Flash

Si po e çon Rama vendin drejt përplasjes civile

Insistimi në dhunë, në armatosje të civilëve, në pagesa të policëve si të ishin mercenarë, vetëm paqe nuk pjell. Frika e Edi Ramës se ku do të përfundojë kur të mos jetë kryeministër nuk ka pse të bëhet makthi i Shqipërisë

15:20 Armand Shkullaku

A do ta zëvendësojë populizmi liberal-demokracinë si modelin perëndimor

Lapsi.al 14 April 2025
A do ta zëvendësojë populizmi  liberal-demokracinë si

Në vitin 2017, Donald Trump ishte thuajse i vetmi lider populist nacionalist në Perëndim. Liberal-demokracia, e mbrojtur brenda vendit dhe e promovuar jashtë tij, ishte ende norma politike në Amerikë dhe Europë. Në atë kohë, konferenca më e rëndësishme e konservatorëve amerikanë, CPAC, pati vetëm një të ftuar të madh nga jashtë: Nigel Farage, që sapo kishte përfunduar fushatën e suksesshme për Brexit-in. Sot, tetë vite më vonë, Trump është i rrethuar nga një valë liderësh populistë: Javier Milei nga Argjentina, Giorgia Meloni nga Italia, Robert Fico nga Sllovakia, ndër të tjerë.

CPAC 2025 u shndërrua në një ngjarje globale të djathtës populiste. Por, megjithë këtë moment triumfi, mbetet pyetja thelbësore: a do të jetë ky një ndryshim i qëndrueshëm, apo thjesht një moment kalimtar?

Për konservatorët perëndimorë që kanë ëndërruar një bashkëpunim real mes nacionalistëve në të dy anët e Atlantikut, ky është një zhvillim emocionues. Nëse këta liderë e luajnë si duhet këtë lojë, mund të ndryshojnë gjuhën politike të Perëndimit, nga liberalizmi demokratik në një ideal të ri: qytetërimi perëndimor, me theks në interesin kombëtar dhe vlerat kristiane.

Por kjo mund të mos zgjasë nëse nuk adresohet një problem themelor: mungesa e jetëgjatësisë së populizmit. Ky është dimensioni i tretë i krizës që ka përballuar gjithmonë e djathta populiste: mungesë legjitimiteti, mosbesim të ndërsjellë dhe mungesë jetëgjatësie. Dy të parat tashmë janë në rrugën e zgjidhjes. E treta ende.

Le ti marrim me radhë.

Sa i përket legjitimitetit. Historikisht, lëvizjet populiste janë parë si destabilizuese. Duke sfiduar status quo-në, ato krijojnë pasiguri. Kjo është arsyeja pse valët populiste të mëparshme, si Birchers në SHBA apo Fronti Kombëtar në Francë, u shuan shpejt. Populizmi gjithashtu shpesh sillet rreth figurave individuale, gjë që e bën të vështirë institucionalizimin. Liderë si Trump ose Orbán ia dolën, por të tjerë, si Marine Le Pen, jo.

Mosbesimi transatlantik ka qenë problemi i dytë. Partitë europiane e shihnin Amerikën si arrogante dhe imperialiste. Republikanët amerikanë nuk kishin interes real për Europën dhe kjo e bëri të pamundur krijimin e një fronti të përbashkët.

Ndërsa sfida që populizmi ende nuk ka zgjidhur është zgjatja në kohë e tij. Edhe kur populistët fituan zgjedhje, nuk arritën ta bëjnë doktrinën e tyre “normë” në politikë. Populizmi tani duhet të kalojë nga momenti i suksesit në një pozicion të qëndrueshëm hegjemonik.

Gjerat vitet e fundit kanë lëvizur disi. Në fillim të viteve 2020, u shfaqën lidhje më të qëndrueshme të kësaj rryme politike. Viktor Orbon formoi grupin “Patriotët e Europës”, që sot është i treti më i madh në Parlamentin Europian. Ky grup partish të djathta bashkëpunuan për rezoluta mbi muret kufitare dhe qendrat e përpunimit të emigrantëve.

Trump, nga ana tjetër, forcoi lidhjet me liderë si Orban, Duda dhe Meloni. Të rinjtë konservatorë ndërlidhën përpjekjet përmes programeve si “Matthias Corvinus Collegium” në Hungari dhe eventeve “NatCon” në të dy kontinentet.

Kjo lidhje transatlantike ndihmoi në legjitimimin e lëvizjeve përkatëse. Trump nuk shihej më si një i izoluar pa miq ndërkombëtarë. Fakti që CPAC 2025 kishte liderë të fuqishëm nga e gjithë bota është tregues i këtij realiteti të ri.

Edhe ndihma institucionale amerikane ndryshoi. Trump mbylli programet e USAID në vende si Hungaria, që kishin për qëllim mbështetjen e shoqërisë civile “anti-Orban”.

Por për të zgjatur më shumë se një cikël elektoral, populistët duhet të bëjnë diçka që asnjë valë më parë nuk ka arritur: të zëvendësojnë liberal-demokracinë si ideologjia bazë e Perëndimit. Kjo është e vështirë, sepse liberal-demokracia është ruajtur dhe eksportuar përmes ndihmave, propagandës dhe madje edhe luftërave (si në Irak dhe Afganistan).

Për të zëvendësuar këtë sistem, populistët duhet të ofrojnë një ideal konkurrues: Qytetërimin Perëndimor.

Qytetërimi Perëndimor ofron një narrativë të përbashkët për qytetarët amerikanë dhe europianë: filozofia greke, ligji romak dhe vlerat kristiane. Meloni e shprehu qartë këtë në CPAC 2025, duke thënë se Perëndimi “nuk është thjesht një hapësirë gjeografike, por një qytetërim”. 

Trump, gjithashtu, në një fjalim të vitit 2017 në Poloni, e artikuloi këtë qasje: “Pyetja themelore e kohës sonë është nëse Perëndimi ka vullnetin për të mbijetuar.” 

Gjatë dekadave të fundit, kjo ide u zëvendësua nga koncepti i “komunitetit global”. Por në një botë multipolare, ku Kina dhe Rusia sfidojnë Perëndimin, identiteti i qytetërimeve ofron qëndrueshmëri morale dhe strategjike.

Nëse Perëndimi bashkohet rreth këtij identiteti, krijohet një bllok që mund të rivalizojë Kinën dhe Rusinë. Për Amerikën, kjo nënkupton që Europa të veprojë si gardian ndaj Rusisë, ndërkohë që SHBA fokusohet në Azinë Lindore.

Por Europa ende ngurron të rrisë shpenzimet ushtarake. Vetëm një ndjenjë e përbashkët qytetërimi mund ta ndryshojë këtë.

Liberal-demokratët mbijetuan dhe ruajtën ndikimin edhe kur humbnin pushtetin përmes rrjeteve të mbështetura nga figura si George Soros. Ai krijoi fondacione, universitete dhe organizata që shtriheshin në të gjithë Perëndimin.

Populistët e djathtë kanë nevojë për të njëjtën gjë. Personalitete si Elon Musk mund të krijojnë institucione të qëndrueshme që mbrojnë dhe zhvillojnë vizionin e qytetërimit perëndimor, edhe në kohë disfatash elektorale.

Në fund të ditës, populistët nuk duhet të mbështeten vetëm te figura si Trump. Ata duhet të ngrihen mbi liderët dhe vendet, për të ndërtuar një vizion ideologjik për një qytetërim të përbashkët. Ky vizion do të edukojë brezat e ardhshëm me ndjenjën e përkatësisë ndaj një qytetërimi të lashtë e të lavdishëm, një qytetërim që ia vlen të mbrohet.

Vetëm kështu populizmi perëndimor mund të jetë më shumë se një moment. Mund të bëhet norma e re.

/Anthony J. Constantini, Politico. Përshtatur në shqip nga ©LAPSI.AL 

Të këshilluara

ide

Si po e çon Rama vendin drejt përplasjes civile

Insistimi në dhunë, në armatosje të civilëve, në pagesa të policëve si të ishin mercenarë, vetëm paqe nuk pjell. Frika e Edi Ramës se ku do të përfundojë kur të mos jetë kryeministër nuk ka pse të bëhet makthi i Shqipërisë

15:20 Armand Shkullaku

Pse guri dhe molotovi u bënë të pashmangshëm

Kjo revoltë rinore ka pasur një meritë të madhe. Ajo i bëri të njohur publikut të gjërë anën më kriminale të këtij regjimi që ishte deri më tani e konservuar në skutat më të fshehta. Nëse revolucioni ekstremisht paqësor i flamingove na tregoi se kjo qeverisje nuk ishte më popullore, epilogu i tij radikal, me gurë dhe molotov po shërben për të nxjerrë në dritë të diellit se autokrati është në gjendje të përdorë çdo mjet për të qëndruar në pushte

11:37 Andi Bushati

MOTI TIRANA

17°c

KËMBIMI EURO

91.10

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI