Flash

Analiza/ Çfarë nënkupton sulmi izraelit në Katar për Iranin dhe rajonin?

Lapsi.al 12 September 2025
Analiza/ Çfarë nënkupton sulmi izraelit në Katar për

Shtetet e Bashkuara kanë shpenzuar vite duke tentuar që të bindin shtetet e Gjirit Persik që normalizimi i raporteve me Izraelin do të stabilizojë Lindjen e Mesme dhe do të frenojë kërcënimin që paraqet Irani.

Por, sulmi ushtarak i Izraelit në Katar, një aleat kyç i SHBA-së dhe vend ku gjendet baza më e madhe ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme, ka kërcënuar që të dëmtojë përpjekjet e mbështetura nga SHBA-ja.

Sulmi i 9 shtatorit në qendër të Dohas, kryeqytetit të Katarit, shënjestroi udhëheqjen politike të Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Gjashtë persona u vranë gjatë këtij sulmi, përfshirë një anëtar të shërbimeve të sigurisë të Katarit.

Sulmi është dënuar gjerësisht në kryeqytetet e Gjirit, ku qëndrimi ndaj Izraelit është ashpërsuar për shkak të konfliktit të drejtpërdrejtë të shtetit me Iranin në qershor dhe për shkak të luftës shkatërruese në Rripin e Gazës.

Lufta në Gazë u nxit pas sulmeve të Hamasit kundër Izraelit më 7 tetor 2023, që lanë të vdekur afër 1.200 persona. Grupi palestinez besohet se ende mban dhjetëra pengje izraelite që mori atë ditë.

“Jemi dëshmitarë si të një ashpërsimi të opinionit publik në Gjirin Persik, ashtu edhe të një shqetësimi në rritje të udhëheqësve të Gjirit lidhur me perceptimin se Izraeli tani po vepron pa asnjë përmbajtje – duke injoruar vijat e kuqe që dikur respektoheshin”, tha Michael Horowitz, analist i pavarur me bazë në Izrael.

Është e paqartë se si vendet e Gjirit do të përgjigjen. Shumë prej tyre janë aleatë të ngushtë të SHBA-së dhe varen nga Uashingtoni për sigurinë e tyre.

“Kjo situatë dallon në një aspekt të rëndësishëm: Izraeli është aleat i ngushtë i SHBA-së”, tha Horowitz. “Kjo e ndryshon llogaritjen. Për udhëheqësit e Gjirit, shqetësimi i vërtet mund të mos jetë vetëm Izraeli, por mungesa e perceptuar e udhëheqjes amerikane në vendosjen e kufijve ose në zbatimin e pasojave. Ky hendek ka gjasa të përcaktojë mënyrën se si shtetet e Gjirit do të reagojnë në të ardhmen”.

Thikë me dy presa

Sulmi në Katar është thikë me dy presa për Iranin, armikun e përbetuar të Izraelit, thanë ekspertët.

“Ajo çfarë ndodhi përforcon narrativin e Iranit se Izraeli është kërcënim për të gjithë rajonin dhe nuk ka të bëjë me [Teheranin] dhe aleatët e tij të boshtit të rezistencës”, tha Hamidreza Azizi, bashkëpunëtor në Institutin gjerman për Çështje Ndërkombëtare dhe të Sigurisë.

I ashtuquajturi bosht i rezistencës është rrjeti i bashkëpunëtorëve rajonalë të Iranit dhe grupeve të armatosura – ku përfshihen Hamasi, Hezbollahu i Libanit dhe rebelët Huthi të Jemenit – kundër Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara.

Sulmi i Izraelit në Katar po ashtu mund të ndihmojë në thellimin e afrimit të Iranit me shtetet e Gjirit, të cilat më parë kanë pasur raporte armiqësore me Teheranin.

“Në të njëjtën kohë [sulmi në Katar] rrit rrezikun e perceptuar nga pala iraniane”, shtoi Azizi. “Nëse kjo po ndodh në Katar, që është aleat i madh i SHBA-së që nuk është pjesë e NATO-s, atëherë çfarë do të ndodhë me ne?”.

Gjatë luftës 12-ditore në qershor, Izraeli dhe SHBA-ja kryen një fushatë bombardimesh që shënjestruan ndërtesat ushtarake dhe bërthamore iraniane, duke vrarë afër 1.000 persona. Irani u përgjigj duke lëshuar breshëri raketash drejt Izraelit, që lanë të vrarë dhjetëra persona.

Armëpushimi, që i dha fund konfliktit, është i brishtë, thanë ekspertët dhe rreziku i rifillimit të armiqësive apo një përshkallëzim i rrezikshëm mbetet i lartë. /REL

Të këshilluara

DW: Si e mbron NATO veten nga sulmet ruse?

6 vende të NATO-s kufizohen me Rusinë. Ato raportojnë shqetësime pothuajse çdo ditë: sinjale GPS që dështojnë, avionë që fluturojnë në territorin e NATO-s, dron...

20:58

ide

Krimi i organizuar financon kullat e kryeministrit jo protestën ndaj tyre

Krimi i organizuar është tejet i lumtur me modelin zhvillimor të kullave dhe rezorteve elitare të Ramës, sepse aty pastron paranë. Ndaj protesta qytetare kundër këtij modeli përbën një kërcënim real për të fortët, trafikantët e drogës, dhe krimin e organizuar që pastron para dhe legalizon tokat e grabitura tek projektet e rezorteve elitare të Ramës

10:14 Blendi Kajsiu

Si po e çon Rama vendin drejt përplasjes civile

Insistimi në dhunë, në armatosje të civilëve, në pagesa të policëve si të ishin mercenarë, vetëm paqe nuk pjell. Frika e Edi Ramës se ku do të përfundojë kur të mos jetë kryeministër nuk ka pse të bëhet makthi i Shqipërisë

15:20 Armand Shkullaku

MOTI TIRANA

13°c

KËMBIMI EURO

90.74

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Krimi i organizuar financon kullat e kryeministrit jo protestën ndaj tyre

Krimi i organizuar është tejet i lumtur me modelin zhvillimor të kullave dhe rezorteve elitare të Ramës, sepse aty pastron paranë. Ndaj protesta qytetare kundër këtij modeli përbën një kërcënim real për të fortët, trafikantët e drogës, dhe krimin e organizuar që pastron para dhe legalizon tokat e grabitura tek projektet e rezorteve elitare të Ramës

10:14 Blendi Kajsiu

Me sytë katër

PAPARAZZI