Flash

Transferimi i Kadastrës së Vlorës, fundi i një modeli të dështuar

Lapsi.al 26 January 2026
Transferimi i Kadastrës së Vlorës, fundi i një modeli

Transferimi i sektorit të Legalizimit të Kadastrës së Vlorës në Tiranë është fundi i një modeli të dështuar në një prej institucioneve me problematike në vend sa i përket drejtimit dhe abuzimit me detyrën. Ndryshimet e shpeshta të drejtuesve të ASHK Vlorë janë një sagë më vete dhe shpesh objekt barsaletash.

Ndërkohë të penalizuarit e mëdhenj përballë kësaj gjendje mizerabël ishin qytetarët, që nuk arrinin dot të merrnin shërbimin në kohë. Vendimi për transferimin e sektorit të legalizimit në Tiranë nuk është as i papritur, as arbitrar pasi faktikisht Kadastra e Vlorës si shërbim ishte transferuar prej kohësh në Tiranë njësoj si ajo e Shkodrës, Durrësit, Krujës e Kavajës. Shërbimi i fundit që po transferohet është ai i Legalizimit, ku prej vitesh qytetarët sorollateshin dhe nuk mbaronin dot punë.

Kadastra e Vlorës ka qenë historikisht ndër më problematiket në vend. Ankesa të vazhdueshme nga qytetarët, vonesa të pajustifikuara në trajtimin e aplikimeve, paqëndrueshmëri e drejtuesve dhe mungesë standardesh të unifikuara kanë krijuar një realitet ku shërbimi publik ka humbur besueshmërinë.

Transferimi i funksioneve drejt Tiranës nuk është ndëshkim, por ndërhyrje drastike për një situatë të akumuluar prej kohësh në qytetin bregdetar.

Për shkak të digjitalizimit të shërbimeve, ky transferim nuk cenon të drejtat e qytetarëve për aplikim apo përfitim shërbimesh. Prej vitesh tashmë, aplikimet për shërbimet kadastrale kryhen online përmes portalit e-Albania, ndërsa komunikimi, ndjekja e procedurave dhe marrja e dokumentacionit realizohen në mënyrë elektronike. Dokumentet fizike, kur janë të nevojshme, administrohen përmes Postës Shqiptare sipas procedurave të standardizuara, duke garantuar gjurmueshmëri dhe siguri.

Sot, një jurist mund të trajtojë dosjen ligjore dhe një hartograf të kryejë reflektimet teknike në sistem, pa qenë fizikisht i pranishëm në qytetin përkatës. Ndërkohë, grupet e terrenit vijojnë punën në Vlorë për matjet dhe verifikimet, duke ruajtur lidhjen direkte me territorin.

Transferimi në Tiranë i Kadastrës së Shkodrës, Durrësit, Krujës e Kavajës ka rezultuar një model funksional që synon optimizimin e burimeve njerëzore, rritjen e kontrollit të brendshëm dhe unifikimin e praktikave të punës. Pritet që transferime të tilla të ngjashme të ketë edhe nga zyrat e tjera të ASHK dhe në fund të vitit 2026, Kadastra të jetë tërësisht digjitale. Pavarësisht transferimit, punonjësit e Vlorës kanë mundësi të ngelen brenda sistemit të ASHK.

Me kalimin e shërbimeve online edhe shumë institucione të tjera janë mbyllur apo përqëndruar në kryeqytet. Shpesh centralizimi ka sjellë më shumë transparencë, më shumë standarde dhe më pak hapësirë për abuzim. Një shtet që synon eficiencë dhe integritet nuk mund të mbajë peng shërbimet publike nga zakoni apo nga presioni lokal. Ndërhyrja fillon aty ku problemi ka qenë më i thellë. Dhe në rastin e Vlorës, problemi ka qenë i njohur prej kohësh.

Të këshilluara

Zjarr në komunën e Parisit (Pamjet)

Zjarr në Komunën e Parisit. Burimet bëjnë me dije se një makinë ka shpërthyer në flakë në zonën e Komunës së Parisit. Nga vendngjarja raportohet tym i madh, i...

16:18

ide

Kriza jonë e trefishtë tashmë ka emër

Edi Rama është sot mishërimi, edhe pse jo shkaku i vetëm, i krizës së përfaqësimit politik. Askush më shumë se ai nuk punuar për të ndërtuar një parti dhe një sistem politik në shërbim të kryetarit dhe jo të qytetarit

09:49 Blendi Kajsiu

Si po e çon Rama vendin drejt përplasjes civile

Insistimi në dhunë, në armatosje të civilëve, në pagesa të policëve si të ishin mercenarë, vetëm paqe nuk pjell. Frika e Edi Ramës se ku do të përfundojë kur të mos jetë kryeministër nuk ka pse të bëhet makthi i Shqipërisë

15:20 Armand Shkullaku

MOTI TIRANA

16°c

KËMBIMI EURO

90.64

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI