Flash

OBSH: Shqipëria pa progres në Inteligjencën artificiale për shëndetin

Lapsi.al 20 November 2025
OBSH: Shqipëria pa progres në Inteligjencën artificiale për

Shqipëria ka boshllëqe të mëdha në politikat e inteligjencës artificiale (IA) për shëndetësinë, tregon një raport i fundit i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) që trajton përfitimet që kanë shërbimet shëndetësore nga përdorimi i IA.

Sipas OBSH-së, Shqipëria renditet ndër vendet me përparime minimale në ndërtimin e një kuadri të sigurt dhe funksional për përdorimin e inteligjencës artificiale (AI) në shëndetësi. Dokumenti thekson se, ndërsa vendet e tjera po avancojnë me politika, certifikime dhe mekanizma mbrojtës për pacientët, Shqipëria ka vetëm një element të dokumentuar të këtij kuadri.

Të dhënat tregojnë se Shqipëria ka zbatuar vetëm procesin e certifikimit të sistemeve të AI në shëndetësi, një hap i rëndësishëm, por i pamjaftueshëm për ndërtimin e besimit në teknologjitë që po transformojnë shërbimet mjekësore. Të gjitha fushat e tjera të vlerësuara nga OBSH rezultojnë pa politika ose procedura zyrtare.

Konkretisht, vendi nuk ka rregulla për prokurimin, zhvillimin ose përdorimin e sistemeve të AI në mjekësi, nuk ka politika që trajtojnë ndikimin e teknologjive në mjedis dhe nuk ekzistojnë mekanizma për auditimin dhe dokumentimin e rreziqeve që AI mund të sjellë për pacientët. Po ashtu, qytetarët dhe profesionistët e prekur nuk kanë një rrugë të përcaktuar ligjore për të paraqitur ankesa në rast të dëmtimit nga një sistem i AI.

Raporti vëren gjithashtu se Shqipëria ka kryer vetëm hapin e parë të angazhimit, konsultimin me palët e interesit, por mungon progresi në fushat më të rëndësishme për ndërtimin e kapaciteteve të profesionistëve. Vendit i mungojnë programet e trajnimit për aftësi në AI për personelin shëndetësor, si para punësimit, ashtu edhe gjatë shërbimit. Po ashtu mungojnë role profesionale të specializuara në shkencën e të dhënave apo inteligjencën artificiale për sektorin e shëndetit.

Sipas ekspertëve, ky boshllëk rrezikon të çojë në përdorimin e pakontrolluar të teknologjive të AI në klinika apo struktura shëndetësore, pa standarde të sigurisë, pa transparencë dhe pa mekanizma mbrojtjeje për pacientët. OBSH rekomandon që Shqipëria të hartojë një kuadër të plotë rregullator, të zhvillojë standarde të prokurimit dhe auditimit, dhe të ndërtojë kapacitete profesionale për të përballuar integrimin e teknologjive të reja në sistemin shëndetësor.

Në një kohë kur inteligjenca artificiale po transformon shërbimet mjekësore në gjithë Europën, raporti paralajmëron se vendet që nuk veprojnë me kohë rrezikojnë të mbeten pas dhe të përballen me sfida serioze si për cilësinë e kujdesit, ashtu edhe për sigurinë e pacientëve. Shqipëria, sipas këtyre të dhënave, ka ende shumë punë për të bërë që të mos mbetet në periferi të këtij transformimi./ Monitor

Të këshilluara

ide

MOTI TIRANA

20°c

KËMBIMI EURO

90.89

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

"Rama në burg, Berisha në burg"/ Sherr brenda opozitës për thirrjet e protestës

Rreth gjashtë muaj para zgjedhjeve lokale, protestat kundër qeverisë kanë nxjerrë në sipërfaqe përçarjen e opozitës, duke ndezur një përplasje të ashpër mes Sali Berishës dhe Arlind Qorit për përfaqësimin e pakënaqësisë qytetare, ndërsa Edi Rama përfiton politikisht nga lufta mes kundërshtarëve të tij.

14:10

Me sytë katër

PAPARAZZI