Flash

Akuzohej për përdhunim, gjykata shpall të pafajshëm priftin grek

Lapsi.al 15 December 2025
Akuzohej për përdhunim, gjykata shpall të pafajshëm priftin

Gjykata e Apelit të Kretës shpalli unanimisht të pafajshëm një prift 71-vjeçar, i cili në shkallën e parë ishte dënuar me 15 vjet burg për përdhunimin e një 19-vjeçari me aftësi të kufizuara mendore. Në të njëjtën kohë, gjykata e shpalli fajtor babanë e 19-vjeçarit për veprën penale të lëndimit të lehtë trupor, ndërsa e shpalli të pafajshëm për akuzën e bashkëpunimit në përdhunim. Ai u dënua me tre vjet burg, dënim që konsiderohet i vuajtur, pasi në shkallën e parë kishte qenë i dënuar me 14 vjet heqje lirie.

Sipas medias greke, avokatja mbrojtëse e priftit 71-vjeçar, Vaso Pantazi, deklaroi se vendimi përbën një përmbysje të plotë të çështjes. Ajo theksoi se, sipas një vendimi zyrtar të katër mjekëve ligjorë të shërbimit mjeko-ligjor të Kretës, nuk ka pasur përdhunim.

“Gjykata mori një vendim shumë të guximshëm duke lejuar një riekzaminim mjeko-ligjor, i cili vërtetoi se nuk ka pasur asnjë akt përdhunimi. Vendimi i sotëm është historik,” u shpreh ajo, duke shtuar se klienti i saj kishte besim absolut në drejtësi, pavarësisht pesë viteve të kaluara në burg.

Nga ana e tij, avokati tjetër mbrojtës, Giorgos Kanellakis, tha se me vendimin e Gjykatës së Apelit “drejtësia u vu në vend”, duke kritikuar ata që, sipas tij, kontribuuan në ndërtimin e akuzave.

Në propozimin e saj, prokurorja vuri në dyshim ekspertizën mjeko-ligjore të vitit 2021, e cila përbëhej vetëm nga tre rreshta dhe nuk përmbante një vlerësim profesional të plotë. Sipas saj, raportet e reja mjeko-ligjore nuk tregojnë përdhunime të përsëritura.

Megjithatë, prokurorja argumentoi se kjo nuk përjashton mundësinë e një akti të vetëm përdhunimi dhe kërkoi që prifti të shpallej fajtor për një rast të vetëm përdhunimi, ndërsa babai të shpallej i pafajshëm për bashkëpunim dhe fajtor për lëndim të lehtë trupor.

Babai i 19-vjeçarit, Janis, deklaroi se ishte kujdesur dhe mbikëqyrur vazhdimisht djalin e tij. Ai përmendi një incident të vitit kur djali ishte 11 vjeç dhe kishte denoncuar një ngacmim seksual nga një mësues, rast për të cilin, sipas tij, autoritetet nuk kishin gjetur prova përdhunimi.

Ai mohoi çdo përfshirje, duke pretenduar se djali ishte manipuluar për të akuzuar persona të pafajshëm, për arsye që lidhen me konflikte pronësie.

Nga ana e tij, prifti 71-vjeçar deklaroi se nuk e kuptonte pse ishte akuzuar.

“Jam në burg dhe ende nuk e di çfarë kam bërë,” tha ai në mbrojtje, duke mohuar çdo akt dhune seksuale dhe duke theksuar se kishte ndihmuar 19-vjeçarin, ashtu si shumë banorë të tjerë të fshatit.

Ai shtoi se akuzat bazoheshin në thashetheme dhe jo në dëshmi konkrete, duke mohuar gjithashtu çdo lidhje me persona të tjerë të përmendur në çështje.

Të këshilluara

ide

Si po e çon Rama vendin drejt përplasjes civile

Insistimi në dhunë, në armatosje të civilëve, në pagesa të policëve si të ishin mercenarë, vetëm paqe nuk pjell. Frika e Edi Ramës se ku do të përfundojë kur të mos jetë kryeministër nuk ka pse të bëhet makthi i Shqipërisë

15:20 Armand Shkullaku

Pse guri dhe molotovi u bënë të pashmangshëm

Kjo revoltë rinore ka pasur një meritë të madhe. Ajo i bëri të njohur publikut të gjërë anën më kriminale të këtij regjimi që ishte deri më tani e konservuar në skutat më të fshehta. Nëse revolucioni ekstremisht paqësor i flamingove na tregoi se kjo qeverisje nuk ishte më popullore, epilogu i tij radikal, me gurë dhe molotov po shërben për të nxjerrë në dritë të diellit se autokrati është në gjendje të përdorë çdo mjet për të qëndruar në pushte

11:37 Andi Bushati

MOTI TIRANA

9°c

KËMBIMI EURO

91.10

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI