Flash

A mundet Evropa të armatosë Ukrainën?

Lapsi.al 5 March 2025
A mundet Evropa të armatosë Ukrainën?

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump urdhëroi të hënën ndërprerjen e menjëhershme të ndihmave ushtarake për Ukrainën. Administrata Trump tha se kishte për qëllim të detyronte të gjitha palët të përkushtoheshin në bisedimet për paqe.

Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell, udhëheqësit evropianë kanë thënë se është jetike të vazhdohet me dërgesat e armëve në Kiev. Megjithatë, nuk është e qartë se për sa kohë Ukraina mund të vazhdojë të rezistojë pa ndihma.

Ndërsa doli lajmi për vendimin e Uashingtonit për ndërprerjen e ndihmave ushtarake për Kievin, sulmet ruse me dronë vazhduan mbi qytetet ukrainase.

Ligjvënësit ukrainas thonë se pasojat e vendimit të Uashingtonit do të jenë të rënda.

“Kjo do të thotë se mijëra njerëz do të vdesin”, thotë Oleksiy Goncharenko deputet ukrainas.

Në perëndim të Donetskut, afër qytetit Pokrovsk, lufta vazhdon.

“Ne përdorim një top artilerie ‘Howitzer” italian. Megjithatë, shumë municione i marrim nga Shtetet e Bashkuara. Është standard i NATO-s, i cili përdoret si në Evropë ashtu dhe në Amerikë. Por, a do të jetë tani në gjendje Evropa të na furnizojë, shpresoj se po”, thotë komandanti i njësisë së brigadës së 14-të ukrainase që përdor nofkën “Berf”.

A mund të kompensojë Evropa mungesën e ndihmës ushtarake nga Shtetet e Bashkuara?

“Ka sisteme të caktuara, si raketat ‘Patriot’, apo pjesët rezervë për tanket ‘Abrams’ që përdoren nga ukrainasit. E vetmja mënyrë që evropianët t'i sigurojnë ato është blerja në tregun e hapur. Kjo kërkon kohë”, thotë Mark Galeotti, ekspert për Rusinë nga firma ‘Mayak Intelligence’.

Megjithatë, Ukraina po prodhon gjithnjë e më shumë armë.

“Ndoshta rreth gjysmën e armëve që përdor tani, Ukraina i prodhon vetë. Pjesa tjetër sigurohet nga Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera, përfshirë evropianët”, thotë Malcolm Chalmers nga organizata “Royal United Services Institute”.

Uashingtoni ofron ndihmë jetike, si transportimin e armëve perëndimore në Ukrainë.

“Shtetet e Bashkuara luajnë rol shumë të rëndësishëm duke ofruar informacion dhe të dhëna të inteligjencës për forcat ukrainase”, thotë analisti Chalmers.

Administrata Trump thotë se ndalimi i ndihmave ushtarake është bërë, siç sqarojnë zyrtarët amerikanë, “për të ndihmuar në arritjen e një zgjidhjeje”.

“Shtetet e Bashkuara, Evropa dhe po ashtu Ukraina nuk mund ta vazhdojnë këtë luftë pa fund. Prandaj, është e rëndësishme që të gjithë të marrin pjesë në negociata”, thotë JD Vance, Nënpresident i Shteteve të Bashkuara.

Kryeministri britanik Keir Starmer tha gjatë fundjavës se ekziston një koalicion i vendeve që duan të vazhdojnë mbështetjen për Ukrainën.

“Pretendimi i Nënpresidentit Vance se shumë nga udhëheqësit evropianë i ofrojnë mbështetje Kievit publikisht, ndërsa privatisht shprehen me skepticizëm, nuk është në tërësi i pasaktë. Pyetja në këtë rast është, a do të vazhdonin këto vende të boshatisnin rezervat e tyre ushtarake dhe të zemëronin aleatin dhe garantuesin kryesor të sigurisë së vendit të tyre për të vazhduar mbështetjen për Ukrainën?”, thotë eksperti për Rusinë, Mark Galeotti.

Presidenti ukrainas Volodomyr Zelensky njoftoi administratën Trump të martën, përmes një publikimi në rrjetin social ‘X’, se Ukraina është e përkushtuar për paqe.

Për ukrainasit, që vuajnë nga sulmet ajrore ruse, ndërprerja e ndihmës amerikane është një rezultat i hidhur.

“Shpresoj që Presidenti Trump të ndryshojë mendjen. Viktima e agresionit nuk mund të jetë fajtore dhe të ndëshkohet”, thotë Viktoria, banore e Kievit.

“Ndoshta Evropa mund të ndihmojë disi. Shpresa ka mbetur vetëm tek Evropa tani, askund tjetër”, thotë Illia, banor i Kievit.

Ndërkaq, Rusia e mirëpriti vendimin e Uashingonit për ndalimin e ndihmave ushtarake për Ukrainën duke thënë se “situata duhet zgjidhur me mjete paqësore”. /VOA

Të këshilluara

ide

Kriza jonë e trefishtë tashmë ka emër

Edi Rama është sot mishërimi, edhe pse jo shkaku i vetëm, i krizës së përfaqësimit politik. Askush më shumë se ai nuk punuar për të ndërtuar një parti dhe një sistem politik në shërbim të kryetarit dhe jo të qytetarit

09:49 Blendi Kajsiu

Si po e çon Rama vendin drejt përplasjes civile

Insistimi në dhunë, në armatosje të civilëve, në pagesa të policëve si të ishin mercenarë, vetëm paqe nuk pjell. Frika e Edi Ramës se ku do të përfundojë kur të mos jetë kryeministër nuk ka pse të bëhet makthi i Shqipërisë

15:20 Armand Shkullaku

MOTI TIRANA

16°c

KËMBIMI EURO

90.74

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI