Flash

Trump pret në rezidencë kryeministrin kanadez: Diskutuam mbi kufirin dhe tregtinë

Lapsi.al 30 November 2024
Trump pret në rezidencë kryeministrin kanadez: Diskutuam mbi kufirin

Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara Donald Trump tha të shtunën se kishte patur një takim “shumë produktiv” me kryeministrin kanadez Justin Trudeau, në të cilin diskutuan çështje të lidhura me kufirin dhe tema të tjera, përfshirë tregtinë, energjinë dhe Arktikun.

“Diskutuam shumë tema të rëndësishme për të cilat do të duhet që të dyja vendet të punojnë së bashku për t’i trajtuar, si kriza e fentanilit dhe e drogës, që ka shkatërruar kaq shumë jetë si rezultat i emigracionit të paligjshëm, marrëveshjet e tregtisë së drejtë që nuk do të rrezikojnë punëtorët amerikanë, si dhe deficitin masiv tregtar që Shtetet e Bashkuara kanë me Kanadanë”, tha Presidenti i zgjedhur Trump në një postim në rrjetin Truth Social.

“Kryeministri Trudeau u angazhua për të punuar me ne për t’i dhënë fund këtij shkatërrimi të tmerrshëm të familjeve amerikane”, shtoi ai.

Kryeministri kanadez Justin Trudeau udhëtoi me avion drejt Floridas të premten, për një darkë me Presidentin e zgjedhur Donald Trump në klubin e tij Mar-a-Lago, pasi zoti Trump kërcënoi se do të vendoste tarifa masive ndaj produkteve kanadeze. Presidenti i zgjedhur Trump kërcënoi se do të vendosë tarifa për produktet nga Kanadaja dhe Meksika, nëse këto dy vende nuk ndalin atë që ai e quajti fluksin e drogës dhe emigrantëve nëpërmjet kufijve të tyre. Ai tha se do të vendoste një taksë 25% për të gjitha produktet që hyjnë në Shtetet e Bashkuara nga Kanadaja dhe Meksika, si një nga urdhrat e tij të parë ekzekutivë.

Një person i njohur me detajet e quajti një “darkë pozitive të zgjeruar, që zgjati tre orë”. Zyrtari, i cili nuk ishte i autorizuar të fliste publikisht dhe foli për agjencinë e lajmeve Associated Press në kushte anonimiteti, tha se temat përfshinin tregtinë, sigurinë kufitare, fentanilin, mbrojtjen, Ukrainën, NATO-n, Kinën dhe naftësjellësat, si dhe takimin e G7-ës në Kanada vitin e ardhshëm.

Megjithëse gjatë mandatit të tij të parë, Presidenti Trump e quajti Kryeministrin Trudeau “të dobët” dhe “të pandershëm”, lidhjet mes dy vendeve kanë mbetur ndër më të afërtat në botë. Kryeministri kanadez Trudeau bëhet kështu udhëheqësi i parë nga vendet e G7-ës që viziton Presidentin e zgjedhur Donald Trump, pas fitores në zgjedhjet e 5 nëntorit.

Së bashku me Presidentin e zgjedhur Trump dhe Kryeministrin Trudeau në darkë merrnin pjesë edhe Howard Lutnick, i emëruari i Presidentit të zgjedhur Trump për sekretar të tregtisë; guvernatori i Dakotës së Veriut Doug Burgum, i përzgjedhur për të drejtuar Departamentin e Brendshëm; Mike Waltz, i përzgjedhur për detyrën e këshilltarit për sigurinë kombëtare; si dhe bashkëshortet e tyre.

Gjithashtu në darkë ishin David McCormick, senatori i sapozgjedhur nga Pensilvania, dhe bashkëshortja e tij, Dina Powell, ish-zëvendës këshilltare për sigurinë kombëtare në administratën e parë Trump, si dhe ministri kanadez i sigurisë publike Dominic LeBlanc, në portofolin e të cilit përfshihet edhe siguria kufitare, si dhe Katie Telford, shefe e kabinetit të Kryeministrit Trudeau.

Zoti McCormick postoi një foto në rrjetin X të grupit të ulur në një tryezë të rrumbullakët në oborrin e Mar-a-Lagos.

Ekipi i tranzicioni i Presidentit të zgjedhur Trump nuk iu përgjigj pyetjeve rreth çështjeve që ishin diskutuar, ose nëse biseda zbuti shqetësimet e presidentit të zgjedhur për kufirin./ VOA

Të këshilluara

ide

Krimi i organizuar financon kullat e kryeministrit jo protestën ndaj tyre

Krimi i organizuar është tejet i lumtur me modelin zhvillimor të kullave dhe rezorteve elitare të Ramës, sepse aty pastron paranë. Ndaj protesta qytetare kundër këtij modeli përbën një kërcënim real për të fortët, trafikantët e drogës, dhe krimin e organizuar që pastron para dhe legalizon tokat e grabitura tek projektet e rezorteve elitare të Ramës

10:14 Blendi Kajsiu

Si po e çon Rama vendin drejt përplasjes civile

Insistimi në dhunë, në armatosje të civilëve, në pagesa të policëve si të ishin mercenarë, vetëm paqe nuk pjell. Frika e Edi Ramës se ku do të përfundojë kur të mos jetë kryeministër nuk ka pse të bëhet makthi i Shqipërisë

15:20 Armand Shkullaku

MOTI TIRANA

21°c

KËMBIMI EURO

90.74

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI