Flash

Euro i afrohet kufirit të 104 lekëve, Dollari prek nivelin më të ulët që nga viti 2009

Lapsi.al 12 July 2023
Euro i afrohet kufirit të 104 lekëve, Dollari prek nivelin më

Leku po forcohet më tej në kursin e këmbimit me Euron gjatë kësaj jave. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye të mërkurën me 104.05 lekë, duke shënuar një nivel të ri minimal historik. Kursi Euro-Lek paraqitet në rënie me 11.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 8.9% që nga fillimi i këtij viti.

Sipas agjentëve, në dy javët e fundit rënia e kursit të Euros ndaj Lekut ka tiparet e zakonshme të zhvlerësimit sezonal që ndodh çdo vit në periudhën e verës, për shkak të rritjes së prurjeve valutore nga turizmi.

Nëse deri në fund të muajit qershor kursi i këmbimit Euro-Lek shfaqte luhatje forta, kryesisht në kahun rënës, por edhe me intervale afatshkurtra në rritje, këtë periudhë ecuria e kursit duket më e njëtrajtshme, me një tendencë më të ngadaltë, por të qëndrueshme në rënie.

Mbështetur në të dhënat e viteve të mëparshme, agjentët e këmbimit mendojnë se kursi i këmbimit të Euros pritet të ndjekë një tendencë në rënie të paktën deri në dhjetëditëshin e parë të muajit gusht.

Pas kësaj periudhe, të dhënat historike sugjerojnë një stabilizim me prirje korrektimi të lehtë në rritje. Megjithatë, duke parë pritshmëritë shumë të larta nga turizmi këtë vit, agjentët nuk përjashtojnë që rënia sezonale e kursit të Euros të zgjasë edhe më shumë në kohë. Tashmë, mes agjentëve të tregut po forcohet pritshmëria se Euro gjatë verës do t’i afrohet kufirit të 100 lekëve.

Për analogji, në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar kursi Euro-Lek pësoi një rënie me afërsisht një pikë në periudhën mes mesit të muajit korrik dhe fillimit të muajit gusht. Megjithatë, duke pasur parasysh tendencën e muajve të fundit, këtë vit pritshmëritë e rënies së kursit duken disi më të larta.

Forcimi i paprecedent i lekut ndaj Euros këtë vit, e gërshetuar edhe me zhvillimet në tregjet e huaja valutore, ndikon që monedha vendase të mbiçmohet ndjeshëm edhe kundrejt valutave të tjera kryesore.

Dollari Amerikan u këmbye të mërkurën me 94.41 lekë, niveli më i ulët që prej dhjetorit të vitit 2009. Edhe Paundi Britanik vazhdon të qëndrojë pranë niveleve më të ulëta të regjistruara ndonjëherë ndaj lekut. Monedha britanike u këmbye sot me 122.02 lekë.

Forcimi i Lekut në kursin e këmbimit sjell çmime më të ulëta të blerjes së mallrave dhe shërbimeve jashtë vendit. Banka e Shqipërisë vlerëson se forcimi i lekut ka luajtur një rol të rëndësishëm në zbutjen e presioneve inflacioniste nga jashtë.

Duke u mbështetur në vlerësimet e Bankës së Shqipërisë, për kohëvonesat e përcjelljes së efekteve të kursit të këmbimit në inflacion, është e pritshme që vala e forcimit të lekut që filloi sidomos pas muajit maj të fillojë të ndihet në ecurinë e inflacionit pas vjeshtës.

Leku i fortë po favorizon edhe huamarrësit në valutë të huaj me të ardhura në monedhën vendase, duke zbutur efektet e rritjes së normave të interesit në këstet e kredive.

Përfitues i madh nga forcimi i lekut deri në këtë moment është edhe buxheti i shtetit. Forcimi i lekut po sjell një reduktim gradual dhe të rëndësishëm të stokut të borxhit në valutë të huaj.

Por, nga ana tjetër, forcimi i lekut po dëmton sektorët eksportues të mallrave dhe të shërbimeve, duke gërryer bazën e tyre të të ardhurave dhe marzhet e tyre të fitimit. /monitor

Burimi: Banka e Shqipërisë

Burimi: Banka e Shqipërisë

Të këshilluara

ide

Kriza jonë e trefishtë tashmë ka emër

Edi Rama është sot mishërimi, edhe pse jo shkaku i vetëm, i krizës së përfaqësimit politik. Askush më shumë se ai nuk punuar për të ndërtuar një parti dhe një sistem politik në shërbim të kryetarit dhe jo të qytetarit

09:49 Blendi Kajsiu

Si po e çon Rama vendin drejt përplasjes civile

Insistimi në dhunë, në armatosje të civilëve, në pagesa të policëve si të ishin mercenarë, vetëm paqe nuk pjell. Frika e Edi Ramës se ku do të përfundojë kur të mos jetë kryeministër nuk ka pse të bëhet makthi i Shqipërisë

15:20 Armand Shkullaku

MOTI TIRANA

13°c

KËMBIMI EURO

90.64

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI