Flash

Zgjedhje në dy komuna të vogla, test për pushtetin e Vuçiç

Lapsi.al 7 June 2025
Zgjedhje në dy komuna të vogla, test për pushtetin e

Zgjedhjet lokale të 8 qershorit në Kosjeriç dhe Zajeçar -komuna në perëndim dhe në lindje të Serbisë - pritet të jenë testi i parë elektoral për pushtetin dhe opozitën në Serbi, që nga shpërthimi i protestave studentore pas rrëzimit të një strehe në stacionin hekurudhor në Novi Sad, më 1 nëntor të vitit të kaluar.

Në të dyja këto komuna, prej vitesh, është në pushtet Partia Përparimtare Serbe (SNS), e themeluar nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiç.

Për këtë arsye, edhe pse janë komuna me pak banorë, ato janë kthyer në një temë të rëndësishme javëve të fundit dhe në destinacione të domosdoshme vizitash për zyrtarët e lartë shtetërorë, përfshirë edhe vetë Vuçiçin.

Kosjeriqi ka rreth 10 mijë banorë, ndërsa Zajeçari afër 48 mijë.

“Për herë të parë do të shohim nëse rënia e SNS-së, që e kemi konstatuar në disa sondazhe dhe që reflektohet qartë edhe në atmosferën shoqërore, do të përkthehet në rezultat konkret”, vlerëson për Radion Evropa e Lirë politikologu Dejan Bursaq, nga Instituti për Studime Politike i Fakultetit të Shkencave Politike në Beograd.

SNS-ja, që udhëheq qeverinë dhe drejton Kosjeriçin e Zajeçarin prej më shumë se një dekade, do të përpiqet ta ruajë epërsinë në zgjedhjet lokale të 8 qershorit në këto komuna.

Zgjedhjet konsiderohen si testi i parë për mbështetjen që gëzon SNS-ja pas muajve të krizës politike, të shoqëruar me protestat e studentëve dhe bllokimin e fakulteteve nga ana e tyre.

Në Kosjeriç, opozita iu përgjigj thirrjes së studentëve vendas, hoqi simbolet partiake dhe dorëzoi një listë të përbashkët qytetare. Studentët protestues e mbështetën këtë nismë, duke kërkuar që qytetarët të votojnë të bashkuar.

Në anën tjetër, udhëheqësi i Partisë Socialiste të Serbisë, Ivica Daçiq - partia e të cilit është partnere e SNS-së në qeveri - gjatë një vizite në Kosjeriq më 1 qershor, u bëri thirrje votuesve të përkrahin listën e përbashkët të koalicionit.

Për dallim nga Kosjeriqi, në Zajeçar, opozita nuk arriti marrëveshje për daljen e përbashkët në zgjedhje.

Bursaç thotë se marrëveshja opozitë-studentë në Kosjeriq mund të shërbejë si model për organizim të ngjashëm në nivel kombëtar, nëse pushteti pranon kërkesën e studentëve për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

“Në nivel lokal është më e lehtë, sepse komunitetet janë të vogla dhe njerëzit njihen mes vete dhe financimi i partive nuk vjen zakonisht nga niveli lokal. Por, kjo është një zgjedhje që opozita duhet ta bëjë. Mendoj se edhe ata e dinë se, nëse qëllim i tyre është rrëzimi i regjimit të Vuçiçit, atëherë ndoshta duhet t’i sakrifikojnë interesat partiake”, thotë Bursaç.

Më 5 maj, studentët protestues kërkuan shpalljen e zgjedhjeve parlamentare.

Ata thanë se kanë vendosur për këtë hap, sepse “pushteti nuk është duke ndërmarrë asnjë iniciativë” për përmbushjen e kërkesave të tyre.

Për këtë kërkesë, ata morën edhe mbështetjen e shumicës së partive dhe lëvizjeve opozitare.

Nëse zgjedhjet shpallen, studentët protestues thanë se nuk do të paraqesin listë kandidatësh për deputetë, por do t’i japin mbështetjen e tyre një liste, për të cilën besojnë se do të mund të formonte një qeveri që do t’i plotësonte kërkesat e tyre.

Megjithatë, në disa emisione, ata theksuan se në listën që do të mbështesnin, nuk do të kishte përfaqësues të opozitës aktuale.

Duke iu përgjigjur kërkesës për shpalljen e zgjedhjeve të reja, Vuçiq tha se do të veprojë në përputhje me nevojat e vendit dhe popullit dhe se, në bazë të tyre, do t’i marrë vendimet./ REL

Të këshilluara

Gjendet një person i pajetë në kryeqytet

Një person është gjetur pa shenja jete në rrugën “Njazi Meka” në Tiranë. Dyshohet se viktima, rreth 60-vjeç, është endacak dhe se ka ndërruar jetë për shkaqe na...

15:11

ide

Jo dhunës, po organizimit!

Ajo që i duhet protestës sociale sot, më shumë se dhuna, është organizmi i një fronti të gjerë anti-sistem që bën bashkë përfaqësues të grupimeve të ndryshme sociale që emërues të përbashkët kanë pakënaqësinë me funksionimin e regjimit aktual politik dhe ekonomik. Ky front, që mund të quhet Fronti Flamingove, duhet të ketë përfaqësues nga studentët, pedagogët, ambientalistët, shoqëria civile, partitë e reja politike siç është Lëvizja Bashkë, punëtorët, fermerët dhe përfaqësues të komuniteteve të cilave po u grabiten tokat nëpërmjet modeleve të turizmit elitar

15:10 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

17°c

KËMBIMI EURO

90.83

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Analiza/ Pse Perëndimi mbyll sytë për cenimin e demokracisë në Shqipërinë e Ramës

Në këmbim të besueshmërisë gjeopolitike, bashkëpunimit për emigrantët dhe kontrollit të kufijve, kryeqytetet perëndimore kanë toleruar centralizimin e pushtetit nga kryeministri. “Revolucioni Flamingo” ka vënë në pikëpyetje një pakt që rrezikon të nxisë pikërisht paqëndrueshmërinë që supozohej të parandalonte.

21:01 Gianluca Eramo

Me sytë katër

PAPARAZZI