Flash

Dy kongresmenë letër Albin Kurtit: Mbështetja e SHBA për Kosovën mbetet e fortë

Lapsi.al 26 December 2025
Dy kongresmenë letër Albin Kurtit: Mbështetja e SHBA për

Dy kongresistë kanë thënë se mbështetja e Shteteve të Bashkuara për Kosovën mbetet e “fortë dhe dypartiake” në Kongresin amerikan, në letra të ndara dërguar kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Kongresisti republikan, Mike Lawler, tha në letrën e publikuar të premten nga Qeveria në detyrë: “Veprimet e fundit legjislative, duke përfshirë miratimin e Ligjit për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare për vitin fiskal 2026, nënvizojnë përkushtimin e vazhdueshëm të Amerikës ndaj së ardhmes euro-atlantike të Kosovës”.

Përpjekjet e tilla, thuhet tutje në letër, janë të domosdoshme për promovimin e stabilitetit afatgjatë, sigurisë dhe sundimit të ligjit në mbarë Ballkanin Perëndimor.

Kongresisti demokrat, George Latimer, shkroi në letrën e tij, po ashtu e publikuar të premten nga Qeveria në detyrë, se dëshiron ta theksojë “mbështetjen e fortë” të SHBA-së e Kosovës.

“Siç e përcakton shprehimisht Ligji për Autorizimin e Sigurisë Kombëtare, i miratuar së fundi, Shtetet e Bashkuara qëndrojnë plotësisht pas përpjekjeve të Kosovës për t’iu bashkuar NATO-s dhe Bashkimit Evropian, si dhe mbështesin përpjekje drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, qëllime që do të përmirësonin dukshëm edhe sigurinë, edhe sundimin e ligjit në të gjithë Ballkanin Perëndimor”, thuhet në letër.

Që të dy po i referoheshin një Aktit për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare, që u nënshkrua në ligj nga presidenti Donald Trump, javën e kaluar, në të cilin Kosovës dhe Serbisë gjithashtu u kërkohet ta zbatojnë marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve nga viti 2023, informon Radio Evropa e Lirë.

Kjo letër vjen pasi Lawler dhe Latimer e kishin takuar Kurtin gjatë vizitës së tij në Uashington në shtator.

Komentet e kongresistëve vijnë në një kohë kur marrëdhëniet mes Kosovës dhe SHBA-së pësuan goditje gjatë vitit 2025, kryesisht për shkak të vendimeve të Kurtit për ta shtrirë sovranitetin në veriun e banuar me shumicë serbe pa bashkërendim me bashkësinë ndërkombëtare.

Madje këto veprime çuan në pezullimin paafat të një dialogu të planifikuar strategjik mes dy vendeve.

Kurti i ka arsyetuar këto veprime si në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe së voni ka thënë se marrëdhëniet me SHBA-në “janë shumë të mira” dhe që mospajtimet kryesore kanë pasur të bëjnë gjithmonë lidhur me Serbinë dhe strukturat e saj, dhe asnjëherë për çështje bilaterale.

Më 11 dhjetor, Kurti tha, po ashtu, se sa u përket mbrojtjes dhe sigurisë, raportet “kurrë nuk kanë qenë më të mira”.

Dialogu strategjik është një proces që Departamenti amerikan i Shtetit në shumicën e rasteve zhvillon me vende të ndryshme të botës me synim avancimin e marrëdhënieve bilaterale.

Ky proces përfshin diskutime të nivelit të lartë mes dy vendeve që zhvillohen ose në Uashington, ose në vendin përkatës, mbi një gamë të gjerë temash si mbrojtja, siguria, mjedisi, energjia, bashkëpunimi ekonomik, etj.

Kurti është duke e synuar një mandat të tretë në krye të vendit në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

Ndërkohë, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë i tha ditë më parë Radios Evropa e Lirë (REL) se pas zgjedhjeve në Kosovë synon të punojë ngushtë me qeverinë e re të zgjedhur “për t’i avancuar prioritetet e përbashkëta”.

Një zëdhënës i Ambasadës amerikane në Prishtinë tha në disa përgjigje me shkrim për REL-in se shpreson që “partneriteti ynë të thellohet me Qeverinë e Kosovës”, përfshirë edhe rinisjen e Dialogut të planifikuar Strategjik.

Shtetet e Bashkuara i kanë ndarë mbi 2 miliardë dollarë për Kosovën prej vitit 1998.

Udhëheqës shtetërorë kosovarë e kanë përsëritur ndër vite që Amerika është partnerja më e rëndësishme e Kosovës dhe se mbështetja e saj është jetike.

Të këshilluara

ide

Si po e çon Rama vendin drejt përplasjes civile

Insistimi në dhunë, në armatosje të civilëve, në pagesa të policëve si të ishin mercenarë, vetëm paqe nuk pjell. Frika e Edi Ramës se ku do të përfundojë kur të mos jetë kryeministër nuk ka pse të bëhet makthi i Shqipërisë

15:20 Armand Shkullaku

Pse guri dhe molotovi u bënë të pashmangshëm

Kjo revoltë rinore ka pasur një meritë të madhe. Ajo i bëri të njohur publikut të gjërë anën më kriminale të këtij regjimi që ishte deri më tani e konservuar në skutat më të fshehta. Nëse revolucioni ekstremisht paqësor i flamingove na tregoi se kjo qeverisje nuk ishte më popullore, epilogu i tij radikal, me gurë dhe molotov po shërben për të nxjerrë në dritë të diellit se autokrati është në gjendje të përdorë çdo mjet për të qëndruar në pushte

11:37 Andi Bushati

MOTI TIRANA

14°c

KËMBIMI EURO

90.77

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Si po e çon Rama vendin drejt përplasjes civile

Insistimi në dhunë, në armatosje të civilëve, në pagesa të policëve si të ishin mercenarë, vetëm paqe nuk pjell. Frika e Edi Ramës se ku do të përfundojë kur të mos jetë kryeministër nuk ka pse të bëhet makthi i Shqipërisë

15:20 Armand Shkullaku

Me sytë katër

PAPARAZZI