Flash

Presidenti i Azerbajxhanit: Nafta dhe gazi janë dhuratë prej Zotit

Lapsi.al 12 November 2024
Presidenti i Azerbajxhanit: Nafta dhe gazi janë dhuratë prej Zotit

Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, shteti i të cilit është nikoqir i Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Klimën (COP29), ka thënë të martën se nafta, gazi dhe burimet tjera natyrore janë “dhuratë prej Zotit”.

Teksa ka tentuar të mbrojë vendin e tij kundër atyre që i ka cilësuar “lajme të rreme” dhe “fushatë e koordinuar mirë e sulmeve dhe shpifjeve”, Aliyev ka thënë se kombet nuk duhet të gjykohen për burimet e tyre natyrore dhe mënyrën e përdorimit të tyre.

“Më citoni kur them se kjo është dhuratë prej Zotit, dhe dua ta përsëris këtë sot para audiencës”, u ka thënë ai delegatëve përgjatë konferencës që po mbahet në Baku.

“Nafta, gazi, era, dielli, ari, argjendi, bakri, të gjitha… janë burime natyrore dhe shtetet nuk duhet të fajësohen pse i kanë, dhe nuk duhet të fajësohen për nxjerrjen e këtyre burimeve në treg, sepse tregu ka nevojë për to”.

“Njerëzit kanë nevojë për to”.

Azerbajxhani ka rezerva të naftës ekuivalente me shtatë miliardë fuçi, dhe është një prej vendeve të para në botë që ka nisur të merret me prodhim komercial të naftës. Prej pavarësimit nga Bashkimi Sovjetik më 1991, Azerbajxhani ka prodhuar 1.05 miliard tonë të naftës dhe pritet të rrisë prodhimin e gazit natyror edhe më tepër në dekadën e ardhshme.

Të hyrat prej prodhimit të naftës dhe gazit përbëjnë 35 për qind të ekonomisë shtetërore. Rreth 75 për qind e eksporteve të energjisë prej këtij shteti shkojnë në tregjet evropiane. Më 2022, Komisioni Evropian e ka nënshkruar një marrëveshje me Bakunë për t'i dyfishuar importet e gazit nga ky shtet, me qëllim të uljes së varësisë ndaj gazit rus – marrëveshje që Aliyev e ka përkrahur gjatë fjalimit të tij.

“Nuk ka qenë ide nga ana jonë. Na kanë kërkuar ndihmë, u kemi thënë mirë, do t’i ndihmojnë Evropës në siguri energjetike”.

Aliyev dhe shteti i tij kritikohen vazhdimisht për historikun e respektimit të të drejtave të njeriut dhe shkeljeve të shumta në fushën e lirisë së shprehjes, dhe disa organizata kanë thënë se përmes organizimit të ngjarjes kryesore për klimën, po mëton të përmirësojë imazhin shtetëror./ REL

Të këshilluara

ide

Revolta si shpresa e fundit

Revolta studentore dhe e të rinjëve përgjatë javës së fundit në Shqipëri, përveç që shpërfaqi dhu...

11:19 Agon Hamza

Krimi i organizuar financon kullat e kryeministrit jo protestën ndaj tyre

Krimi i organizuar është tejet i lumtur me modelin zhvillimor të kullave dhe rezorteve elitare të Ramës, sepse aty pastron paranë. Ndaj protesta qytetare kundër këtij modeli përbën një kërcënim real për të fortët, trafikantët e drogës, dhe krimin e organizuar që pastron para dhe legalizon tokat e grabitura tek projektet e rezorteve elitare të Ramës

10:14 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

13°c

KËMBIMI EURO

90.74

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI