Flash

Deputetët pranojnë se ka ‘gabime’ në nismën për Zonat e Mbrojtura

Lapsi.al 31 January 2024
Deputetët pranojnë se ka ‘gabime’ në nismën

Deputeti nismëtar i projektligjit për “Zonat e Mbrojtura”, Fadil Nasufi, pranoi të mërkurën se ka pasur gabime në formulimet e propozimeve dhe se do të kërkohet ekspertizë ligjore për ta përpunuar atë.

Deklarata e Nasufit u bë gjatë seancës së dytë të dëgjesave me përfaqësues të organizatave të Mjedisit në Komisionin për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin.

“Drafti ka gabime në aspektin e procedurës legjislative, jemi të hapur të kalojë në ekspertizë”- tha Nasufi duke shtuar se, tek propozimet e dorëzuara në Kuvend, “më shumë është dhënë koncepti i mesazhit sesa formulimi i saktë ligjor”.

“Jemi dakord të reflektojmë dhe të bëjmë gjënë e duhur”- shtoi ai.

Në seancat dëgjimore të martën dhe të mërkurën përfaqësuesit e organizatave mjedisore kundërshtuan e forcë këto ndryshime si një tentativë për t'i hapur rrugë shkatërrimit të Zonave të Mbrojtura dhe kërkuan tërheqjen e propozimeve.

Edhe kryetari i këtij komisioni, Arben Pëllumbi, pranoi se drafti që po diskutohej do të ndryshonte duke marrë parasysh, sipas tij, komentet e qeverisë dhe të organizatave.

“Do shohim çfarë produkti do kemi, duke marrë parasysh mendimin e Këshillit të Ministrave dhe propozimet tuaja”- u tha ai aktivistëve të mjedisit gjatë mbledhjes.

Por, Pëllumbi nuk dha një përgjigje të qartë për aktivistët nëse drafti final do të futet në proces të ri konsultimi me aktorët e shoqërisë civile dhe publikun.

Në seancën dëgjimore shprehën qëndrimet për projektligjin Aleksandër Trajçe drejtori i Qendrës për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror (PPNEA) dhe Olsi Nika drejtor ekzekutiv i Qendrës për Ruajtjen e Ekosistemeve Natyrore.

Trajçe u tha deputetëve se pretendimet mbi të cilat janë ngritur propozimet e tyre “janë të pasakta dhe të pavërteta”.

“Të gjitha problematikat që identifikohen si penguese zgjidhen nëpërmjet mekanizmave që ligji aktual ka”- theksoi ai, duke shtuar se, ndryshimet mund të kërkohen vetëm pasi të jetë zbatuar më mirë ligji në fuqi dhe të jenë evidentuar problematikat e tij.

Edhe Olsi Nika mbrojti qëndrimin se ligji në fuqi nuk ka nevojë për ndryshim dhe se propozimet binin në kundërshtim me qëllimin e tij.

“Arsyet e shpallura nga nismëtarët për këto ndryshime janë arsye që ligji nuk i ka anashkaluar”- tha ai. Sipas tij, formulimet e neneve të projektligjit binin në kundërshtim me njëri-tjetrin dhe se drafti do të duhej të kalonte në një proces të gjerë konsultimi me teknicienët e fushës.

Projektligji është kundërshtuar dhe nga opozita dhe deputetja Jorida Tabaku, me anë të një letre drejtuar institucioneve të Bashkimit Europian e quan urgjente ndërhyrjen e tyre për ta ndaluar tentativën ligjore të shumicës parlamentare.

“Propozimet për amendimin e ligjit të zonave të mbrojtura bien në kundërshti me Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit dhe Progres-raportin e Komisionit Europian”- shkruajti ajo në platformën X, ku bëri publike letrat drejtuar komisionerëve të KE-së për Zgjerimin dhe Mjedisin dhe komitetit të jashtëm në Parlamentin Europian.

“Komisioni posedon ekspertizën dhe ndikimin e nevojshëm për të trajtuar dhe kontribuar në mënyrë efektive drejt zgjidhjes së kësaj çështjeje urgjente”- shkruan Tabaku duke e cilësuar nismën një hap pas në përpjekjet e vendit për integrimin.

Nisma u depozitua në nëntor në Kuvend nga një grup deputetësh socialistë 3 javë pasi 16 kryebashkiakë të PS-së i kërkuan Kuvendit që ligji t'u jepte atyre mundës të merrnin pjesë në administrimin e këtyre zonave në territoret e bashkive të tyre.

Por, ndryshimet e reja përveç dhëniës në administrim të 20 përqind të territorit për bashkitë, parashikojnë lejimin e investimeve dhe aktivitetit industrial në Zonat e Mbrojtura natyrore duke ulur nivelin e mbrojtjes së tyre./BIRN

Të këshilluara

ide

Krimi i organizuar financon kullat e kryeministrit jo protestën ndaj tyre

Krimi i organizuar është tejet i lumtur me modelin zhvillimor të kullave dhe rezorteve elitare të Ramës, sepse aty pastron paranë. Ndaj protesta qytetare kundër këtij modeli përbën një kërcënim real për të fortët, trafikantët e drogës, dhe krimin e organizuar që pastron para dhe legalizon tokat e grabitura tek projektet e rezorteve elitare të Ramës

10:14 Blendi Kajsiu

Si po e çon Rama vendin drejt përplasjes civile

Insistimi në dhunë, në armatosje të civilëve, në pagesa të policëve si të ishin mercenarë, vetëm paqe nuk pjell. Frika e Edi Ramës se ku do të përfundojë kur të mos jetë kryeministër nuk ka pse të bëhet makthi i Shqipërisë

15:20 Armand Shkullaku

MOTI TIRANA

13°c

KËMBIMI EURO

90.74

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI