Flash

Monologu në Top Show/ Ku gënjeu Rama për Saimir Tahirin?

Lapsi.al 9 May 2018
Monologu në Top Show/ Ku gënjeu Rama për Saimir Tahirin?

Edi Rama u njehsua dje me Saimir Tahirin në të gjitha qëndrimet që mbajti edhe ndaj tij edhe ndaj punës së policisë gjatë periudhës që të dy e drejtonin atë. Por përveç monologut të gjatë dhe të pandërprerë se prokuroria nuk ka prova, se ai nuk i heq asnjë presje lavdërimeve për punën e dikurshme të ish ministrit, se rasti i përfshirjes në përgjimet e trafikantëve është tjetër gjë, në emisionin e mbrëmshëm Top Show pati edhe diçka interesante.

Po të krahasohet dalja po në Top Channel në emisionin “Të Paekspozuarit” e Saimir Tahirit me atë të Edi Ramës këtë të hënë, rezulton se ata kanë vendosur në bashkërendim të njëtën linjë mbrojtjeje. Ish ministri, i akuzuar sot për trafik, këmbënguli në faktin se në kohën e qeverisë Berisha ka pasur më shumë kultivim kanabisi, por ndryshimi është se ngaqë qeveria e Rilindjes i shpalli luftë këtij fenomeni, rreth tij u bë më shumë zhurmë.  Rama pretendoi se ata e gjetën të trashëguar fenomenin e kultivimit dhe të mbjelljes së bimëve narkotike dhe, njësoj si Tahiri,  këmbënguli se këtë gjë e provonin edhe dokumentat e Guardia di Finanza italiane.

Lexo më tej:

Tahirin nuk e dorëzoi Rama, por e kapën gjermanët

Po në fakt e vërteta është krejt ndryshe. Njësoj si Tahiri edhe Rama gënjejnë në qasjen që kanë zgjedhur për të bërë avokatinë e vetëvetes. Dhe meqë të gjitha kundërfaktet Tahirit iu thanë sy më sy në emisionin “Të Paekspozuarit”, por në Top Show nuk u gjet askush që t'ia kujtojë ato edhe Ramës, Lapsi.al po i rendit edhe njëherë.

Në 2 korrik të vitit 2015, Saimir Tahiri, ministër i Brendëshëm, deklaroi në emisionin Opinion se “Me Lazaratin e hoqëm Shqipërinë nga harta e vendeve që kultivojnë kanabis. Për herë të parë në 25 vjet, Shqipëria njihet ndërkombëtarisht që nuk është vend origjine por tranziti për trafikun e drogës”. Pra me këtë qëndrim që shpallte Tahiri, kuptohej lehtë që beteja me hashashin dhe kultivimin e tij ishte fituar në vend. Këtë qëndrim konfirmoi dyshja Rama- Tahiri edhe në shtator 2015 në konferencën "Antidroga një histori suksesi".

Pas saj filloi një fushatë e madhe në vend se beteja me kanabisin ishte fituar dhe se të gjithë ata që thonin të kundërtën ishin pjesë e kazanit apo frontit të së keqes.

Por nuk zgjati shumë dhe fasada e propagandës ra.

Të gjithë mediat më të mëdha botërore fillluan të bëjnë investigime dhe reportazhe që e konsideronin Shqipërinë kultivuesen më të madhe të kanabisit në botë.

Dhe këtu propaganda e dyshes Tahiri- Rama ndryshoi sërish.  Nga shpallja e suksesit të zhdukjes se hashashit ata nxorrën teorinë që vazhdojnë të përmendin edhe sot: "Ne po e luftojmë se e kemi trashëguar nga Saliu".

Por edhe kjo faqe e re e propagandës ra shpejt, megjithëse Ramës nuk iu gjet njeri që t’ia përmendte në Top Show. Kreu i antimafias italiane, Franko Roberti deklaroi në mars 2017 se nga Shqipëria po vërshonte më shumë drogë se kurrë ndonjëherë më parë. Po ashtu edhe raporti i Departamentit Amerikan të shtetit i këtij viti theksonte: "Shqipëria prodhon dhe eksporton sasi të mëdha të marijuanës, kryesisht në vendet evropiane, si dhe është vend tranzit për transportin e heroinës afgane dhe kokainës, duke shërbyer si portë kryesore për shpërndarjen e heroinës në të gjithë Europën".

Pra mjaftojnë këtë fakte për të provuar se beteja me drogën as ishte fituar në verën e vitit 2015, siç pretendonte dikur Tahiri, as ishte një plagë e trashëguar nga Sali Berisha siç dredhoi më pas dyshja Rama- Tahiri.

Kjo kronologji është tashmë e njohur. Por pyetja që shtrohet pas saj është: përse Edi Rama vazhdoi të përsërisë në Top Show të njëjtat gënjeshtra, njësoj si ish ministri i tij tek "Të paekspozuarit" ?

E  vetmja përgjigje për këtë është se ai po kërkon të mbajë në këmbë alibinë e Tahirit, ashtu siç ka bërë historikisht duke ngritur alibi për trafikantët edhe atëhere kur thoshte se avionët e drogës janë avionë spërkatjeje për mushkonjat, edhe atëhere kur Dritan Zagani tha se Tahiri ishte bashkëpuntor i Habilajve dhe ai e etiketoi si "dekonspirues të aksioneve të policisë dhe bashkëpunëtor të trafikantëve".  

©Lapsi.al

Të këshilluara

ide

Shembja e Vuçiçit, manual përdorimi për ne në Tiranë

Serbia përbën shembullin tipik për të treguar se këto lloj pushtetesh nuk mund të mposhten me rrugë normale, se metoda për tu ndeshur me të nuk është rendja pas zgjedhjeve, si demi pas cohës së kuqe, por gryerja, dobësimi, delegjitimimi dhe legenosja e tyre, përmes metodash që në pjesën më të madhe konsiderohen si të paligjshme ose të dhunshme nga kasta në fuqi

11:11 Andi Bushati

Revolta si shpresa e fundit

Revolta studentore dhe e të rinjëve përgjatë javës së fundit në Shqipëri, përveç që shpërfaqi dhu...

11:19 Agon Hamza

MOTI TIRANA

17°c

KËMBIMI EURO

90.77

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI