Flash

Bedri Hamza zgjidhet kryetar i PDK-së

Lapsi.al 17 November 2025
Bedri Hamza zgjidhet kryetar i PDK-së

Bedri Hamza u zgjodh kryetar i ri i Partisë Demokratike të Kosovës, gjatë Konventës së mbajtur të kësaj partie pasditen e 17 nëntorit. Hamza u zgjodh përmes votimit të hapur dhe për të nuk kishte votuar kundër.

Ai nuk kishte kundërkandidat dhe zgjedhja e tij u bë pasi Memli Krasniqi ditë më parë dha dorëheqje nga kreu i partisë. "Më dhatë një përgjegjësi të madhe, një nder të jashtëzakonshëm, një detyrë që e pranoj me nder dhe përkushtim të plotë", tha Hamza në fjalën e tij pas zgjedhjes.

Ai tha se Kosova ka nevojë për një PDK të bashkuar, me vizion të qartë, duke premtuar se "do ta hapim partinë tonë për secilin qytetarë që dëshiron të kontribuojë. Do t’i forcojmë strukturat tona lokale dhe qendrore".

"Ne do të ecim vetëm përpara me përgjegjësi dhe maturi dhe zotime që do t’i mbajmë deri në fund", tha ai.

Ndërkaq, në fjalën e tij në nisje të konventës partiake ai tha se PDK-ja i ka mbijetuar "çdo goditjeje" për shkak se "është ndërtuar mbi sakrificë kombëtare dhe jo mbi interesa personale".

"Sepse, PDK ka lindur në përballje, në qëndresë, në sakrificë. Sepse, në ADN-në e saj ka gjurmët e lirisë, ka idealin e rezistencës dhe ka frymën e UÇK-së”, u shpreh ai. Hamza, 62 vjeç, ka shërbyer dy herë si ministër i Financave i Kosovës dhe në katër vjetët e fundit e udhëhoqi komunën e Mitrovicës së Jugut.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare të mbajtura më 9 shkurt, ai ishte kandidati i PDK-së për kryeministër. Gjatë Konventës, Memli Krasniqi, dorëzoi zyrtarisht mandatin, duke thënë se partia ka nevojë për “momentum të ri, për një kapitull të ri, teksa përgatitet për zgjedhjet nacionale të radhës”.

“PDK ka nevojë për një moment të ri unifikimi. PDK ka nevojë që kryetari i saj të jetë edhe kandidati për Kryeministër. Po e bëj këtë nga përgjegjësia, jo sepse shtëpia jonë është e thyer, por sepse është mjaftueshëm e fortë për t’u ngritur në lartësi të reja. Po dorëhiqem duke e ditur se PDK-në po e lë më të fortë se sa që e gjeta kur më zgjodhët që t’ju prij”, tha Krasniqi, i cili për dorëheqjen kishte njoftuar opinionin më 12 nëntor.

Bedri Hamza është zyrtari i vetëm i partisë që shpalli kandidaturën për ta udhëhequr partinë e dytë më të madhe në vend aktualisht. Por, jo të gjithë në parti u pajtuan me thirrjen e Konventës pesë ditë pasi Krasniqi njoftoi dorëheqjen të mërkurën e kaluar. Enver Hoxhaj, i cili dikur udhëhoqi partinë si ushtrues detyre i kryetarit, e kundërshtoi mbajtjen e Konventës kaq shpejt dhe kishte shprehur ambiciet për të garuar.

Ai kishte kërkuar që kjo konventë të mbahej më 23 nëntor. Gjatë konventës, ai tha se gara mbahet në kushte të pabarabarta, andaj nuk është pjesë e garës.

"E ka bërë garën e mbyllur, jodemokratike. Prandaj kam kërkuar shtyrjen një javë të konventës", tha ai.

Sipas statutit të PDK-së, për të garuar, një kandidat duhet t'i ketë nënshkrimet e 50 delegatëve të partisë dhe kandidaturën duhet ta paraqesë deri në pesë ditë para mbajtjes së Konventës.

Me zgjedhjen e kreut të ri, PDK-ja synon ta sfidojë kryeministrin në detyrë Albin Kurtin, partia e së cilit, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), ka qenë në pushtet nga viti 2021.

Artan Muhaxhiri, sociolog dhe analist politik, tha për Radion Evropa e Lirë se, ndonëse dorëheqja e Krasniqit ishte e befasishme, “ishte akt i duhur”.

Ai theksoi se zgjedhjet për kryetar mund të shndërrohen në një “përshpejtues të ndryshimeve në PDK, nëse edhe kushtet e tjera të domosdoshme plotësohen”.

Kosova mund të shkojë në zgjedhje parlamentare hiç më larg se në dhjetor, duke qenë se asnjëra parti nuk e ka shumicën e nevojshme, e as vullnetin për bashkëqeverisje, pas zgjedhjeve të shkurtit.

Hamza u zotua për reforma, për ta rikthyer PDK-në “ si partinë kryesore në vend”, kur e shpalli kandidaturën javën e kaluar.

Muhaxhiri i tha më herët REL-it se Hamza ka vetëm një detyrë si kreu i ri i PDK-së.

“Të kërkojë me zell brenda strukturave të PDK-së në gjithë Kosovën njerëz të ri, personalitete të reja, profesionistë të rinj dhe t’i sjellë në fokus si përfaqësues të një gjenerate të re të PDK-së, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të krijohet një lloj shpresë se PDK-ja mund të reformohet dhe ta rrisë pushtetin e saj”, tha Muhaxhiri.

REL

Të këshilluara

ide

Kriza jonë e trefishtë tashmë ka emër

Edi Rama është sot mishërimi, edhe pse jo shkaku i vetëm, i krizës së përfaqësimit politik. Askush më shumë se ai nuk punuar për të ndërtuar një parti dhe një sistem politik në shërbim të kryetarit dhe jo të qytetarit

09:49 Blendi Kajsiu

Si po e çon Rama vendin drejt përplasjes civile

Insistimi në dhunë, në armatosje të civilëve, në pagesa të policëve si të ishin mercenarë, vetëm paqe nuk pjell. Frika e Edi Ramës se ku do të përfundojë kur të mos jetë kryeministër nuk ka pse të bëhet makthi i Shqipërisë

15:20 Armand Shkullaku

MOTI TIRANA

19°c

KËMBIMI EURO

90.64

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI