Flash

Tensionet në Bosnjë, EUFOR do të rrisë numrin e ushtarëve

Lapsi.al 8 March 2025
Tensionet në Bosnjë, EUFOR do të rrisë numrin e

Bashkimi Evropian (BE) ka thënë se do të dërgojë trupa shtesë në misionin e vet paqeruajtës në Bosnje e Hercegovinë, për shkak të rritjes së tensioneve mes qeverisë qendrore dhe liderëve të entitetit serb të Bosnjës, Republika Sërpska (RS).

Misioni i Bashkimit Evropian në Bosnje (EUFOR) tha të premten se “do ta rrisë përkohësisht” numrin e trupave paqeruajtëse në Bosnje, pa treguar saktësisht sa.

“Kjo është masë proaktive që synon ta ndihmojë Bosnje e Hercegovinën në interes të të gjithë qytetarëve”, thuhet në komunikatën e EUFOR-it.

“Ditët në vijim, publiku mund të vërejë një prani të shtuar të EUFOR-it”, tha EUFOR-i, duke theksuar se kjo veprimtari “është drejtpërdrejt e lidhur me detyrën e saj për të mbështetur autoritetet e Bosnje e Hercegovinës në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit”.

EUFOR-i ka rreth 1.500 trupa si pjesë e Batalionit Shumëkombësh me bazë në Sarajevë. Kjo forcë përfshin trupa nga Austria, Greqia, Hungaria, Italia, Moldavia, Maqedonia e Veriut, Rumania dhe Turqia.

Ky njoftim vjen pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës më 7 mars për ta ndaluar zbatimin e ligjeve të miratuara nga Kuvendi i Republikës Sërpska – entiteti serb i Bosnjës – të cilat ndalojnë punën e Gjykatës, Prokurorisë, Agjencisë Shtetërore të Hetimeve (SIPA) si dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor e Prokurorial të Bosnjës në territorin e këtij entiteti.

Gjykata i shpalli jokushtetuese këto ligje, duke i pezulluar përkohësisht, ndërsa pritet t’i ndalojë ato përfundimisht pas një shqyrtimi të plotë.

Liderët në Sarajevë dhe mbështetësit perëndimorë të Bosnjës i kanë akuzuar liderët etnikë të RS-së se po synojnë ndarjen eventuale nga Bosnja, ndonëse këta të fundit i kanë mohuar akuzat.

Disa veprime të tjera të lidhura me këtë entitet kanë përshkallëzuar tensionet në muajt e fundit.

Gjykata e Bosnjës e dënoi Millorad Dodikun, presidentin e Republikës Sërpska, me një vit burgim dhe ia ndaloi ushtrimin e detyrës së presidentit për gjashtë vjet.

Dodik, i cili ka lidhje të ngushta me Rusinë dhe i ka hedhur poshtë akuzat, është nën sanksione nga SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar për veprimet që, sipas qeverive perëndimore, synojnë ndarjen e Republikës Sërpska nga Bosnja.

Ndërkohë, BE-ja më 4 mars e dënoi miratimin e një ligji në stilin rus për “agjentët e huaj” nga Republika Sërpska, duke i akuzuar autoritetet e këtij entiteti se po minojnë “rendin kushtetues dhe ligjor të Bosnje e Hercegovinës”, sipas komenteve të dërguara për Radio Evropa e Lirë (REL).

Sekretari amerikan i Shtetit, Marko Rubio, e shtoi trysninë të shtunën ndaj Republikës Sërpska, duke i cilësuar veprimet e Dodikut si kërcënim për sigurinë dhe stabilitetin e Bosnje e Hercegovinës.

“Qeveria jonë u bën thirrje liderëve politikë në Bosnje e Hercegovinë për t’u angazhuar në dialog konstruktiv dhe të përgjegjshëm. Ne u bëjmë thirrje partnerëve tanë në rajon të bashkohen me ne për ta kundërshtuar këtë sjellje të rrezikshme dhe përshkallëzuese”, shkroi Rubio në rrjetin social X të shtunën herët.

Sistemi i qeverisjes në Bosnje e Hercegovinë – vend me rreth 3.1 milionë banorë – është ndër më të ndërlikuarit në botë.

Që nga Marrëveshja e Dejtonit për paqe, e cila u nënshkrua në vitin 1995 dhe i dha fund luftës në Bosnje, vendi përbëhet nga Federata Boshnjako-Kroate dhe Republika Sërpska e dominuar nga serbët etnikë, nën një qeveri të dobët qendrore.

Derisa Republika Sërpska mund të miratojë ligje për çështje të brendshme, ligjet dhe institucionet në nivel shtetëror mbeten mbi të gjitha, sipas kushtetutës. /REL

Të këshilluara

8 Marsi, marshim në Elbasan

Organizatat të cilat në fokus të tyre kanë të drejtat e grave e kanë kujtuar 8 Marsin me një marshim proteste në qendër të Elbasanit. Ato përcollën mesazhin ...

13:24

8 Marsi, protestë simbolike në Durrës

Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, në Durrës u organizua një marshim me fokus tek të drejtat dhe fuqizimi i grave dhe vajzave si një faktor kyç për zhvillimin e f...

14:00

ide

Si po e çon Rama vendin drejt përplasjes civile

Insistimi në dhunë, në armatosje të civilëve, në pagesa të policëve si të ishin mercenarë, vetëm paqe nuk pjell. Frika e Edi Ramës se ku do të përfundojë kur të mos jetë kryeministër nuk ka pse të bëhet makthi i Shqipërisë

15:20 Armand Shkullaku

Pse guri dhe molotovi u bënë të pashmangshëm

Kjo revoltë rinore ka pasur një meritë të madhe. Ajo i bëri të njohur publikut të gjërë anën më kriminale të këtij regjimi që ishte deri më tani e konservuar në skutat më të fshehta. Nëse revolucioni ekstremisht paqësor i flamingove na tregoi se kjo qeverisje nuk ishte më popullore, epilogu i tij radikal, me gurë dhe molotov po shërben për të nxjerrë në dritë të diellit se autokrati është në gjendje të përdorë çdo mjet për të qëndruar në pushte

11:37 Andi Bushati

MOTI TIRANA

16°c

KËMBIMI EURO

90.77

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI