Flash

Askush s'e ka mendjen te lufta, por Rusia po shpartallon Ukrainën si kurrë më parë

Lapsi.al 6 November 2025
Askush s'e ka mendjen te lufta, por Rusia po shpartallon Ukrainën si

Rusia ka përqendruar zjarrin dhe trupat e saj në qytetin e vogël, por strategjik të Pokrovskut në lindje të Ukrainës, duke iu afruar gjithnjë e më shumë marrjes së kontrollit mbi atë që po shihet si hyrja drejt rajonit më të përgjakshëm të luftës.

Pas më shumë se një viti luftime, Pokrovsku, një nyje hekurudhore në rajonin e Donetskut, është kthyer pothuajse në gërmadha. Nga 60 mijë banorë para luftës, sot kanë mbetur më pak se 1,300. Ushtarët ukrainas që mbrojnë qytetin flasin për beteja të ashpra. Sipas presidentit Volodymyr Zelensky, një e treta e përplasjeve në vijën e frontit ndodhin aty, dhe gjysma e bombardimeve ajrore me bomba rrëshqitëse ruse janë përqendruar pikërisht në Pokrovsk.

Sipas hartës ushtarake të grupit DeepState, që ka lidhje me ushtrinë ukrainase, rusët kanë marrë kontrollin e pjesës jugperëndimore të qytetit dhe po shtrihen në qendrën dhe perëndimin e tij. “Armiku po vazhdon të grumbullojë forca në qytet”, tha DeepState, duke shtuar se “Pokrovsku po përpihet gradualisht”. 

Nëse bie, do të ishte qyteti më i madh që bie në duart e Rusisë që prej Bakhmutit në maj 2023. Pokrovsku shihet si pengesa e fundit para se trupat ruse t’i afrohen Slovianskut dhe Kramatorskut, dy qytetet e fundit të mëdha të kontrolluara nga Ukraina në Donetsk, rajon që Vladimir Putin e ka lakmuar prej më shumë se një dekade.

Marrja e Pokrovskut do t’i shërbente Kremlinit për të treguar se Rusia është “në marshim” dhe se lufta do të përkeqësohet nëse Ukraina nuk pranon kërkesat e rënda të Moskës për një marrëveshje paqeje. Putin ka injoruar thirrjet e presidentit Trump për një armëpushim, ndërsa ushtria e tij ka vazhduar ofensivën.

Nga ana tjetër, Zelensky po përpiqet të mbrojë qytetin për të mos lejuar që narrativa ruse të marrë terren, sidomos në një moment kur ai kërkon më shumë mbështetje nga administrata e paqëndrueshme e Trumpit. Ai vizitoi trupat pranë frontit dhe u dorëzoi medalje ushtarëve, duke deklaruar: “Në Pokrovsk, ne vazhdojmë ta shkatërrojmë pushtuesin.” 

Megjithatë, rëndësia ushtarake e Pokrovskut për Ukrainën mund të jetë më e vogël se ajo simbolike. Përparimet e Rusisë kanë ardhur me kosto të jashtëzakonshme njerëzore, dhe komandantët ukrainas besojnë se humbjet e mëdha të Kremlinit do të dobësojnë më shumë ushtrinë ruse në tërësi sesa mbrojtjen ukrainase.

“Është e pabesueshme sa shumë kohë i është dashur Rusisë për të arritur një objektiv që ishte prioritet për Putinin,” tha Laura Cooper, ish-zëvendëssekretare e Pentagonit për çështjet e Rusisë dhe Ukrainës. “Kjo hedh poshtë çdo ide për një pushtim të shpejtë të Donetskut.” 

Putin kërkon që nga viti 2014, kur nisi luftën hibride në Ukrainën lindore, të marrë të gjithë Donetskun dhe Luhanskun, por edhe pas nisjes së pushtimit të plotë në shkurt 2022, nuk ka arritur objektivin. Ofensiva verore e këtij viti për të marrë të gjithë Donetskun, përfundoi me përfitime minimale.

Lufta është kthyer në një ngërç vdekjeprurës, ku dronët kontrollojnë çdo lëvizje dhe tanket pothuajse nuk shfaqen më. Ushtarët ukrainas jetojnë në strehime nëntokësore ose ndërtesa të shkatërruara, ndërsa rusët sulmojnë në grupe të vogla prej dy apo tre vetash.

Zyrtarët ukrainas thonë se forcat e tyre janë 8 me 1 më pak se trupat ruse në zonën e Pokrovskut. Kjo mungesë trupash ka kthyer vijën e frontit në një “lojë shahu”, ku Ukraina lëviz brigadat për të mbuluar boshllëqet, dhe rusët i shfrytëzojnë menjëherë.

Sipas DeepState, nëse bie Pokrovsku, qyteti fqinj Myrnohrad mund të izolohet plotësisht. “Nëse bie Pokrovsk, bie edhe ne,” tha një komandant ukrainas i njësive ajrore.

Pokrovsku ndodhet më pak se 80 kilometra nga Kramatorsku, dhe pak më në veri ndodhet Sloviansku, që tani janë nën rrezik të ri nga dronët rusë që godasin civilët edhe gjatë udhëtimeve të zakonshme. “Kur e dëgjon dronin, fillimisht gumëzhin, pastaj menjëherë të godet ty ose makinën pranë. Është tmerruese,” thotë Iryna Bondarenko, 24 vjeç, nënë e një fëmije 3-vjeçar.

Ndërkohë, rusët po dërgojnë ekipe të vogla, ndonjëherë edhe me vetëm një ose dy ushtarë, për të depërtuar fshehurazi në vijat ukrainase, duke u strehuar në pyje e ferra. Por me ardhjen e dimrit, kjo taktikë do të bëhet më e vështirë, pasi dronët do t’i zbulojnë lehtësisht në terren të zhveshur.

Në gusht, rusët bënë një përparim të papritur pranë Dobropillias, 13 milje në veri të Pokrovskut, duke tentuar të krijojnë një rrethim. Ukraina reagoi duke dërguar njësitë më të mira, por kjo dobësoi mbrojtjen në qytetet e tjera si Kupiansk, duke hapur rrugë për inkursione të reja ruse.

“Skenari i përkeqësimit në Pokrovsk nisi pikërisht pas avancimit rus në lindje të Dobropillias,” tha Rob Lee, analist ushtarak që ka vizituar vijën e frontit.

Sot, rrethinat e Pokrovskut janë një shkretëtirë e djegur, plot me automjete dhe ndërtesa të shkatërruara. Luftimet zhvillohen kat më kat në ndërtesa të rrënuara. “Ushtarët tanë ishin në katin e parë, rusët në të dytin, dhe asnjëri s’e dinte për tjetrin,” tha një komandant ukrainas me nofkën Consul. “Është çmenduri e pastër.” 

Disa ushtarakë kanë frikë se Ukraina mund të vonohet për t’u tërhequr, siç ka ndodhur në beteja të tjera. “Rusët po humbasin shumë, por edhe ne po humbasim dhe s’mund ta përballojmë më,” tha Yevhen, 32 vjeç, komandant i një njësie dronësh.

Në këtë luftë rraskapitëse, çdo metër toke po blihet me dhjetëra jetë. Pokrovsku mund të bjerë, por me çmim që as Rusia, as Ukraina nuk mund ta përballojnë gjatë.

New York Times, përgatiti në shqip ©LAPSI.AL 

Të këshilluara

ide

Kriza jonë e trefishtë tashmë ka emër

Edi Rama është sot mishërimi, edhe pse jo shkaku i vetëm, i krizës së përfaqësimit politik. Askush më shumë se ai nuk punuar për të ndërtuar një parti dhe një sistem politik në shërbim të kryetarit dhe jo të qytetarit

09:49 Blendi Kajsiu

Si po e çon Rama vendin drejt përplasjes civile

Insistimi në dhunë, në armatosje të civilëve, në pagesa të policëve si të ishin mercenarë, vetëm paqe nuk pjell. Frika e Edi Ramës se ku do të përfundojë kur të mos jetë kryeministër nuk ka pse të bëhet makthi i Shqipërisë

15:20 Armand Shkullaku

MOTI TIRANA

10°c

KËMBIMI EURO

90.74

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Zgjedhjet të martën/ Kush është gjenerali që sfidon Netanyahun dhe sa shanse ka të fitojë

Të martën, më 27 tetor, Izraeli do të mbajë zgjedhjet parlamentare, të cilat konsiderohen ndër më të rëndësishmet në historinë e fundit të vendit. Për herë të parë që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor 2023 dhe lufta që pasoi në Gaza, izraelitët do të votojnë për të vendosur se kush do ta drejtojë vendin. Në qendër të përballjes është Benjamin Netanyahu, kryeministri më jetëgjatë në historinë e Izraelit, i cili kërkon të qëndrojë në pushtet. Përballë tij është ish-shefi i ushtrisë, Gadi Eisenkot, një nga rivalët kryesorë të tij. Zgjedhjet kanë rëndësi jo vetëm për të ardhmen politike të Netanyahut, por edhe për drejtimin që do të marrë Izraeli pas tre vitesh luftë dhe tensionesh në Lindjen e Mesme. Rezultati do të ndikojë në politikën e sigurisë, marrëdhëniet me palestinezët dhe raportet e Izraelit me aleatët ndërkombëtarë.

15:15

Me sytë katër

PAPARAZZI