Flash

Ku na i gjejnë këta investitorë amerikanë?

Lapsi.al 13 January 2026
Ku na i gjejnë këta investitorë amerikanë?

Në përurimin e një investimi amerikan për një park eolik në Shqipëri, dikush paska thënë se Shqipëria është treg i vogël, me gjasë duke nënkuptuar se kjo i jep edhe më shumë peshë investitorëve.

Kryeministri Rama paska reaguar për të vënë në vend sedrën kombëtare, duke thënë se të vegjël jemi, po jemi në pozitë strategjike, pranë tregut më të pasur në botë, Europës, duke lënë të nënkuptohet se ka peshë edhe pozita mes lindjes e perëndimit, gjë që e vlerëson lart edhe antipodi ekonomik i Amerikës, Kina.

Kjo u tha në prani të të ngarkuarës me punë të Amerikës në Shqipëri. Gjithë kjo rrëmbeu vëmendjen e mediave prej dy ditësh, jo pse po i bën Rama karshillëk Amerikës, jo pse e paskan ulur funksionaren amerikane pranë funksionares shumë të përfolur shqiptare Ballukut, e kështu me radhë. Dikush ndoshta shpreson që Rama ta pësojë si Maduro, dikush tutet mos nga vetëbesimi i tepruar Rama pengohet e rrëzohet dhe bashkë me të vuan edhe Shqipëria.

Por, a e pa ndonjëri se kush ishte investitori amerikan? CWP-ja është një kompani e cila në Amerikë zotëron vetëm një zyrë të regjistruar në shtetin Delaware, një lloj parajse fiskale e ShBA-ve. Themeluesi i saj, Mark Crandall është shtetas amerikan që jeton në Beograd. Ai është i martuar me motrën e Kori Udoviçki, ish ministres e zv.kryeministres së qeverisë Vuçiq 1. Kunata e biznesmenit Randall u zëvendësua në qeverinë Vuçiq 2 nga Ana Bërbabiq, e cila ishte edhe ajo e lidhur fort me Mark Randallin, sepse deri ditën që u emërua ministre punonte si drejtoreshë e CWP-së.

Mark Crandalli para se të merrej me energji të rinovueshme, është marrë me naftë. Prokopinë e ka krijuar me kompaninë e tij të dikurshme, Trafigura, e cila prej 1993 e deri në 2005 ka qenë një prej tregtarëve më të mëdhenj globalë të naftës ruse. Ajo shquhej për kontrata e operacione të mëdha, dhjetëramiliardëshe me Rosneft-in. Pas 2005 Crandalli u shkëput nga ajo punë, dhe për të lëvruar kapitalin e përftuar në bashkëpunim me rusët, themeloi një rrjet firmash të regjistruara nëpër parajsa fiskale, në Maltë, Qipro, Delaware, në Ishujt e Virgjër të Britanisë, e kështu me radhë.

Mark Crandalli bën parqe eolike, dhe paraqitet si investitor amerikan, por përfaqësuesi më zyrtar i Amerikës, Trumpi, para pak ditësh deklaroi se është kundër impianteve eolike në Amerikë dhe në sferën e saj të ndikimit, sepse ato përdorin kryesisht teknologji kineze. E edhe Europa nuk duket shumë entuziaste për punën e Crandallit, sado që ai është shprehur mbështetës i vetëqëndrueshmërisë energjetike europiane.

Një vend europian që nuk e ka luksin t’u bëjë naze investitorëve, siç është Bullgaria, ka vendosur jo pak barriera e shkopinj ndër rrota për investimet e CWP-së, e cila edhe është ankuar për komplikimet e tepërta ligjore e rregullative në atë vend.

Teksa po diskutohet për pikëzën e mjaltit kinez, a mos e ka gjetur edhe një rrugë kapitali i lidhur me Serbinë e Rusinë për të hyrë në tregun energjik shqiptar, i ambalazhuar si investim amerikan?

(Arber Zaimi)

Të këshilluara

ide

Kriza jonë e trefishtë tashmë ka emër

Edi Rama është sot mishërimi, edhe pse jo shkaku i vetëm, i krizës së përfaqësimit politik. Askush më shumë se ai nuk punuar për të ndërtuar një parti dhe një sistem politik në shërbim të kryetarit dhe jo të qytetarit

09:49 Blendi Kajsiu

Si po e çon Rama vendin drejt përplasjes civile

Insistimi në dhunë, në armatosje të civilëve, në pagesa të policëve si të ishin mercenarë, vetëm paqe nuk pjell. Frika e Edi Ramës se ku do të përfundojë kur të mos jetë kryeministër nuk ka pse të bëhet makthi i Shqipërisë

15:20 Armand Shkullaku

MOTI TIRANA

10°c

KËMBIMI EURO

90.74

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Zgjedhjet të martën/ Kush është gjenerali që sfidon Netanyahun dhe sa shanse ka të fitojë

Të martën, më 27 tetor, Izraeli do të mbajë zgjedhjet parlamentare, të cilat konsiderohen ndër më të rëndësishmet në historinë e fundit të vendit. Për herë të parë që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor 2023 dhe lufta që pasoi në Gaza, izraelitët do të votojnë për të vendosur se kush do ta drejtojë vendin. Në qendër të përballjes është Benjamin Netanyahu, kryeministri më jetëgjatë në historinë e Izraelit, i cili kërkon të qëndrojë në pushtet. Përballë tij është ish-shefi i ushtrisë, Gadi Eisenkot, një nga rivalët kryesorë të tij. Zgjedhjet kanë rëndësi jo vetëm për të ardhmen politike të Netanyahut, por edhe për drejtimin që do të marrë Izraeli pas tre vitesh luftë dhe tensionesh në Lindjen e Mesme. Rezultati do të ndikojë në politikën e sigurisë, marrëdhëniet me palestinezët dhe raportet e Izraelit me aleatët ndërkombëtarë.

15:15

Me sytë katër

PAPARAZZI