Flash

A po bën Vjosa Osmani kalkulime për një mandat të dytë?

Lapsi.al 11 September 2025
A po bën Vjosa Osmani kalkulime për një mandat të dytë?

Vjosa Osmani u bë presidente e Kosovës në prillin e 2021-tës. Asaj i kanë mbetur edhe pak muaj në postin më të lartë shtetëror. Të paktën në këtë mandat, pasi që në publik besohet gjerësisht se ajo ka ambicie për të qëndruar më gjatë në këtë pozitë, përmes një mandati të dytë pesëvjeçar.

Jo pak njerëz i panë disa deklarata të fundit të saj në drejtim të jetësimit të synimeve për ta mbajtur karrigen e presidentes. Qëndrimi i saj se shteti nuk mund të bllokohet për një nënkryetar serb të Kuvendit të Kosovës, dhe kritikat e saj ndaj partisë më të madhe të serbëve në vend, Listës Serbe, u panë si pjesë e manovrave për të garantuar mbështetjen politike që i nevojitet për një mandat të dytë.

Vetë ajo iu tha mediave më 11 shtator se po e mendon edhe një mandat, dhe se do të vendosë shpejt. Osmani deklaroi se nuk ka kalkuluar, as për mandatin e parë dhe as tani.

Donika Emini, nga Grupi Këshillëdhënës në Evropë për Politika të Ballkanit, në parim nuk sheh asgjë të gabuar nëse Osmani e synon edhe një mandat të dytë, mirëpo problemin e gjen te mungesa e një udhëheqjeje të qartë dhe unifikuese, e cila do të duhej ta vendoste interesin e shtetit mbi çdo interes personal apo partiak.

“Mënyra se si është angazhuar gjatë kësaj periudhe krize ka nxjerrë në pah dobësi në lidership, në një moment shumë kritik për vendin. Ajo është parë më tepër si pasive, duke vepruar në mënyrë ad hoc, pa një strategji të qartë, duke organizuar takime pa peshë politike për t’i lëvizur partitë, sidomos ato shqiptare që kanë bllokuar punën e Kuvendit prej më shumë se gjashtë muajsh”, thotë Emini në disa përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë.

Ilir Deda, ish-deputet i Kuvendit, i cili u angazhua edhe në Presidencë më 2011, beson se kalkulime të tilla nuk mund të bëhen “kur Presidenca e Kosovës përfshihet në vallen shoviniste të përhapur në Kosovë”.

“Argumente të paqena, fjalor shtypës ndaj përfaqësuesve politikë të komunitetit serb dhe mungesë absolute të argumenteve, si kushtetuese, si juridike. Ajo as nuk ka ndërtuar ura me partitë opozitare gjatë kohës që është presidente, nuk ka përfaqësuar rol unifikues për çështje të brendshme politike në vend, dhe rreshtimi i saj përkrah secilës parti politike vetëm ia ul mundësinë që ta ketë mandatin e dytë”, vlerëson Deda për Radion Evropa e Lirë.

"Presion" ndaj Kushtetueses

Deda konsideron se një shkesë e nisur nga zyra e Osmanit në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës mund të interpretohet si “presion” ndaj këtij institucioni për të marrë vendime jokushtetuese.

Ai thotë se ajo i ngjason më shumë një pamfleti politik, sesa një dokumenti të përfaqësueses së unitetit të popullit.

“Komuniteti serb nuk është duke e bllokuar konstitutimin e Kuvendit të Kosovës. Janë partitë shqiptare, apo të jem më direkt, është partia qeverisëse në Kosovë, ajo e cila po kontribuon në bllokadë dhe po i thyen aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese. Presidentja tani është përfshirë në këtë valle”.

Emini, ndërkaq, thotë se presidentja ka të drejtë të shprehë shqetësime politike, por se ekziston një vijë e hollë mes këtij roli dhe dhënies së përshtypjes se po sfidohet autoriteti i Gjykatës Kushtetuese.

Çfarë tha presidentja?

Presidentja beson se bllokimi i Kuvendit për shkak të moszgjedhjes së nënkryetarit nga pakica serbe, përderisa Kryesia e tij ka kuorum, do t'i cenonte në mënyrë serioze themelet mbi të cilat është ndërtuar shteti.

Osmani ngulmon se votimi në pako për dy pozitat e rezervuara për minoritetet nuk kërkohet me Kushtetutë, siç pretendon Lista Serbe, dhe se Rregullorja e Punës e Kuvendit nuk është mbi dokumentin më të rëndësishëm në vend.

Por, Emini vlerëson se pozita e nënkryetarit serb nuk ka të bëjë thjesht me një rol teknik.

“Nënkryetari nga komuniteti serb është kategori kushtetuese dhe, si i tillë, është element thelbësor për funksionalitetin e Kuvendit. Nëse Kuvendi vazhdon punën pa e zgjedhur këtë nënkryetar, atëherë po shkelet një detyrim i qartë kushtetues”.

"Argumente për asociacion"

Përtej ambicieve eventuale, Deda thotë se Osmani nuk është angazhuar për “zgjidhjen e problemeve të minoriteteve serbe, boshanjake dhe gorane” përgjatë mandatit presidencial dhe që, sipas tij, fatura për shtetin do të jetë me pasoja të rënda, potencialisht pas zgjedhjeve lokale të 12 tetorit.

“Po e shohim që tendenca për prishjen e Kosovës ahtisariane është duke dhënë rezultat, mirëpo ai rezultat nuk do të jetë i favorshëm për rregullimin e ardhshëm të brendshëm të shtetit. Janë duke iu dhënë aq shumë argumente përfaqësuesve serbë të kërkojnë më së paku një asociacion me kompetenca të forta ekzekutive”.

Multietniciteti në Kosovë është ndër aspektet që mbrohet me çdo çmim nga faktori ndërkombëtar, i cili apelon vazhdimisht që shumica shqiptare t’i integrojë pakicat në të gjitha nivelet, siç iu takon me Kushtetutë.

Përfaqësuesit ndërkombëtarë iu bënë thirrje aktorëve politikë dhe institucioneve në Kosovë që ta respektojnë Gjykatën Kushtetuese dhe t’i formojnë institucionet në linjë me aktgjykimet e saj.

Pozita e presidentit konsiderohet ndër arsyet për mosarritje të konsensusit mes partive politike shqiptare për të ecur përpara drejt formimit të institucioneve të reja pas zgjedhjeve të fillimvitit.

Për ta fituar pozitën e presidentit, një kandidati i duhen të paktën 80 vota të deputetëve – nga 120 në total - në rundin e parë. Nëse nuk i siguron ato në rundin e parë dhe as në të dytin, i mjaftojnë të paktën 61 vota në rundin e tretë. /Marrë nga Radio Evropa e Lirë

Të këshilluara

ide

Kriza jonë e trefishtë tashmë ka emër

Edi Rama është sot mishërimi, edhe pse jo shkaku i vetëm, i krizës së përfaqësimit politik. Askush më shumë se ai nuk punuar për të ndërtuar një parti dhe një sistem politik në shërbim të kryetarit dhe jo të qytetarit

09:49 Blendi Kajsiu

Si po e çon Rama vendin drejt përplasjes civile

Insistimi në dhunë, në armatosje të civilëve, në pagesa të policëve si të ishin mercenarë, vetëm paqe nuk pjell. Frika e Edi Ramës se ku do të përfundojë kur të mos jetë kryeministër nuk ka pse të bëhet makthi i Shqipërisë

15:20 Armand Shkullaku

MOTI TIRANA

10°c

KËMBIMI EURO

90.74

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Zgjedhjet të martën/ Kush është gjenerali që sfidon Netanyahun dhe sa shanse ka të fitojë

Të martën, më 27 tetor, Izraeli do të mbajë zgjedhjet parlamentare, të cilat konsiderohen ndër më të rëndësishmet në historinë e fundit të vendit. Për herë të parë që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor 2023 dhe lufta që pasoi në Gaza, izraelitët do të votojnë për të vendosur se kush do ta drejtojë vendin. Në qendër të përballjes është Benjamin Netanyahu, kryeministri më jetëgjatë në historinë e Izraelit, i cili kërkon të qëndrojë në pushtet. Përballë tij është ish-shefi i ushtrisë, Gadi Eisenkot, një nga rivalët kryesorë të tij. Zgjedhjet kanë rëndësi jo vetëm për të ardhmen politike të Netanyahut, por edhe për drejtimin që do të marrë Izraeli pas tre vitesh luftë dhe tensionesh në Lindjen e Mesme. Rezultati do të ndikojë në politikën e sigurisë, marrëdhëniet me palestinezët dhe raportet e Izraelit me aleatët ndërkombëtarë.

15:15

Me sytë katër

PAPARAZZI