Flash

Triada e re e Lindjes: Kina, Rusia dhe Koreja e Veriut tregojnë forcën në Pekin

Lapsi.al 3 September 2025
Triada e re e Lindjes: Kina, Rusia dhe Koreja e Veriut tregojnë forcën

Teksa gjëmimet e topave jehonin në Sheshin Tiananmen, përpara se të nisnin hapat e parë të trupave kineze në bulevardin kryesor të Pekinit, u dha edhe imazhi më i fortë i ditës.

Presidenti kinez Xi Jinping priti me një shtrëngim duarsh të gjatë Kim Jong Un-in, më pas përshëndeti Vladimir Putinin dhe u ul mes dy prej liderëve më të sanksionuar në botë.

Ishte teatër politik i pastër. Dhe ishte kjo skenë, më shumë se armët, duket se ishte ajo që se e acaroi presidentin amerikan Donald Trump, i cili reagoi në Truth Social, duke akuzuar tre liderët për komplot kundër Amerikës.

Xi duket se e kishte pikërisht këtë synim: të sfidonte SHBA-në, duke u shfaqur si lideri i një blloku lindor të gatshëm t’i rezistojë rendit botëror të udhëhequr nga Perëndimi.

Një spektakël për pushtetin e Xi

Parada ushtarake e së mërkurës duhej të shënonte 80-vjetorin e fitores ndaj Japonisë. Por në fakt ishte një shfaqje e fuqisë globale të Xi.

Ai mbajti pranë vetes Putin dhe Kim, duke rikthyer simbolikën e Luftës së Ftohtë, kur Mao priste Kim Il Sung dhe Nikita Hrushovin në të njëjtin shesh.

Sot, rolet janë përmbysur: është Kina që mban frenat, ndërsa Rusia dhe Koreja e Veriut varen nga mbështetja e Pekinit.

“Bota sot përballet me zgjedhjen mes paqes dhe luftës, dialogut apo konfrontimit,” deklaroi Xi, duke e shoqëruar mesazhin me një paradë të mbushur me raketa bërthamore, armë hipersonike, dronë detarë e ajrorë dhe madje edhe “ujq robotë”. 

Triada kundër Perëndimit

Për herë të parë Xi, Putin dhe Kim u panë bashkë në një ngjarje të tillë. Për Putinin ishte një legjitimitet i çmuar, për Kim-in një shfaqje mbështetjeje, ndërsa për Xi një konfirmim se Kina udhëheq aleancën.

Parada u ndoq nga mbi 50 mijë vetë në shesh dhe miliona qytetarë përmes ekranit, me kore dhe këngë patriotike që lartësonin Partinë Komuniste.

Armët e ekspozuara synonin një mesazh të qartë: Kina po ndërton një ushtri për të rivalizuar SHBA-në. Xi e theksoi: “Ringjallja e madhe e kombit kinez është e pandalshme.” 

Mesazhi për Tajvanin dhe Perëndimin

Në turmë, një qytetar 30-vjeçar deklaroi hapur: “Do ta rimarrim Tajvanin deri në vitin 2035.” 

Ky është mesazhi që tremb Tajvanin dhe aleatët e tij perëndimorë, ndërsa shumë kryeqytete europiane zgjodhën të mos marrin pjesë në paradë.

Megjithëse Xi shfaqet i fuqishëm në skenën ndërkombëtare, brenda vendit Kina përballet me sfida të mëdha: ekonomi të ngadalësuar, krizë të pasurive të paluajtshme, papunësi të lartë tek të rinjtë dhe borxhe të thella lokale.

Në këtë kuadër, parada kombëtare shërben edhe si një mjet për të ndezur nacionalizmin dhe për të shpërqendruar vëmendjen nga problemet e brendshme.

Kina sfidon SHBA-në

Spektakli përfundoi me lëshimin e mijëra pëllumbave dhe balonave mbi qiellin e Pekinit. Por thelbi nuk ishte historia e fitores ndaj Japonisë, ishte një mesazh për të tashmen:

Kina është ngritur në skenën botërore dhe kërkon të sfidojë hegjemoninë amerikane, me Xi Jinping si figurë qendrore të një bote të re lindore.

Përshtatur nga BBC në shqip, ©LAPSI.AL 

Të këshilluara

ide

Krimi i organizuar financon kullat e kryeministrit jo protestën ndaj tyre

Krimi i organizuar është tejet i lumtur me modelin zhvillimor të kullave dhe rezorteve elitare të Ramës, sepse aty pastron paranë. Ndaj protesta qytetare kundër këtij modeli përbën një kërcënim real për të fortët, trafikantët e drogës, dhe krimin e organizuar që pastron para dhe legalizon tokat e grabitura tek projektet e rezorteve elitare të Ramës

10:14 Blendi Kajsiu

Si po e çon Rama vendin drejt përplasjes civile

Insistimi në dhunë, në armatosje të civilëve, në pagesa të policëve si të ishin mercenarë, vetëm paqe nuk pjell. Frika e Edi Ramës se ku do të përfundojë kur të mos jetë kryeministër nuk ka pse të bëhet makthi i Shqipërisë

15:20 Armand Shkullaku

MOTI TIRANA

13°c

KËMBIMI EURO

90.74

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Krimi i organizuar financon kullat e kryeministrit jo protestën ndaj tyre

Krimi i organizuar është tejet i lumtur me modelin zhvillimor të kullave dhe rezorteve elitare të Ramës, sepse aty pastron paranë. Ndaj protesta qytetare kundër këtij modeli përbën një kërcënim real për të fortët, trafikantët e drogës, dhe krimin e organizuar që pastron para dhe legalizon tokat e grabitura tek projektet e rezorteve elitare të Ramës

10:14 Blendi Kajsiu

Me sytë katër

PAPARAZZI