Flash

Lista Serbe paralajmëron se do të ankimojë vendimin e KQZ-së

Lapsi.al 24 December 2024
Lista Serbe paralajmëron se do të ankimojë vendimin e KQZ-së

Lista Serbe subjekti kryesor i serbëve të Kosovës, tha të martën se do të ankohet në Panelin për Ankesa pas vendimit të një dite më parë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili nuk e certifikoi këtë subjekt për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

Zyrtarë të Listës Serbe thanë sot gjatë një konference shtypi se do të shfrytëzojnë të gjitha mjetet politike dhe demokratike për të përmbysur vendimin.

“Gjatë ditës do të paraqesim ankesë në Panelin Zgjedhor dhe pres një vendim të qartë prej tyre për ta refuzuar këtë vendim të pakuptimtë, kundër serbëve dhe jodemokratik të (Albin) Kurtit”, tha kryetari i Listës Serbe, Zlatan Elek.

Ai tha se vendimi nuk ka bazë ligjore dhe është dëshmi se sa shumë dëshiron që Albin Kurti të eliminojë serbët nga këto treva.

“Jemi të vetëdijshëm për të gjitha keqbërjet që përdorë Albin Kurti ndaj Listës Serbe sepse ai e sheh listën tonë si kundërshtare serioze.

Për këtë ka iniciuar procedura kundër të gjithë udhëheqësve të Listës Serbe, por edhe drejtorëve në sistemin publik që funksionojnë në kuadër të Republikës së Serbisë, duke theksuar se po luftojmë kundër rendit kushtetues të Kosovës”, tha zoti Elek.

Të hënën dy anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve votuan për certifikimin e kësaj liste, shtatë abstenuan, ndërsa kundër votuan përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, duke theksuar se kjo parti e themeluar dhe e mbështetur nga Beogradi nuk e njeh shtetin e Kosovës.

Zyrtarë të lëvizjes Vetëvendosje thanë se Lista Serbe ka përdorur emrin jokushtetues të Kosovës dhe nuk i ka dënuar sulmet e një viti më parë në Banjskë dhe atë të muajit të kaluar në kanalin e ujësjellësit në veri.

Kryetari i Listës Serbe, Zlatak Elek tha se termi "Kosova dhe Metohia” është plotësisht i ligjshëm pasi sipas tij përfaqëson një toponim.

"Dhe në vend të rroftë Republika e Kosovës thashë rroftë Republika e Serbisë.

Ja, sot po ua them qartë se, para së gjithash, jam krenar që jam serb dhe krenar që i thashë ato fjalë. Qëndroj fort pas çdo fjale të shqiptuar në atë videoklip", tha ai.

Vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nxiti reagime të shumta të misioneve ndërkombëtare.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë shprehu siç tha shqetësimin e thellë lidhur me veprimet e disa anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të mos certifikuar kandidatët e Listës Serbe ndërsa e quajti vendim të nxitur nga kriteret e motivuara politikisht.

Misioni në Kosovë i Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë tha se e sheh me shqetësim moscertifikimin e Listës Serbe ndërsa i bëri thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të ruajë integritetin e procesit dhe të sigurojë që hapat e ardhshëm të jenë gjithëpërfshirës dhe në përputhje me parimet demokratike.

Vëzhguesit e procesit zgjedhor thonë se zyra për certifikimin e subjekteve politike ka rekomanduar certifikimin e Listës Serbe që nënkupton se ajo i ka plotësuar kriteret minimale ligjore për të qenë pjesë e zgjedhjeve.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar tashmë 27 subjekte politike, prej të cilave: 19 parti politike, 5 koalicione, 2 nisma qytetare dhe 1 kandidat i pavarur, për pjesëmarrje në zgjedhjet e 9 shkurtit. Pesë nga subjektet e certifikuara janë nga radhët e komunitetit serb./VOA

Të këshilluara

Thethi i izoluar nga dëbora

Thethi vazhdon prej 24 orësh të jetë i izoluar për turistët për shkak të reshjeve të dëborës. Gjatë pasdites së sotme, kanë qenë vetë banoret e zonës të cilë...

19:47

Aksident me vdekje në Durrës

Një aksident me pasojë vdekjen është shënuar mbrëmjen e kësaj të marte (24 dhjetor) në rrugën “Miqësia" në Durrës. Viktima, i moshës rreth 40 vjeç teksa po e...

19:31

ide

Si po e çon Rama vendin drejt përplasjes civile

Insistimi në dhunë, në armatosje të civilëve, në pagesa të policëve si të ishin mercenarë, vetëm paqe nuk pjell. Frika e Edi Ramës se ku do të përfundojë kur të mos jetë kryeministër nuk ka pse të bëhet makthi i Shqipërisë

15:20 Armand Shkullaku

Pse guri dhe molotovi u bënë të pashmangshëm

Kjo revoltë rinore ka pasur një meritë të madhe. Ajo i bëri të njohur publikut të gjërë anën më kriminale të këtij regjimi që ishte deri më tani e konservuar në skutat më të fshehta. Nëse revolucioni ekstremisht paqësor i flamingove na tregoi se kjo qeverisje nuk ishte më popullore, epilogu i tij radikal, me gurë dhe molotov po shërben për të nxjerrë në dritë të diellit se autokrati është në gjendje të përdorë çdo mjet për të qëndruar në pushte

11:37 Andi Bushati

MOTI TIRANA

18°c

KËMBIMI EURO

90.77

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI