Flash

Fatmir Xhafaj mes forcës së ligjit dhe forcës së propagandës

Lapsi.al 23 April 2018
Fatmir Xhafaj mes forcës së ligjit dhe forcës së

Prej mesit të muajit prill po shohim shfaqjen teatrale të radhës nga qeveria. Skenari dhe regjia janë të Edi Ramës, ndërsa udhëheqësi i shfaqjes është ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj. ‘Forum qytetar për sigurinë publike’ quhet fushata e cila nisi një javë më parë në qytetin e Elbasanit dhe do të vijojë në çdo qark të vendit. Në panel shfaqet në çdo rast Ministri i Brendshëm, drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardian Veliu,  drejtori i policisë sipas qarkut dhe përfaqësues të qeverisjes vendore. Audienca përbëhet shpesh nga nëpunës të administratës, të nxjerrë aty nën presion, por edhe nga qytetarë të zakonshëm të shtyrë mbase nga kureshtja.

Në çdo rast flet ministri për rreth 30-45 minuta. Herë kërkon ndjesë për gabimet e së shkuarës, herë pranon dështimin e qeverisë me rendin dhe sigurinë publike, si dhe në disa raste shfaqet kërcënues. Në Elbasan fjala vjen, u përbetua se do ‘t’u nxinte jetën kriminelëve’, ndonëse ky zotim i tij zhvlerësohej për aq kohë sa në krah të ministrit qëndronte Qazim Sejdini, kryebashkiaku i akuzuar si ‘kumbari’ i lidhjeve politikë-krim në Elbasan.

Por përtej kësaj, pyetja që shtrohet është kjo: Përse duhet një fushatë e tillë? Përgjigjja është vetëm një; ajo i shërben propagandës së Edi Ramës për të pastruar sadopak imazhin e policisë së bërë palë më kultivuesit e kanabisit në çdo anë të vendit.

Kjo fushatë është një tentativë e Ramës dhe Xhafajt për të rikthyer besimin e qytetarëve tek Policia e Shtetit, në një kohë kur ish-ministri Saimir Tahiri, është nën hetim për trafik ndërkombëtar droge, në një kohë kur tre ish drejtues të lartë të policisë në jug të vendit janë në arrati pasi akuzohen si pjesë e grupit të Habilajve, në një kohë kur 128 oficerë dhe drejtues policie përmendeshin në raportin konfidencial të SHISH si të përfshirë në kultivimin e kanabisit.

“Ky është një proces dialogimi për çështjet e rendit dhe sigurisë, por është edhe një proces transparence e llogaridhënie për Ministrinë e Brendshme, për Policinë e Shtetit’. Sot është vetëm hapi i parë i një marrëdhënie të re që ne duam të vendosim midis policisë dhe komunitetit. Ne duhet të jemi më shumë në vëmendje dhe në kërkesë llogarie nga ana e qytetarëve në mënyrë që ta bëjmë më mirë punën tonë, që të jemi shumë më të përgjegjshëm në punën që bëjmë”, përsërit Fatmir Xhafaj nga njëri takim në tjetrin. Sigurisht që e gjithë kjo është thjesht propagandë dhe ka shumë patetizëm në fjalët e Ministrit të Brendshëm.

Të gjithë e dinë se nuk janë qytetarët ata që pengojnë Policinë e Shtetit të godasë bandat kriminale. Dihet po ashtu se qytetarët nuk e refuzojnë një jetë më të sigurt, por refuzojnë një Shqipëri ku policia arreston vetëm atë që nuk paguan energjinë elektrike apo ndërton çatinë pa leje, por nga ana tjetër bëhet palë me kultituesit dhe trafikantët e drogës. Thënë këto, ‘Forumi qytetar për sigurinë publike’ ngjan të jetë fund e krye hipokrizi, fasadë që s’ka se si të shtojë besimin e qytetarëve te Policia e Shtetit, por ndoshta shton frikën se epoka Xhafa në Ministrinë e Brendshme do të jetë thjesht një ‘Déjà vu’ e asaj që pamë kur ky institucion drejtohej nga Saimir Tahiri.

Besimi i qytetarëve te Policia e Shtetit, vjen vetëm kur të çohen pas hekurave Klement Balili, Florian Habilaj, Jaeld Çelaj, Sokol Bode, Gjergji Kohila, Arbër Çekaj e shumë të tjerë në radhët e trafikantëve, por edhe në radhët e drejtuesve të Policisë së Shtetit. Në këtë kuptim, Fatmir Xhafaj nuk ka çfarë dialogu të zhvillojë me qytetarët, kur ai e di fare mirë që për të luftuar krimin duhet vullnet politik, jo evente propagandistike që transmetohen live në ERTV dhe në media të tjera.

Krimi i organizuar në Shqipëri vjen për shkak të lidhjeve okulte me politikën, jo për shkak se ka munguar kërkesa e llogarisë nga ana e qytetarëve për Policinë e Shtetit. Në këtë kuptim, ky është problemi që mbetet: A e ka ndarë mendjen Fatmir Xhafaj të luftojë krimin, apo do të vazhdojë të jetë protagonisti i shfaqjeve propagandistike që i orkestron Edi Rama?

©LAPSI.al 

Të këshilluara

Topalli-Patozi: Basha shpalli vdekjen e PD-së

Një ditë pas mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, drejt kryetarit Lulzim Basha kanë vërshuar akuzat lidhur me çështjen e statutit të ri të pa...

14:40

ide

Shembja e Vuçiçit, manual përdorimi për ne në Tiranë

Serbia përbën shembullin tipik për të treguar se këto lloj pushtetesh nuk mund të mposhten me rrugë normale, se metoda për tu ndeshur me të nuk është rendja pas zgjedhjeve, si demi pas cohës së kuqe, por gryerja, dobësimi, delegjitimimi dhe legenosja e tyre, përmes metodash që në pjesën më të madhe konsiderohen si të paligjshme ose të dhunshme nga kasta në fuqi

11:11 Andi Bushati

Revolta si shpresa e fundit

Revolta studentore dhe e të rinjëve përgjatë javës së fundit në Shqipëri, përveç që shpërfaqi dhu...

11:19 Agon Hamza

MOTI TIRANA

14°c

KËMBIMI EURO

90.77

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI