Flash

Fshehja e pasurisë, zbulohen veprimet e Almës, gruas së Klement Balilit

Lapsi.al 20 December 2017
Fshehja e pasurisë, zbulohen veprimet e Almës, gruas së Klement

Më 3 prill 2016, Alma Balili, bashkëshortja e Klement Balilit, regjistroi në Qendrën Kombëtare të Biznesit kompaninë me emrin tregtar “Santa Quaranta” me objekt veprimtarie hotel, barkafe, restorant dhe me kapital themeltar 100 lekë.

Një muaj më vonë, në maj 2016, një operacion masiv antidrogë i Policisë greke në bashkëpunim me Agjencinë Amerikane të Luftës Kundër Drogës, DEA, solli shpalljen në kërkim të Klement Balilit, 44- vjeçarit që në këtë kohë mbante postin e drejtorit të Shërbimeve të Transportit Rrugor, dega Sarandë.

Në korrik 2016, kohë kur fati i Klementit ishte i paqartë, pasi autoritetet shqiptare nuk prononcoheshin nëse ai ishte apo jo i shpallur në kërkim, Alma e çregjistroi kompaninë “Santa Quaranta”.

Një vit e gjysmë më vonë, kjo kompani jetëshkurtër përbën një prej argumenteve me të cilat Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi vendosjen e hotelit luksoz në dalje të Sarandës nën sekuestro në bazë të ligjit për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, të njohur më së shumti si ligji antimafia. Sipas Prokurorisë, veprimet e Alma Balilit me pronat e familjes lidhen me faktin se bashkëshorti i saj është i shpallur në kërkim si i hetuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Kërkesa e Prokurorisë, e nëntorit 2017, pranë Gjykatës për Krimet e Rënda në Tiranë solli vendosjen e sekuestros për një numër të madh pronash të anëtarëve të ndryshëm të familjes Balili, gjithsej 39 objekte, ku përfshihen toka, apartamente, si dhe hoteli “Santa Quaranta” në Sarandë, i cili u inaugurua në prani të disa zyrtarëve të lartë të maxhorancës qeverisëse, në gusht 2015.

Familja Balili shpreson se pronat e saj do të konsiderohen pa lidhje me subjektin e hetimit, shtetasin Klement Balili, aktualisht i shpallur në kërkim, ndërkohë që Prokuroria gjykon se të gjitha pronat e saj janë me prejardhje të dyshimtë dhe për këtë arsye ka kërkuar vendosjen e tyre nën regjimin e sekuestrimit dhe administrimin e tyre nga zyrtarë të Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara pranë Ministrisë së Financave.

Sipas dokumenteve të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, si dhe sipas kërkesës së sekuestros së Prokurorisë për Gjykatën e Krimeve të Rënda, kompania në fjalë tregon lidhjen mes të shpallurit në kërkim Klement Balili dhe resortit luksoz të njohur si “Santa Quaranta”, një pronë shumëmilionëshe, e cila është nën pronësinë e kompanisë “Balili-KO”, ku aksioner i vetëm është Bashkim Balili, vëllai i Klementit, i cili nuk përballet me asnjë akuzë.

Bashkim Balili i tha BIRN në lidhje telefonike se Prokuroria nuk ka të drejtë të kërkojë sekuestrimin e “Santa Quaranta”, pasi ky është objekt nën pronësinë e tij dhe jo të të vëllait, të cilit media greke i ka ngjitur nofkën “Eskobari i Ballkanit”. “Alma Balili ka një dyqan floktore në Sarandë, që nxjerr vetëm bukën e gojës dhe asnjë gjë më shumë. Këtë jua them me shumë bindje. Ndërsa për hotelin, sërish jua them me shumë bindje se në këtë pronë nuk ka asnjë lidhje vëllai im dhe gruaja e tij. Klementi është shpirti im, është vëllai im, për të marr dhe pushkën, por këtë pronë e ka Bashkim Balili”, tha ky i fundit për BIRN.

Në lidhje me kompaninë e regjistruar nga Alma Balili me emrin “Santa Quaranta” dhe që më pas u çregjistrua, financierja e kompanisë “Balili&KO”, Alba Hodaj, tha për BIRN se Alma Balili nuk ka asnjë lidhje me hotelin dhe se ky NIPT është hapur pasi gruaja e Klementit ka marrë një ambient me qira te “Santa Quaranta”, ku do të ushtronte aktivitetin e saj.

“Për këtë ambient ka një kontratë qiraje mes Alma Balilit dhe kompanisë. Biznesi është hapur, por pas problemeve me punën e bashkëshortit, Alma ka vendosur të heqë dorë nga marrja me qira e këtij ambienti dhe njëherësh ka bërë dhe çregjistrimin e biznesit në QKR”, tha Hodaj. Pas kësaj, më 1 dhjetor 2017, vëllai i Klementit, Bashkimi, regjistroi një kompani tjetër në QKB të quajtur “Santa Quaranta Premium Resort”. Regjistrimi i kompanisë së re ndodhi vetëm 9 ditë pasi Gjykata e Krimeve të Rënda e kishte vendosur objektin nën sekuestro.

Zbatimi i vendimit të gjykatës bëri që kompania e re të vihej nën administrimin e dy zyrtarëve të Ministrisë së Financave, të cilët do të duhet të kryejnë administrimin fizik dhe ekonomik të kompanisë deri në një vendim final. Sekuestrimi në bazë të ligjit antimafia është një vendim i ndërmjetëm, i cili nuk ia heq pronësinë Bashkim Balilit, por i krijon mundësi prokurorisë që të hetojë për origjinën e parave që kanë krijuar pronën, ndërsa i kalon barrën e provës pronarit për të vërtetuar se prona nuk është produkt i aktiviteteve kriminale.

LIDHJE TË SHUMËFISHTA

Prokuroria në kërkesën e sekuestrimit rendit disa të dhë- na të grumbulluara gjatë hetimit që lidhin të kërkuarin Balili dhe bashkëshorten e tij me aktivitetin e Bashkim Balilit dhe anëtarëve të tjerë të familjes. Ekzistenca e kompanisë jetëshkurtër “Santa Quaranta” nën pronësinë e Alma Balilit është vetëm një nga këto lidhje. Lidhja tjetër e gjetur nga Prokuroria është një kredi bankare e marrë nga Bashkim Balili, me vlerë 500 mijë euro, në të cilën Klementi rezulton dorëzanës.

“Në kontratën e kredisë bankare nr.1010 rep. Nr.281/ 1 kol, datë 31.07.2015 rezulton se dorëzanësi numër 1 në këtë kontratë për pagimin e kredisë është i hetuari Klement Balili”, shkruhet në kërkesën e Prokurorisë për Gjykatën. Një lidhje e tretë e dalluar nga Prokuroria, e cila dyshon se një pjesë e madhe e pronave të familjes janë krijuar nga aktiviteti i dyshuar kriminal i Klementit, është një kontratë shitblerjeje aksionesh mes Alma Balilit, bashkëshortes së Klementit, me Hektor Balilin, vëllain tjetër të familjes. Sipas kontratës, Alma bleu 50 për qind të aksioneve të kompanisë “Balili Security” përkundrejt shumës 2.5 milionë lekë, transaksion i kryer më 5 tetor 2015.

Më 20 prill 2016, Alma ia transferoi aksionet pas Hektorit përmes një kontrate dhurimi. “Unë Alma Balili, ortakja që zotëroj 50 % të kuotave të kapitalit të shoqërisë ‘Balili Security’, me vullnetin tim të plotë vendosa që kuotat e mia të kapitalit në shoqëri t’ia dhuroj Hektor Balilit”, shkruhet në kontratë.

Prokuroria e argumenton kërkesën e sekuestros me konkluzionin se “nga hetimi provohet se këta të fundit dhe familjarët e tyre nuk kanë të ardhura, të cilat mund të justifikojnë një pasuri të tillë”.

BIRN

Të këshilluara

ide

Krimi i organizuar financon kullat e kryeministrit jo protestën ndaj tyre

Krimi i organizuar është tejet i lumtur me modelin zhvillimor të kullave dhe rezorteve elitare të Ramës, sepse aty pastron paranë. Ndaj protesta qytetare kundër këtij modeli përbën një kërcënim real për të fortët, trafikantët e drogës, dhe krimin e organizuar që pastron para dhe legalizon tokat e grabitura tek projektet e rezorteve elitare të Ramës

10:14 Blendi Kajsiu

Si po e çon Rama vendin drejt përplasjes civile

Insistimi në dhunë, në armatosje të civilëve, në pagesa të policëve si të ishin mercenarë, vetëm paqe nuk pjell. Frika e Edi Ramës se ku do të përfundojë kur të mos jetë kryeministër nuk ka pse të bëhet makthi i Shqipërisë

15:20 Armand Shkullaku

MOTI TIRANA

13°c

KËMBIMI EURO

90.74

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI