Flash

Farsa me konkurset/ Si u nda "tepsia" mes socialistëve për drejtorët e spitaleve

Lapsi.al 21 November 2017
Farsa me konkurset/ Si u nda "tepsia" mes socialistëve për

Për herë të parë, drejtorët e spitaleve në të gjithë vendin u shpallën me konkurs. Janë drejtuesit e 7 spitaleve rajonale, tre Qendrave Spitalore Universitare, “Nënë Tereza”, “Trauma” dhe “Shefqet Ndroqi” si dhe dy materniteve kryesore në vend, atij “Koço Glozheni” dhe “Mbretëresha Geraldinë”.

Në media u publikuan jo vetëm emrat e fituesve, por edhe të konkurentëve të tjerë, shoqëruar me pikët që fitoi secili. Por nëse i hedh një sy të shpejtë listës dallon aty ish deputetë socialistë, ish përfaqësues të PS në këshillat bashkiakë apo emra të emëruar më parë nga Rama dhe të konfirmuar edhe me konkurs, në të njëjtat poste. Krijohet ideja se menaxhimi i spitaleve është një dhunti e fshehtë e socialistëve siç ishin deri dje menaxhimi i drejtorive të patentave për çamët apo menaxhimi i hipotekave nga aktivistët e LSI.

Drejtor i Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza është rizgjedhur Enkelejdi Joti me 77 pikë. Ish drejtori i Top Channel u katapultua në këtë post nga socialistët dy vite më parë, pasi u largua nga puna, me një vendim të pronares Vjollca Hoxha. Emërimi u konsiderua një shpërblim për vitet e bashkëpunimit dhe mbështetjes që Top Media i kishte dhënë Partisë Socialiste në opozitë. Pa vënë në diskutim vlerat menaxheriale të Jotit, duket se konkursi nuk ka qenë një pengesë për ta rikonfirmuar në detyrë.

Drejtor i spitalit të Durrësit, është zgjedhur Alban Ramohitaj. Një biografi e shkurtër e ish kreut të këshillit Bashkiak të Durrësit mund ta lexoni në faqen zyrtare të Partisë Socialiste në internet.

Drejtor në Spitalin e Shkodrës është zgjedhur biznesmeni Vilson Masmalaj. Në 25 Qershor, Masmalaj ishte pjesë e ekipit të kandidatëve për deputetë në Shkodër. Një biografi e tij mund të gjendet lehtë në faqen e internetit të Partisë Socialiste.

Drejtor i Spitalit të Beratit u zgjodh Eduart Bejko. Ish deputeti socialist në këtë qark për legjislaturën e kaluar, Bejko u la jashtë parlamentit. “Konkursi” nuk e ka lënë jashtë posteve të rëndësishme në administratë. Eksperienca e  Eduard Bejkos në parlament kaloi pa u vënë re. Ai u identifikua si një prej deputetëve “memecë”. I vetmi që arriti ta çojë nga karrigia ishte Ben Blushi në një replikë që vështirë t’i kujtohet ndokujt.

Edhe në Dibër, konkursin e ka fituar një socialist. Drejtor i Spitalit të Dibrës është zgjedhur Spartak Koltraka, ish kandidat i Partisë Socialiste për këshillin bashkiak të qytetit. Koltraka ka fituar konkursin me 67 pikë, ndërsa rezulton të jetë një nga emrat e denoncuar nga opozita për blerje votash në zgjedhjet lokale të Dibrës. Koltraka më parë ka mbajtur postin e drejtorit të OSHEE dhe njihet si një aktivist i vjetër i Partisë Socialiste në Dibër.

Në Fier është zgjedhur Drejtoreshë e Spitalit Nevila Shuke, një tjetër aktiviste e Partisë Socialiste që prej vitesh mban poste të rëndësishme në administratë në këtë qytet. Shuke ka qenë e angazhuar rregullisht në fushatat e PS dhe është një militante e padiskutuar e partisë.

Drejtoresha e maternitetit Geraldinë është zgjedhur Eliona Demaliaj. Ndryshe nga kolegët e saj, doktoresha nuk ka asnjë lidhje me politikën. Gjithsesi menaxhimi i një klinike private që ofron të njëjtat shërbime, vë në dyshim etikën dhe përkushtimin e mjekes ndaj institucionit shtetëror, ku do të trajtohen nënat shtatzëna.

Sa i takon spitaleve të tjera rajonale, Gjirokastër, Korçë, Elbasan dhe Vlorë, Ministria e Shëndetësisë njofton se ka rihapur konkursin për drejtuesit e rinj për shkak se pjesëmarrësit në konkurs nuk përmbushin kriteret.

Edi Rama ka folur gjatë për "tepsinë", për rëndësinë e qeverisjes i vetëm, për t'i dhënë fund një sistemi klientelist të emërimeve partiake në administratë. Por nëse keqpërdorimi i drejtorive arsimore, i atyre në bujqësi, në dogana, patenta etj i kanë pasojat në xhepat e qytetarëve, futja e duarve në sistemin shëndetësor ka të bëjë direkt me shëndetin dhe jetën e tyre. Kushtet e këqia në spitale përkthehen në më shumë vuajtje dhe rraskapitje për mijëra të sëmurë.

Për të mos llogaritur këtu ofendimin, zhvlerësimin dhe demotivimin që i bëhet një shtrese intelektualësh siç janë mjekët, përmes konkurseve të rreme që synojnë veç kontrollin e fondeve në spitale. Qindra mjekë janë larguar drejt Gjermanisë në dy vitet e fundit, duke e shndërruar hemoragjinë e bluzave të bardha në një fenomen të pandalshëm. Por në fund të fundit, situata e rëndë në spitale nuk është një realitet që i prek të pasurit e qeverisë. Ata, shërimin e gjejnë në klinikat private.©Përgatiti për Lapsi.al, Dorian Kodra

Të këshilluara

ide

Si po e çon Rama vendin drejt përplasjes civile

Insistimi në dhunë, në armatosje të civilëve, në pagesa të policëve si të ishin mercenarë, vetëm paqe nuk pjell. Frika e Edi Ramës se ku do të përfundojë kur të mos jetë kryeministër nuk ka pse të bëhet makthi i Shqipërisë

15:20 Armand Shkullaku

Pse guri dhe molotovi u bënë të pashmangshëm

Kjo revoltë rinore ka pasur një meritë të madhe. Ajo i bëri të njohur publikut të gjërë anën më kriminale të këtij regjimi që ishte deri më tani e konservuar në skutat më të fshehta. Nëse revolucioni ekstremisht paqësor i flamingove na tregoi se kjo qeverisje nuk ishte më popullore, epilogu i tij radikal, me gurë dhe molotov po shërben për të nxjerrë në dritë të diellit se autokrati është në gjendje të përdorë çdo mjet për të qëndruar në pushte

11:37 Andi Bushati

MOTI TIRANA

11°c

KËMBIMI EURO

91.10

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI