Flash

Gjykata e Lartë e BE-së e ka bërë më të vështirë zbulimin e parave të pista

Lapsi.al 25 December 2022
Gjykata e Lartë e BE-së e ka bërë më të

Pavarësisht nga bankierët dhe burokratët, të cilët zotohen se do të ndalojnë pastrimin ndërkombëtar të parave, kjo dukuri vazhdon të ndodhë gjerësisht. Rastet e pastrimit të parave në Eurojust, Agjencia e Drejtësisë e BE-së, janë dyfishuar në gjashtë vitet e fundit.

Një arsye është se gjurmimi i parave të pista është shumë i vështirë. Kriminelët dhe kleptokratët krijojnë rrjete kompanish guaskë me pronarë dhe zyrtarë të rremë, duke kërkuar shtete me rregulla të dobëta, shkruan The Economist.

Një mjet i mirë për ta luftuar këtë janë regjistrat e pronësisë përfitues (UBO), ku korporatat duhet të deklarojnë se cilat qenie njerëzore i kontrollojnë dhe marrin fitimet e tyre. BE-ja ka kërkuar regjistra UBO që nga viti 2018, dhe Amerika që nga viti 2020. Regjistrat më të mirë, si ai i Britanisë, i krijuar në vitin 2016, mund të aksesohen nga kushdo. Më vonë e bëri edhe BE-ja këtë kërkesë.

Por më 22 nëntor, Gjykata Europiane e Drejtësisë (GJED) vendosi se ky hap shkonte shumë larg. Në një çështje të ngritur nga një paditës anonim në Luksemburg, ajo vendosi se UBO-të me qasje të hapur, shkelnin të drejtën e pronarëve për privatësi dhe hodhi poshtë një direktivë të BE-së që i hapte ato për publikun.

Vendet europiane me regjistra të hapur e pezulluan shpejt aksesin. Grupet e shoqërisë civile u zemëruan. Hetimet e mëdha ndërkombëtare si “Letrat Pandora” varen shumë nga regjistrat publikë, thotë Pavla Holcova nga firma Investigace, një grup që hartoi rrjetin e firmave të kontrolluara nga ish-kryeministri çek, Andrej Babis.

Vendimi i gjykatës nuk i shkatërron regjistrat, por i detyron qeveritë të ndryshojnë rregullat, në mënyrë që vetëm palët me “interes legjitim” të mund të kërkojnë informacion. Nëse studiuesit duhet të justifikojnë çdo kërkesë, ata mund të mos jenë në gjendje të zbulojnë lidhjet.

“Ne zakonisht shqyrtojmë me mijëra kompani në të njëjtën kohë”, thotë Ross Higgins nga Bellingcat, grup hetimor me burim të hapur. Gjurmimi i vilave të paligjshme të zyrtarëve rusë në Europë, do të bëhej “pothuajse i pamundur”, thotë Maria Pevchikh, nga Fondi Kundër Korrupsionit, një grup i krijuar nga Alexei Navalny, një udhëheqës i opozitës ruse.

 

 

Vetë qasja e hapur mund të pengojë marrëdhëniet e dyshimta. Hulumtimi i zotit Higgins mbi Scottish limited partnerships, një formë korporate, tregoi se shumë prej tyre u përdorën për të fshehur paratë e pista, si 1 miliard dollarë të vjedhura nga bankat moldave në vitin 2014. Pas një ligji të miratuar në vitin 2016, ata u detyruan të zbulonin UBO-t e tyre dhe partneritetet e reja u thanë (shih grafikun).

Pastrimi i parave nuk është çështja e vetme. Regjistrat UBO janë një mjet vendimtar në zbatimin e sanksioneve ndërkombëtare kundër Rusisë dhe të tjerëve. “Zbatimi i sanksioneve i është lënë tërësisht në dorë sektorit privat”, thotë Adam Smith, ish-zyrtar amerikan i sanksioneve. Firmat që bëjnë transaksione me subjekte në listën e zezë, edhe pa e ditur, rrezikojnë gjoba të mëdha. Me errësimin e pronësisë, ato thjesht mund të shmangin këdo që është i lidhur në distancë me zona të ndjeshme.

Edhe evazioni fiskal mund të bëhet më i vështirë për t’u luftuar. Kompanitë e krijuara për të kanalizuar fitimet drejt juridiksioneve me taksa të ulëta, mund të vazhdojnë të fluturojnë nën radar. Vendimi u jep privilegj bizneseve ndërkombëtare mbi ato lokale që nuk mund ta fshehin dot pronësinë, vëren Andres Knobel nga Rrjeti i Drejtësisë Tatimore, grup lobimi: “Ata që janë të lumtur nga ky vendim, janë kryesisht njerëz që punojnë për individë me vlerë të lartë neto”.

Komisioni Europian dhe ministrat e Financave të BE-së po studiojnë vendimin e GJED-së dhe po punojnë për rregulla të reja. Çdo sistem i ri ndoshta do t’i lejojë bankat që të përdorin regjistrat UBO dhe gjykata thotë se qeveritë duhet të marrin në konsideratë dhënien e aksesit për gazetarët dhe organizatat e shoqërisë civile.

Por vendimi u jep një goditje përpjekjeve globale për të çrrënjosur paratë e pista, thotë Oliver Bullough, gazetar i cili shkruan për pastrimin e parave. “Në lojën Jenga, ata tërhoqën një bllok shumë të rëndësishëm”./ Monitor

Të këshilluara

ide

Si po e çon Rama vendin drejt përplasjes civile

Insistimi në dhunë, në armatosje të civilëve, në pagesa të policëve si të ishin mercenarë, vetëm paqe nuk pjell. Frika e Edi Ramës se ku do të përfundojë kur të mos jetë kryeministër nuk ka pse të bëhet makthi i Shqipërisë

15:20 Armand Shkullaku

Pse guri dhe molotovi u bënë të pashmangshëm

Kjo revoltë rinore ka pasur një meritë të madhe. Ajo i bëri të njohur publikut të gjërë anën më kriminale të këtij regjimi që ishte deri më tani e konservuar në skutat më të fshehta. Nëse revolucioni ekstremisht paqësor i flamingove na tregoi se kjo qeverisje nuk ishte më popullore, epilogu i tij radikal, me gurë dhe molotov po shërben për të nxjerrë në dritë të diellit se autokrati është në gjendje të përdorë çdo mjet për të qëndruar në pushte

11:37 Andi Bushati

MOTI TIRANA

14°c

KËMBIMI EURO

90.77

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI