Flash

Kovaçevski propozon Qeveri të zgjeruar për ndryshimet kushtetuese

Lapsi.al 7 June 2023
Kovaçevski propozon Qeveri të zgjeruar për ndryshimet

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski i ka ofruar partisë opozitare, VMRO-DPMNE, pjesëmarrjen në Qeveri nëse kjo parti e mbështet nismën për ndryshimin e Kushtetutës.

Pas takimit të mërkurën me kryetarin e VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski, Kovaçevski tha se pas miratimit të fazës së parë të ndryshimit të Kushtetutës, do të formohej një qeveri e gjerë, me pjesëmarrjen edhe të opozitës. Sipas Kovaçevskit, opozitës do t’i takonin pesë ministri, me të cilat aktualisht udhëheqë partia që ai drejton, Lidhja Social Demokrate.

Kushtetuta duhet të ndryshohet në pjesën e preambulës, për përfshirjen e pakicës bullgare në të, si popull shtetformues që është kusht për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit evropian të Maqedonisë së Veriut, bazuar në marrëveshjen me Sofjen për zgjidhjen e kontesteve për gjuhën, identitetin dhe dallimet historike.

Kryeministri Kovaçevski tha se mandati i Qeverisë së zgjeruar do të vazhdonte deri në rrumbullakimin e ndryshimeve kushtetuese, pas çka Qeveria e njëjtë do të organizonte zgjedhje të parakohshme parlamentare.

“Unë propozova që të votojmë hapjen e Kushtetutës, të miratojmë ndryshimet e nevojshme dhe menjëherë pas votimit të fundit të shkojmë në zgjedhje. Por, gjatë periudhës së kaluar kam kuptuar se për Mickoskin është e rëndësishme që VMRO-DPMNE të jetë pjesë e Qeverisë. Për të dëshmuar se nuk jemi të interesuar për pikë politike, por për të ardhmen e vendit, propozova që menjëherë pasi të votojmë për hapjen e Kushtetutës, VMRO-DPMNE të hyjë në Qeveri”, deklaroi Kovaçevski.

Kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski, tha se ka pranuar që kjo parti të jetë pjesë e Qeverisë, por me kusht që ndryshimet kushtetuese të miratohen vetëm pasi të kenë përfunduar bisedimet për anëtarësim në BE dhe të gjitha shtetet anëtare të unionit të kenë ratifikuar anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut.

“VMRO DPMNE-ja është e gatshme të marrë pjesë në një Qeveri të tillë, kurse ndryshimet e mundshme kushtetuese të vlejnë ditën e ratifikimit të protokollit për anëtarësim të Maqedonisë në BE”, tha Mickoski.

Mickoski, gjithashtu, përsëriti qëndrimin se në formën siç janë propozuar, asnjë nga deputetët e VMRO DPMNE-së nuk do t’i mbështesë ndryshimet kushtetuese.

Kreu i VMRO DPMNE-së, gjithashtu kërkoi që në një qeveri të zgjeruar nuk duhet të ketë vend për Bashkimin Demokratik për Integrim, të cilin VMRO DPMNE-ja e akuzon për “përfshirje në krim të organizuar dhe korrupsion” dhe në procese tjera që “kanë dëmtuar interesat kombëtare dhe shtetërore”.

Bashkimi Demokratik për Integrim i është përgjigjur VMRO DPMNE-së për gatishmërinë e tij për të mos marrë pjesë në qeverinë e gjerë.

“BDI-ja është e gatshme të mbështesë një Qeveri pa BDI-në deri në zgjedhje, nëse opozita i përkrah ndryshimet kushtetuese, të cilat duhet të hyjnë në fuqi para formimit të asaj qeverie. E ardhmja evropiane e qytetarëve është e para”, ka shkruar zëdhënës i BDI-së, Bujar Osmani, në rrjetin social Facebook.

Kushtëzime për mbështetjen e ndryshimeve kushtetuese ka edhe nga partitë opozitare shqiptare. Ato kërkojnë që ndryshimet të përfshijnë edhe ndryshimin e përkufizimit të gjuhës shqipe në Kushtetutë.

Aktualisht, gjuha shqipe njihet si gjuhë të cilën e flasin mbi 20 për qind e popullatës së Maqedonisë së Veriut. Pa votat e partive shqiptare dhe të VMRO DPMNE-së, e cila nuk pajtohet për përfshirjen e bullgarëve në preambulë, Kushtetuta nuk mund të miratohet pasi shumica parlamentare nuk i ka dy të tretat apo 80 nga 120 votat e deputetëve./REL

Të këshilluara

ide

Shembja e Vuçiçit, manual përdorimi për ne në Tiranë

Serbia përbën shembullin tipik për të treguar se këto lloj pushtetesh nuk mund të mposhten me rrugë normale, se metoda për tu ndeshur me të nuk është rendja pas zgjedhjeve, si demi pas cohës së kuqe, por gryerja, dobësimi, delegjitimimi dhe legenosja e tyre, përmes metodash që në pjesën më të madhe konsiderohen si të paligjshme ose të dhunshme nga kasta në fuqi

11:11 Andi Bushati

Revolta si shpresa e fundit

Revolta studentore dhe e të rinjëve përgjatë javës së fundit në Shqipëri, përveç që shpërfaqi dhu...

11:19 Agon Hamza

MOTI TIRANA

7°c

KËMBIMI EURO

90.80

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI