Flash

Rotacion në Maqedoninë e Veriut/ Opozita fiton bindshëm zgjedhjet e dyfishta

Lapsi.al 8 May 2024
Rotacion në Maqedoninë e Veriut/ Opozita fiton bindshëm zgjedhjet

Partia maqedonase, VMRO-DPMNE duket se ka marrë një fitore të thellë në zgjedhjet e dyfishta, presidenciale dhe parlamentare, sipas rezultateve paraprake të publikuara në faqen zyrtare të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve.

Nga rreth 80% e kutive të hapura, VMRO po udhëheq me 42.75% të votave. Në vend të dytë është renditur Fronti Evropian që udhëhiqet nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) i Ali Ahmetit me 14.42% të votave ndërsa në vend të tretë ka zbritur koalicioni i udhëhequr nga Lidhja Social Demokrate, LSDM që aktualisht është në pushtet, por që ka vetëm 14.67% të votave.

Koalicioni VLEN i partive opozitare shqiptare është i katërti me 11.38% të votave. Pas daljes së këtyre rezultateve LSDM në pushtet tha se do të pranonte verdiktin e popullit.

“Zgjedhjet ishin të ndershme dhe demokratike. Qytetarët thanë qartë zgjedhjen e tyre. Falënderojmë qytetarët që votuan në mënyrë të kulturuar dhe demokratike dhe institucionet për korrektësi dhe rend. Rezultati i sovranit do të pranohet”, - deklaroi zëdhënësja e LSDM-së. Ajo shigjetoi edhe BDI-në që bojkotoi zgjedhjet presidenciale. "Secila parti duhet t’i përgjigjet vetes dhe qytetarëve për veprimet e saj në zgjedhje”, - tha zëdhënësja Bogdanka Kuzeska.

Ndërsa në selinë e VMRO-DPMNE-së janë të bindur se do të marrin mbi 61 deputetë duke e bërë të vetëm qeverinë pa pasur nevojë për koalicion me votat e shqiptarëve. Sipas një projeksioni paraprak (shih më poshtë) kjo forcë ka 59 deputetë. "Fronti Evropian" ka 19 deputetë ndërsa LSDM e ndjek me 18 deputetë dhe VLEN me 13 deputetë.   

Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, dalja në zgjedhjet parlamentare ishte 53.41%. Qytetarët votuan për 17 parti dhe koalicione të cilat garonin për deputetë të Parlamentit të ri prej 120 ulësesh.

VMRO DPMNE është duke fituar bindshëm edhe zgjedhjet për presidentin e ri. Sipas rezultateve të 84.18% të kutive të numëruara, kandidatja e opozitës maqedonase Gordana Siljanovska Davkova ka 64.84% të votave ndërsa presidenti aktual Stevo Pendarovski i LSDM-së nuk ka shkuar më shumë se 29.29% të votave.

Pas shpalljes së këtyre rezultateve Perndarovski pranoi humbjen dhe përgëzoi Siljanovskën, por edhe VMRO-DPMNE-në për fitoren dhe u uroi punë të suksesshme.

Dalja në rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale ishte 46.31%, që nënkupton se është arritur pragu i nevojshëm prej 40% që votimet të konsiderohen të suksesshme. Ra në sy që në zonat me popullsi shqiptare u bojkotua votimi për presidentin e vendit. VMRO DPMNE-ja tha pas daljes së rezultateve se “dështoi skenari i Bashkimit Demokratik për Integrim [BDI] për dështimin e zgjedhjeve presidenciale”.

Timço Musunski nga VMRO-ja tha “fituese e zgjedhjeve është VMRO DPMNE-ja ndërsa BDI-ja do të shkojë në opozitë”. Zëdhënësi i shtabit zgjedhor të Bashkimit Demokratik për Integrim, Arbër Ademi, tha se procesi zgjedhor ka qenë demokratik dhe se fitues i zgjedhjes është Fronti Evropian që udhëhiqej nga BDI-ja.

Procesi zgjedhor u zhvillua në 3480 vendvotime, ndërsa mbarëvajtja e tyre u monitorua nga 1300 vëzhgues vendorë dhe 860 të huaj. Këto ishin zgjedhjet e para të dyfishta që u mbajtën në Maqedoninë e Veriut që nga vendosja e demokracisë në vitet ‘90. ©LAPSI.al

Të këshilluara

ide

Jo dhunës, po organizimit!

Ajo që i duhet protestës sociale sot, më shumë se dhuna, është organizmi i një fronti të gjerë anti-sistem që bën bashkë përfaqësues të grupimeve të ndryshme sociale që emërues të përbashkët kanë pakënaqësinë me funksionimin e regjimit aktual politik dhe ekonomik. Ky front, që mund të quhet Fronti Flamingove, duhet të ketë përfaqësues nga studentët, pedagogët, ambientalistët, shoqëria civile, partitë e reja politike siç është Lëvizja Bashkë, punëtorët, fermerët dhe përfaqësues të komuniteteve të cilave po u grabiten tokat nëpërmjet modeleve të turizmit elitar

15:10 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

11°c

KËMBIMI EURO

90.83

aktuale

Zbulohen prapaskenat pse u rritën papritmas taksat, biznesi paralajmëron eksod në rajon

Situata politike që po kalon vendi pas protestave të studentëve vlerësohet faktori kryesor që ka detyruar qeverinë të propozojë ndryshime të papritura të taksave, përfshirë uljen e TVSH-së në 6% të produkteve të shportës ushqimore dhe rritjen për biznesin. Në mbledhjen e Këshillit Tatimor përfaqësuesi i qeverisë pranoi se propozimet për ulje të TVSH-së për […]

06:57
Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI