Flash

Dodik paraqitet vetë në prokurori

Lapsi.al 5 July 2025
Dodik paraqitet vetë në prokurori

Lideri i serbëve të Bosnje e Hercegovinës, Millorad Dodik, e ka shmangur vuajtjen e paraburgimit, pasi të premten u paraqit vullnetarisht në Prokurorinë e Bosnjës për t’u marrë në pyetje si i dyshuar për sulm ndaj rendit kushtetues.

Prokuroria e Bosnjës njoftoi se Dodik u mor në pyetje në prani të avokatit të vet mbrojtës.

Muaj më parë, Gjykata e Bosnjës kishte lëshuar fletarrestim kombëtar për Dodikun dhe kishte urdhëruar një muaj paraburgim për të, por ai nuk u kap asnjëherë nga autoritetet.

Gjatë një seance të premten, gjykata e pranoi kërkesën e prokurorëve për ta shfuqizuar masën e paraburgimit për Dodikun, duke thënë se arsyet e mëparshme për paraburgosjen e tij nuk vlenin më.

Gjykata urdhëroi që Dodiku të paraqitet detyrimisht para autoriteteve të drejtësisë kohë pas kohe.

Urdhri për paraqitje të detyrueshme mund të zgjasë për aq kohë sa të jetë e nevojshme, ose deri në një vendim të ri të gjykatës, thuhet në njoftim.

“I dyshuari është paralajmëruar posaçërisht se mund të caktohet masa e paraburgimit nëse shkel detyrimet nga masat ndaluese”, thuhet në një njoftim të përbashkët të Gjykatës dhe Prokurorisë së Bosnje e Hercegovinës.

Në shkurt, Gjykata e shkallës së parë e Bosnjës e dënoi Dodikun me një vit burgim dhe ia ndaloi ushtrimin e detyrës së presidentit të Republikës Sërpska për gjashtë vjet.

Dodik u shpall fajtor për mosrespektim të vendimeve të përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar, Christian Schmidt, dhe për nënshkrimin e dekreteve për zbatimin e ligjeve që Schmidt i kishte shfuqizuar më parë.

Këto ligje kishin për qëllim ta ndalonin zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës dhe përfaqësuesit të lartë në territorin e entitetit serb të Bosnjës, të cilat më herët kishin shfuqizuar ligjet e miratuara nga Parlamenti i entitetit lidhur me regjistrimin e pronës shtetërore në emër të entitetit apo ligje për festat.

Prokuroria e Bosnjës kishte njoftuar se që nga dhjetori i vitit 2024 po zhvillonte hetime lidhur me dyshimet për sulm ndaj rendit kushtetues të Bosnjës.

Në mars të këtij viti, gjykata lëshoi fletarresime për Dodikun, kryeministrin e Republikës Sërpska, Radovan Vishkoviq dhe kryetarin e Kuvendit Popullor të Republikës Sërpska, Nenad Stevandiq, si të dyshuar për sulm ndaj rendit kushtetues.

Urdhri u lëshua në ditën kur Kuvendi Popullor i Republikës Sërpska pritej të diskutonte për një draft të kushtetutës së Republikës Sërpska, përmes së cilës autoritetet në këtë entitet planifikonin të përcaktonin atë si shtet të popullit serb, t’i jepnin të drejtën për vetëvendosje, të themelonin ushtrinë e vet dhe të shfuqizonin Këshillin e Popujve.

Kodi Penal i Bosnje e Hercegovinës parashikon dënime deri në pesë vjet burgim dhe ndalim të ushtrimit të detyrës zyrtare për këdo që përpiqet në mënyrë të paligjshme të ndryshojë rendin kushtetues të Bonjës, ose të rrëzojë institucionet më të larta të saj./REL

Të këshilluara

ide

Kriza jonë e trefishtë tashmë ka emër

Edi Rama është sot mishërimi, edhe pse jo shkaku i vetëm, i krizës së përfaqësimit politik. Askush më shumë se ai nuk punuar për të ndërtuar një parti dhe një sistem politik në shërbim të kryetarit dhe jo të qytetarit

09:49 Blendi Kajsiu

Si po e çon Rama vendin drejt përplasjes civile

Insistimi në dhunë, në armatosje të civilëve, në pagesa të policëve si të ishin mercenarë, vetëm paqe nuk pjell. Frika e Edi Ramës se ku do të përfundojë kur të mos jetë kryeministër nuk ka pse të bëhet makthi i Shqipërisë

15:20 Armand Shkullaku

MOTI TIRANA

21°c

KËMBIMI EURO

90.74

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI