Flash

Ka humbur besimi/ Premtimet e Ramës për çmimin e naftës nuk ndalin protestën

Lapsi.al 11 March 2022
Ka humbur besimi/ Premtimet e Ramës për çmimin e naftës

Përpara se të nisej sot për në Turqi tek Erdogan, kryeministri Edi Rama nxitoi të dilte sërish para mediave bashkë me ministren e Financave dhe Infrastrukturës për të konfirmuar të kundërtën e asaj që ai kishte thënë prej disa ditësh se qeveria nuk ndërhyn dot në treg për çmimin e naftës prandaj populli duhet të shtrëngonte dhëmbët për përballimin e krizës energjitike.

Rama sot njoftoi krijimin e një bordi me 5 përfaqësues të furnizuesve me naftë dhe të qeverisë për të caktuar bashkërisht çmimin e karburantit për të paktën dy muajt e ardhshëm. Këtë do ta bënte përmes një Akti Normativ që pritet të miratohet nesër. Por kjo lëvizje e tij e shpejtë dhe duke nuhatur përshkallëzimin e protestës, nuk i ndali qytetarët të vijonin revoltën e tyre.

Për të tretën ditë radhazi Tirana u ndez sërish mbrëmjen e së premtes nga protestuesit duke konfirmuar ndër të tjera mosbesimin e madh që është krijuar te Rama. Qytetarët e kanë të vështirë t’i besojnë retorikës dhe akrobacive të kryeministrit të cilat janë pothuajse identike me ato që pamë gjatë protestës masive të studentëve 4 vite më parë, që Rama e shuajti me diabolizëm pas disa ditesh.

Qytetarët nuk u tubuan vetëm në Tiranë, por edhe në qytete të tjera si Shkodra, Lezha, Durrësi e Berati. Më herët gjatë paradites në protestë kishin dalë fermerët në Lushnje, të cilët në tentativë për të bllokuar autostradën u përplasën me Policinë e Shtetit. Në mesditë nisën një tubim edhe studentë të Universitetit Bujqësor të Tiranës dhe gjithashtu shumë qytetarë të Korçës. Çfarë u vërejt në ditën e tretë të protestës përvec faktit se qytetarët nuk iu besojnë fjalëve të Edi Ramës, është reagimi jo proporcional i Policisë së Shtetit.

Në Durrës e Berat pati konfrontime fizike dhe arrestime. Në shkelje flagrante të ligjit, agjentë civilë të Policisë së Shtetit ndaluan disa protestues në Durrës dhe ushtruan dhunë ndaj tyre. Ata mbanin armë në brez edhe pse dicka e tillë është e ndaluar me ligj gjatë tubimeve.

Ndërkohë teksa në Shqipëri protestohej, kryeministri Edi Rama reagoi nga Turqia. Me arrogancën që e karakterizon, Rama e shpërfilli revoltën qytetare duke thënë se ata nuk janë populli.

“Per ke e njeh doren e nongratave te shpallur e të pashpallur, keto protesta jane nje perpjekje e ulet e te te njejtave hije te se shkuares, per te manipuluar njerezit duke hedhur gurin e fshehur doren! Ky nuk eshte populli, po e njejta pakice e zhurmshme ne kerkim te rremujes!”shkruante Rama në Twitter sa me arrgancë po aq edhe me nervozizëm.

Të shtunën paradite në orën 11 është thirrur një tjetër protestë masive në Tiranë, ku janë ftuar të marrin pjesë edhe qytetarë nga rrethe të tjera të Shqipërisë. Protestuesit kërkojnë ulje të taksave dhe çmimit të naftës e produkteve të shportës. Sikur të mos ishte ky reagim qytetar mbase as cmimi i naftës s’do të ishte ulur në këto 3 ditë me 30 lekë për litër. Mbetet për t’u parë se si do të vijojë protesta nesër e në vazhdim, kur ashtu sic tha Rama caktimin e cmimit të naftës e merr në dorë bordi i përbashkët dhe jo tregu.©LAPSI.al

Të këshilluara

ide

Si po e çon Rama vendin drejt përplasjes civile

Insistimi në dhunë, në armatosje të civilëve, në pagesa të policëve si të ishin mercenarë, vetëm paqe nuk pjell. Frika e Edi Ramës se ku do të përfundojë kur të mos jetë kryeministër nuk ka pse të bëhet makthi i Shqipërisë

15:20 Armand Shkullaku

Pse guri dhe molotovi u bënë të pashmangshëm

Kjo revoltë rinore ka pasur një meritë të madhe. Ajo i bëri të njohur publikut të gjërë anën më kriminale të këtij regjimi që ishte deri më tani e konservuar në skutat më të fshehta. Nëse revolucioni ekstremisht paqësor i flamingove na tregoi se kjo qeverisje nuk ishte më popullore, epilogu i tij radikal, me gurë dhe molotov po shërben për të nxjerrë në dritë të diellit se autokrati është në gjendje të përdorë çdo mjet për të qëndruar në pushte

11:37 Andi Bushati

MOTI TIRANA

12°c

KËMBIMI EURO

90.77

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI