insistimi në dhunë, në armatosje të civilëve, në pagesa të policëve si të ishin mercenarë, vetëm paqe nuk pjell. Frika e Edi Ramës se ku do të përfundojë kur të mos jetë kryeministër nuk ka pse të bëhet makthi i Shqipërisë

15:20 Armand Shkullaku

Pse guri dhe molotovi u bënë të pashmangshëm

Kjo revoltë rinore ka pasur një meritë të madhe. Ajo i bëri të njohur publikut të gjërë anën më kriminale të këtij regjimi që ishte deri më tani e konservuar në skutat më të fshehta. Nëse revolucioni ekstremisht paqësor i flamingove na tregoi se kjo qeverisje nuk ishte më popullore, epilogu i tij radikal, me gurë dhe molotov po shërben për të nxjerrë në dritë të diellit se autokrati është në gjendje të përdorë çdo mjet për të qëndruar në pushte

11:37 Andi Bushati

MOTI TIRANA

9°c

KËMBIMI EURO

91.10

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI