Flash

Bllok ‘pagesash’ dhe karta ID: Si u manipulua përplasja e përgjakshme e Elbasanit

Lapsi.al 28 April 2021
Bllok ‘pagesash’ dhe karta ID: Si u manipulua përplasja e

Lista me emra dhe fotokopje kartash ID, bllok shënimesh ku shkruhej “pagesa” si dhe një dokument format A4 me përshkrimin “formular patronazhi”, bashkë me disa fletëpalosje të Partisë Socialiste. Këto janë disa nga provat që Policia e Shtetit gjeti në automjetin pa targa të shtetasit Mehmet Greca, pas përplasjes me armë në lagjen “5 Maji” në Elbasan më 21 prill 2021, e cila përfundoi me një të vdekur dhe katër të plagosur dhe njollosi zgjedhjet e 25 prillit.

Sipas dokumenteve gjyqësore të para nga BIRN, Policia dhe Prokuroria kishin informacione mbi provat e gjetura dhe që sugjeronin se kishin të bënin me një krim zgjedhor, por dështuan të bëjnë arrestime apo të ngrenë akuza ndaj personave në fjalë, përfshirë një person me nofkën Met Dafllaku, emri i të cilit ishte shkruar mbi bllokun me shënimin “pagesa”.

Provat e gjetura në vendngjarje nuk e penguan drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu të deklaronte në një konferencë për shtyp të mbajtur një ditë pas ngjarjes, se nuk kishin gjetur materiale zgjedhore “që shërbejnë për shit-blerje të votës”.

Sipas deklaratës së Veliut, një grup ish-oficerësh policie të njohur si “Grupi i Mbrojtjes së Votave” të Partisë Demokratike, “i bllokuan rrugën automjetit të fuoristradë tip ML të drejtuar nga shtetasi me inicialet M.G. duke i prerë rrugën.” Policia e Shtetit e shpalli bllokimin e shtetasit Mehmet Greca si “heqje e paligjshme e lirisë”.

“Nga këqyrja e automjetit Mercedez tip ML pa targa, i gjetur në vendngjarje, grupi hetimor nuk ka konstatuar sende të kundraligjshme apo të dyshuara se mund të përdoreshin për shitblerje të votës,” deklaroi Veliu në konferencën për shtyp të datës 22 prill.

Por ndryshe nga sa flet kjo deklaratë, dokumenti i referimit të veprës penale nga Policia për Prokurorinë e Elbasanit shkruan: “Në sedilen e djathtë përpara të këtij mjeti gjendet një çantë dore kafe, brenda së cilës gjenden […] një fletore me vija me shënim në kapak Met Dafllaku pagesë, brenda në 6 fletë shënime me emra dhe nr. id, format A4 me përshkrim formular patronazhi me tre fletë, 5 formate A4 me kopje kartash identiteti dhe pasaportash biometrike…”

https://lapsi.al/2021/04/22/konferenca-gazetaret-zene-ngushte-ardi-veliun-dhe-prokurorin-per-rolin-e-klement-xhaferrit-ne-perplasjen-me-arme/

Kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu konfirmoi në një përgjigje me shkrim se materjalet në fjalc janë gjetur në vendin e ngjarjes por sipas tij, këto materjale nuk përbëjnë prova për krim zgjedhor.

“Grupi hetimor nuk i ka vlerësuar provat e gjetura dhe të sekuestrua në automjetin ML pa targa, si elementë apo si indicje që mund të shërbenin për çeljen e një hetimi për veprat penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve,” deklaroi Veliu në përgjigjen e tij. Argumenti kryesor për këtë vlerësim sipas Veliut lidhet me faktin se në automjet janë gjetur “vetëm 100 euro”.

Veliu ia kaloi përgjegjësinë prokurorisë për të vijuar më tej me këtë çështje.

“…është në tagrin e prokurorit që të nisë hetime edhe për vepra të tjera penale nisur nga provat e administruara apo dëshmitë e marra,” shkroi Veliu.

Prokurori Alfred Shehu refuzoi të komentojë mbi çështjen dhe i tha BIRN se si prokuror e ka të ndaluar të reagojë në çështje të debatit publik.

https://lapsi.al/2021/04/23/kush-eshte-mehmet-greca-personi-qe-u-kap-me-makinen-pa-targa-nga-vullnetaret-e-pd-ne-elbasan/

Një zyrtar i policisë e përshkroi Grecën si një “socialist të flaktë” dhe banor të lagjes, ndërsa policia duket se u bind nga justifikimi që Greca dha për përdorimin e një automjeti pa targa.

Pasi u lirua menjëherë pas marrjes në pyetje si “person që ka dijeni për ngjarjen”, Greca u pa nga dëshmitarët duke qëndruar pranë qendrave të votimit në lagjen “5 Maji” në Elbasan në ditën e zgjedhjeve.

Dokumenti policor i këqyrjes së vendit të ngjarjes tregon se në përplasjen e përgjakshme që ndodhi në sytë e dy drejtuesve të policisë së Elbasanit dhe një numri policësh u përdorën disa pistoleta, vërtetuar kjo nga larmishmëria e markave të gëzhojave të gjendura në vendngjarje, si dhe duket se është qëlluar nga pozicione të ndryshme.

Raporti i Policisë thotë se aty u gjendën 7 gëzhoja të markës GFL 9 mm Luger si dhe 9 gëzhoja PPU 45 të kalibrit 11.2, ku këto të fundit u gjetën në gjashtë pozicione të ndryshme. U gjetën më tej tre gëzhoja S&B dhe një fishek 1 Maxx Tech. Gëzhojat e gjetura në terren sugjerojnë përdorimin e minimalisht tre llojeve të ndryshme të armëve, por policia ka sekuestruar vetëm armën e dorëzuar nga i akuzuari për vrasjen e Pjerin Xhuvanit, Arbër Paplekaj.

Gjithashtu, prania e policisë në vendngjarje nuk e pengoi një nga personat e përfshirë në konflikt, Klement Xhaferrin të largohej. Xhaferri është shpallur aktualisht në kërkim policor, por policia nuk ka gjetur ende vendndodhjen e tij.

Sipas deklaratës së 22 prillit të Veliut, në vendin e ngjarjes, para, gjatë dhe pas përplasjes së armatosur gjendeshin dy zëvendësdrejtorë të Policisë së Qarkut.

Greca, të cilit Policia e Shtetit iu referua si një qytetar që u mor peng me dhunë, është dënuar në Britaninë e Madhe në vitin 2016 pasi u kap me 51 kilogramë kokainë dhe 80 mijë paund cash.

Partia Socialiste fitoi zgjedhjet e së dielës me 48% të votave, por akuzat për përfshirje të strukturave të krimit të organizuar në zgjedhje vazhdojnë. Në qarkun e Elbasanit, socialistët thelluan rezultatin e vitit 2017 dhe arritën të fitojnë 55% të votave.

Një nga provat e sekuestruara në vendngjarje është një dokument me titull “formular patronazhi”, i gjendur në makinën pa targa të bllokuar nga mbështetësit e PD. Patronazhistët u bënë të njohur në publik pas rrjedhjes së një databaze të madhe me emrat e 910 mijë votuesve të Tiranës, databazë që besohet se i përket Partisë Socialiste.

Kjo nuk është hera e parë që socialistët akuzohen se kanë përdorur persona me të shkuar kriminale për fushatat e tyre elektorale./Reporter.al

Të këshilluara

ide

Si po e çon Rama vendin drejt përplasjes civile

Insistimi në dhunë, në armatosje të civilëve, në pagesa të policëve si të ishin mercenarë, vetëm paqe nuk pjell. Frika e Edi Ramës se ku do të përfundojë kur të mos jetë kryeministër nuk ka pse të bëhet makthi i Shqipërisë

15:20 Armand Shkullaku

Pse guri dhe molotovi u bënë të pashmangshëm

Kjo revoltë rinore ka pasur një meritë të madhe. Ajo i bëri të njohur publikut të gjërë anën më kriminale të këtij regjimi që ishte deri më tani e konservuar në skutat më të fshehta. Nëse revolucioni ekstremisht paqësor i flamingove na tregoi se kjo qeverisje nuk ishte më popullore, epilogu i tij radikal, me gurë dhe molotov po shërben për të nxjerrë në dritë të diellit se autokrati është në gjendje të përdorë çdo mjet për të qëndruar në pushte

11:37 Andi Bushati

MOTI TIRANA

16°c

KËMBIMI EURO

90.77

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI