Flash

Gjeografia e Covid-19/ Shqipëria teston njësoj si vendet afrikane

Lapsi.al 28 July 2020
Gjeografia e Covid-19/ Shqipëria teston njësoj si vendet afrikane

Po behen gati 5 muaj, që nga fillimi i pandemise që publiku ndjek një konferencë të përditshme të shifrave të të prekurve dhe te viktimave nga koronavirusi. Javët e fundit të dhënat kanë arritur një konstante, shumë herë më të lartë se ditët e karantinës. Nga shifrat zyrtare zbulohen çdo ditë pak më shumë se 100 të prekur nga covid, sipas raportimit të Institutit të Shëndetit Publik.

Por sa afër me realitetin është ky raportim? Sa të vërteta janë të dhënat zyrtare të përhapjes së koronavirusit në popullsi? A kanë autoritetet një pasqyrë të saktë të numrit të të prekurve, apo informacioni që përcillet prej muajsh për qytetarët është i dirigjuar në prapaskenë?

Për të kuptuar valën e pandemisë dhe situatën e përhapjes së Covid-19, mjafton të krahasohet numri i testeve që kryhen çdo ditë nga specialistët, në raport me numrin e pacientëve që rezultojnë pozitivë. Llogjika e do që sa më i lartë të jetë numri i testeve, aq më i lartë të jetë numri i rasteve që rezultojnë pozitivë. Ekspertët pranojnë se jemi në fazën e transmetimit komunitar, pra në këtë moment nuk është më i mundur gjurmimi i personave që kanë transmetuar koronavirusin tek pacienti që rezulton pozitiv. Pikërisht në këtë fazë, është i domosdoshëm kryerja e testimeve masive në popullatë, që do të bënin të mundur zbulimin e shumë më tepër rastevë dhe për pasojë do të shtonin masat parandaluese.

Por ku qëndron vendi ynë në krahasim me vende të tjera, për numrin e testeve në raport me popullsinë? Worldmeter.info jep një pasqyrë të qartë të të dhënave të çdo shteti në luftën kundër Covid-19. Statistikat zyrtare janë për vdekshmërinë në raport me popullsinë, numrin e personave që rezultojnë pozitivë, të shëruarit, rastet aktive etj.

Pikërisht në kolonën e statistikave që tregojnë testimet në raport me popullsinë janë renditur edhe vendet sipas testeve për një milion banorë. Shifra tregon që në Shqipëri rezulton të kryhen 11.981 teste për një milion banorë. Shifra është larg vendeve fqinje dhe vendi ynë renditet përkrah vendeve afrikane si Gana me 12 mijë e 172 teste për një million banorë apo Guinea Ekuatoriale me 11 mijë 382 teste për një million banorë.

Për numrin e testeve në raport me popullsinë, rezulton se vendet e rajonit janë shumë më lart në renditje.

Bosnja Hercegovina, 40 mijë teste për 1 milion banorë, Greqia mbi 43 mijë teste për 1 milion banorë, Maqedonia e Veriut, mbi 46 mijë teste për milion banorë, Mali i Zi mbi 53 mijë, Serbia mbi 73 mijë.

Nuk është e qartë se përse në Shqipëri kryhen kaq pak teste, por mjekët shpesh kanë denoncuar mungesën e infrastrukturës në luftën me koronavirusin. Pak ditë më parë mjeku urolog Artan Koni denoncoi politikën e Ministrisë së Shëndetesisë për testimet.

“Komiteti Teknik doli me një vendim se duhet bërë tampon, nëse plotëson disa kritere. Por, nëse unë plotësoj ato kritere, do të thotë që do të përfundoj në spital. Atëherë mos ma bëj fare tamponin, se ky nuk quhet gjurmim, por kurim. Gjermania ndalonte njerëzit në rrugë, iu bënte testin dhe iu thoshte se nëse do të dilnin pozitivë, do t’i merrnin në telefon. Kështu kanë bërë dhe vendet e tjera. Ku ka më mirë se kaq. Ne jo vetëm nuk e kemi bërë këtë, por nuk iu kemi bërë tampon edhe njerëzve që kanë qenë simptomatikë. Ne iu jemi përgjigjur vetëm rasteve kur rasti ka qenë shumë rëndë. Po kur është shumë rëndë pse duhet ta harxhojmë tamponin, dihet që ka Covid, duhet ta marrim ta cojmë në spital”, tha Koni.

Një tjetër mjek, Erion Dasho, ironizoi postimet e përditshme të ministres Ogerta Manastirliu që quan heronj mjekët, pikërisht sepse i mungon modeli efektif i sistemit shëndetësor, ku një nga komponentët kryesorë të masave është testimi.

“

Baza e gjithçkaje janë tre nivelet klasike të parandalimit që njeh shkenca mjeksore dhe ajo e shëndetit publik:

Niveli i parë: në mungesë të një mase të parandalimit specifik (vaksina), bazohet tek masat klasike të shëndetit publik (distancimi dhe maskat), por edhe tek ato moderne si aplikacionet, platformat big data, algoritmet e inteligjencës artificiale, etj. Përgjithësisht, ndërhyrjet e efektshme në këtë nivel bazohen tek pesë parimet e Kartës së Otavës.

Niveli i dytë: diagnoza dhe trajtimi i hershëm sipas trinomit Testo-Gjurmo-Trajto. Synimi kryesor është që trajtimi të ofrohet në kushtet e shtëpisë dhe vetëm rastet e komplikuara të transferohen në spital. Trajtimi në shtëpi bazohet në protokolle të cilët rifreskohen vazhdimisht dhe për zbatimin e të cilave trajnohen, ri-trajnohen dhe mbështeten mjekët e familjes nga kolegët e tyre specialistë. Në rast se pacienti manifeston një kuadër të caktuar klinik (treguesi kryesor objektiv është niveli i oksigjenit në gjak apo një kuadër i caktuar radiologjik, tregues që sigurisht duhen parë në kontekstin e plotë klinik objektiv dhe subjektiv), kalohet tek trajtimi i hershëm në spital për të përmirësuar oksigjenimin, disiplinuar terapinë dhe, pse jo, edhe izoluar pacientin që besohet se kur ka klinikë të rënduar, është më infektues për mjedisin familjar. Ky trajtim mund të ofrohet fare mirë në kushtet e një spitali rajonal.

Niveli i tretë: trajtimi i hershëm dhe agresiv i komplikacioneve për të bërë të mundur që dëmet në mushkëri dhe ato sistemike nuk përparojnë për të krijuar situata ku rrezikohet jeta e pacientit. Këtu nevojitet “artileria e rëndë” – spitalet terciare, strukturat e specializuara të kujdesit intensiv, intubimi, etj.

Vetëm ministria jonë e shëndetësisë dhe komiteti ynë i ekspertëve “shpiku” heronjtë e COVID-it të cilët janë të vetmit që mund të përballen me “amikun e padukshëm” duke harruar se në shëndetësi ka dhjetëra vjet që modeli i heronjve i ka vendin modelit të sistemeve dhe ekipeve!

PËRBALLË COVID-19, MODELI I HERONJVE ËSHTË I DESTINUAR TË DËSHTOJË!” shkruan Dasho.

©LAPSI.AL

Të këshilluara

ide

Si po e çon Rama vendin drejt përplasjes civile

Insistimi në dhunë, në armatosje të civilëve, në pagesa të policëve si të ishin mercenarë, vetëm paqe nuk pjell. Frika e Edi Ramës se ku do të përfundojë kur të mos jetë kryeministër nuk ka pse të bëhet makthi i Shqipërisë

15:20 Armand Shkullaku

Pse guri dhe molotovi u bënë të pashmangshëm

Kjo revoltë rinore ka pasur një meritë të madhe. Ajo i bëri të njohur publikut të gjërë anën më kriminale të këtij regjimi që ishte deri më tani e konservuar në skutat më të fshehta. Nëse revolucioni ekstremisht paqësor i flamingove na tregoi se kjo qeverisje nuk ishte më popullore, epilogu i tij radikal, me gurë dhe molotov po shërben për të nxjerrë në dritë të diellit se autokrati është në gjendje të përdorë çdo mjet për të qëndruar në pushte

11:37 Andi Bushati

MOTI TIRANA

22°c

KËMBIMI EURO

90.77

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Pse guri dhe molotovi u bënë të pashmangshëm

Kjo revoltë rinore ka pasur një meritë të madhe. Ajo i bëri të njohur publikut të gjërë anën më kriminale të këtij regjimi që ishte deri më tani e konservuar në skutat më të fshehta. Nëse revolucioni ekstremisht paqësor i flamingove na tregoi se kjo qeverisje nuk ishte më popullore, epilogu i tij radikal, me gurë dhe molotov po shërben për të nxjerrë në dritë të diellit se autokrati është në gjendje të përdorë çdo mjet për të qëndruar në pushte

11:37 Andi Bushati

Me sytë katër

PAPARAZZI