Flash

Akuzohet për krime lufte në Kosovë, ish-gardiani serb deklarohet i pafajshëm

Lapsi.al 20 January 2026
Akuzohet për krime lufte në Kosovë, ish-gardiani serb deklarohet

I pandehuri Boban Toniç u deklarua i pafajshëm për akuzën për krime lufte, gjatë seancës gjyqësore të mbajtur të martën, më 20 janar, në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Toniç akuzohet se në cilësinë e gardianit të burgut të Prishtinës, paraleles në Lipjan gjatë viteve 1998-99 kishte shkelur rregullat e të drejtës ndërkombëtare gjatë konfliktit të armatosur.

Në seancë, gjyqtari Rrahman Beqiri e informoi fillimisht të akuzuarin për të drejtat e tij dhe më pas ai u deklarua i pafajshëm, raporton Betimi për Drejtësi.

Aktakuza ndaj Toniçit u ngrit nga Prokuroria Speciale e Kosovës më 31 janar të vitit 2025, informon Radio Evropa e Lirë.

Prokuroria tha atëbotë se ekziston dyshimi se i pandehuri, së bashku me gardianë të tjerë, “në mënyrë sistematike i kishin maltretuar të burgosurit shqiptarë, duke i torturuar në mënyrë çnjerëzore me mjete të ndryshme, si shkopinj gome, shufra metalike, shqelma dhe grushte deri në alivanosje, duke u shkaktuar lëndime trupore dhe dhunë psikike”.

“I pandehuri, në bashkëkryerje, i kishte lënë të burgosurit pa ushqim për ditë të tëra, i kishte kanosur seriozisht për jetën dhe, si pasojë e rrahjeve të vazhdueshme dhe trajtimit çnjerëzor, ata kanë pësuar gjendje ankthi dhe frike të vazhdueshme”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Gjykata njoftoi se avokati i të pandehurit, Pregrad Millkoviç, ka 20 ditë afat që të kundërshtojë provat e Prokurorisë dhe të bëjë kërkesë për hedhjen poshtë të aktakuzës.

Së voni, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur një sërë aktakuzash për krime lufte në Kosovë.

Aktakuza e fundit e ngritur ishte ajo më 16 janar, kundër një gruaje e cila dyshohet se në cilësinë e gardianes së burgut të Prishtinës, paralelja në Lipjan kishte keqtrajtuar, kanosur dhe torturuar të burgosurat shqiptare.

Prokuroria po ashtu vitin e kaluar ngriti aktakuzë në mungesë ndaj 21 personave për vrasjen e civilëve në Reçak të Shtimes. Ndërkaq, Specialja ka ngritur aktakuzë në mungesë edhe ndaj 21 personave për dëbimin me forcë të mbi 800.000 civilëve shqiptarë nga Kosova gjatë luftës.

Që nga përfundimi i luftës, dhjetëra persona janë dënuar për krime lufte para institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.

Fillimisht pas luftës, përkatësisht nga viti 2000 dhe 2008, krimet e luftës në Kosovë u hetuan nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa nga viti 2008, nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX).

Më 2018, EULEX-i ia dorëzoi lëndët organeve vendore të drejtësisë. Gjatë luftës në Kosovë, nga viti 1998 deri në 1999, janë vrarë më shumë se 13.000 civilë, ndërsa mijëra të tjerë janë zhdukur.

Më shumë se 1.500 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur, pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.

Të këshilluara

ide

Kriza jonë e trefishtë tashmë ka emër

Edi Rama është sot mishërimi, edhe pse jo shkaku i vetëm, i krizës së përfaqësimit politik. Askush më shumë se ai nuk punuar për të ndërtuar një parti dhe një sistem politik në shërbim të kryetarit dhe jo të qytetarit

09:49 Blendi Kajsiu

Si po e çon Rama vendin drejt përplasjes civile

Insistimi në dhunë, në armatosje të civilëve, në pagesa të policëve si të ishin mercenarë, vetëm paqe nuk pjell. Frika e Edi Ramës se ku do të përfundojë kur të mos jetë kryeministër nuk ka pse të bëhet makthi i Shqipërisë

15:20 Armand Shkullaku

MOTI TIRANA

15°c

KËMBIMI EURO

90.64

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI