Flash

Incidente, invazion fushe e poker portugez: Shqipëria e nis keq Europianin U-17

Lapsi.al 19 May 2025
Incidente, invazion fushe e poker portugez: Shqipëria e nis keq Europianin
Kampionati Europian për moshat U-17, që për herë të parë organizohet në Shqipëri, nisi me një humbje të thellë për kuqezinjtë. Në sfidën hapëse të zhvilluar në “Arena Kombëtare”, përfaqësuesja e Shqipërisë u mposht me rezultatin 0-4 nga Portugalia, një prej pretendenteve kryesore për trofeun. Shqipëria rezistoi mirë për rreth 35 minuta, por goli i Quintas për portugezët në minutën e 36’ zhbllokoi ndeshjen. Me kalimin e minutave, loja e kuqezinjve ra ndjeshëm dhe hapësirat e lëna në pjesën e dytë u shfrytëzuan nga kundërshtari.

Gabime që u ndëshkuan shpejt në pjesën e dytë

Shqipëria tentoi të dalë përpara në pjesën e dytë për të kërkuar barazimin, por kjo solli disbalanca në prapavijë. Në minutën e 68-të Portugalia fitoi një penallti dhe dyfishoi rezultatin, duke marrë nën kontroll totalin e lojës. Në fundin e ndeshjes, dy gola të tjerë – të shënuar nga Manuel dhe Soares – vulosën fitoren bindëse të portugezëve. Kuqezinjtë, ndonëse të përpjekur, nuk arritën të ishin konkretë në sulm dhe prodhuan shumë pak raste të rrezikshme.

Rasti më i mirë për kuqezinjtë, traversa e Kullës

Shqipëria pati një mundësi të artë për të shënuar golin e nderit në minutën e 75’. Pas një aksioni të bukur me disa kombinime, Gabriel Kulla u gjend në pozicion të favorshëm brenda zonës. Portieri portugez ishte i mposhtur, por topi përfundoi në traversë dhe shpresat për një gol u shuan aty. Ky ishte momenti më i mirë për Shqipërinë në një sfidë ku dominimi i kundërshtarit ishte i dukshëm.

Reagimi i trajnerit Tedesco: “Nuk fituam duelet, humbëm përqendrimin”

Pas përfundimit të sfidës, trajneri i kombëtares U-17, Andrea Tedesco, analizoi humbjen me tone realiste dhe kritike: “Sinqerisht, kjo nuk ishte ndeshja jonë më e mirë nga pikëpamja e dueleve fizike – nuk fituam shumë dhe humbëm topin e dytë shumë shpesh. Por deri në minutën e 65-70 ishim ende në lojë dhe mendoja se do të arrinim të reagonim,” deklaroi italiani. Ai theksoi se i kishte kërkuar lojtarëve të bënin gjëra të thjeshta në mënyrë perfekte: “Nëse nuk bën mirë gjërat e vogla, nuk mund të përballesh me skuadra të tilla. Ndeshjet ndërkombëtare janë kështu: kërkojnë përqendrim maksimal dhe gatishmëri për të luftuar për çdo top.”

Incidente në ndeshje: shishe nga tifozët dhe hyrje në fushë

Ndeshja e pare e Europianit Shqipëri 2025 u shoqërua me dy episode të pakëndshme. Pas golit të dytë të Portugalisë, lojtarët e kësaj skuadre festuan pranë sektorit të tifozëve shqiptarë, çka provokoi reagimin e disa fëmijëve që hodhën shishe uji në fushë. Policia ndërhyri menjëherë dhe situata u qetësua pa incidente të mëtejshme. Ndërkohë, në minutën e 90’, një tifoz i vogël arriti t’i shpëtonte sigurisë dhe hyri në fushë për të takuar portierin kuqezi Rafaele Huli. 16-vjeçari që luan me Juventusin U-17 u përshëndet me tifozin, ndërsa arbitri ndaloi për pak çaste ndeshjen.

Kalendari: përballje me dy gjigantë të Europës

Pas kësaj humbjeje, Shqipëria do të zhvendoset në Elbasan për dy sfidat e mbetura në grup. Më 22 maj kuqezinjtë do të përballen me Gjermaninë, ndërsa më 25 maj do të luajnë ndaj Francës – dy kundërshtarë të nivelit më të lartë në turne. Kjo është pjesëmarrja e parë në historinë e Shqipërisë në një Europian U-17 dhe ndonëse organizatorët kanë bërë një punë të lavdërueshme, niveli i konkurrencës kërkon më shumë përgatitje e përqendrim nga ekipi në fushë.

Të këshilluara

ide

Shembja e Vuçiçit, manual përdorimi për ne në Tiranë

Serbia përbën shembullin tipik për të treguar se këto lloj pushtetesh nuk mund të mposhten me rrugë normale, se metoda për tu ndeshur me të nuk është rendja pas zgjedhjeve, si demi pas cohës së kuqe, por gryerja, dobësimi, delegjitimimi dhe legenosja e tyre, përmes metodash që në pjesën më të madhe konsiderohen si të paligjshme ose të dhunshme nga kasta në fuqi

11:11 Andi Bushati

Revolta si shpresa e fundit

Revolta studentore dhe e të rinjëve përgjatë javës së fundit në Shqipëri, përveç që shpërfaqi dhu...

11:19 Agon Hamza

MOTI TIRANA

18°c

KËMBIMI EURO

90.77

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI