Flash

Një glob i ndarë në dysh: Në Australi temperaturat shkojnë 50 gradë Celsius

Lapsi.al 30 January 2026
Një glob i ndarë në dysh: Në Australi temperaturat

Ndërkohë që hemisfera veriore e Tokës po përjeton mot ekstrem, me të ftohtë në minus, me viktima dhe me aeroporte të mbyllura, jugu global po përjeton një realitetet totalisht ndryshe.

Zona të gjera të Australisë juglindore po përballen me një valë përvëluese të të nxehtit, me temperaturat që i janë afruar 50 gradëve Celsius, duke detyruar banorët të mbrojnë pronat e tyre ndërsa zjarret pyjore po përhapen në zonat rurale të shtetit të Victorias.

Carly Smith hipi në një mjet katër-rrotësh për të ndihmuar në largimin e deleve nga flakët që përhapeshin me shpejtësi në një fermë pranë qytetit Gellibrand, një komunitet i vogël bujqësor rreth 200 kilometra në jugperëndim të Melburnit.

“Na u desh realisht të kalonim përmes zonës ku po digjej zjarri,” tregoi Smith. “Zjarr në barishte të thata, i pabarabartë, shumë i nxehtë dhe aktiv.”

Ndërsa babai dhe vëllai i saj përpiqeshin të përballonin flakët me një cisternë uji të montuar në traktor, ata gjetën një koala mashkull në tokë, i cili kishte dalë nga pylli i djegur – i rraskapitur dhe në gjendje shoku.

Sipas Shërbimit Meteorologjik të Australisë, vala aktuale e të nxehtit është më e rënda e 16 viteve të fundit. Të martën, Victoria regjistroi ditën më të nxehtë në historinë e saj: qytetet Hopetoun dhe Walpeup shënuan 48.9°C, ndërsa kryeqyteti i shtetit, Melburni, e kaloi pragun e 45°C.

Rekorde temperaturash u thyen edhe në shtetet fqinje të Uellsit të Ri Jugor dhe Australisë së Jugut, ku disa qytete iu afruan 50°C këtë javë – shumë pranë rekordit kombëtar absolut prej 50.7°C, të regjistruar në vitin 2022 në bregdetin perëndimor të vendit.

Ekspertët theksojnë se të nxehtit është forma më vdekjeprurëse e motit ekstrem, ndërsa kriza klimatike e shkaktuar nga njeriu po i bën valët e të nxehtit më intensive dhe më të gjata. Kur kombinohet me lagështi të lartë, situata mund t’i afrohet kufijve të qëndrueshmërisë së trupit të njeriut, në pikën ku organizmi nuk arrin më të përshtatet.

Smith tha se kushtet ishin jashtëzakonisht të thata, por shtoi se zona ka përjetuar edhe më parë vite të thata. “Çdo verë mendoj: a do të jetë radha e Gellibrand-it të digjet?” u shpreh ajo.

Qytetet më të nxehta të Victorias

Steve McCullough menaxhon hotelin lokal në Hopetoun, ku, së bashku me Walpeup, temperaturat arritën këtë javë rekordin prej 48.9°C.

Ai tha se banorët e komunitetit rural me rreth 700 persona janë mësuar me të nxehtin ekstrem. Ndërsa temperaturat rriteshin, disa punëtorë u larguan nga puna që në mesditë dhe biznese të tjera mbyllën dyert më herët.

McCullough vendosi ta mbante pub-in hapur për t’u ofruar strehë banorëve, veçanërisht atyre që shqetësoheshin për faturat e larta të energjisë elektrike nga përdorimi i vazhdueshëm i kondicionerëve.

“Hapëm dyert dhe bëmë të ditur se kushdo që ndjehej i mbingrohur mund të vinte këtu dhe thjesht të ulej, pa asnjë detyrim për të blerë diçka,” tha ai.

Menuja u përshtat për të reduktuar nxehtësinë shtesë nga skarat për stafin, ndërsa, si gjithmonë, birrat e ftohta nuk munguan, në një vend ku temperaturat mbi 40°C nuk janë të pazakonta.

“Sapo kalon 40 gradët, nuk ka më rëndësi nëse janë 42 apo 49 – është thjesht e padurueshme,” tha McCullough për CNN. “Duhet të mësosh të jetosh me të.”

Autoritetet shëndetësore australiane u bënë thirrje qytetarëve të konsumojnë mjaftueshëm ujë dhe të kontrollojnë të moshuarit, fëmijët dhe personat me sistem imunitar të dobësuar, të cilët janë më të rrezikuar nga pasojat e të nxehtit ekstrem.

“Shenjat e goditjes nga nxehtësia përfshijnë humbje të ndjenjave, konfuzion dhe konvulsione,” deklaroi Michael Georgiou, drejtor ekzekutiv i operacioneve rajonale në Shërbimin e Ambulancës së Victorias, duke theksuar se këto janë “gjendje kërcënuese për jetën”.

Në qytetin më të nxehtë të Victorias, McCullough shtoi se banorët kujdesen për njëri-tjetrin në këto kushte ekstreme.

Të këshilluara

ide

Kriza jonë e trefishtë tashmë ka emër

Edi Rama është sot mishërimi, edhe pse jo shkaku i vetëm, i krizës së përfaqësimit politik. Askush më shumë se ai nuk punuar për të ndërtuar një parti dhe një sistem politik në shërbim të kryetarit dhe jo të qytetarit

09:49 Blendi Kajsiu

Si po e çon Rama vendin drejt përplasjes civile

Insistimi në dhunë, në armatosje të civilëve, në pagesa të policëve si të ishin mercenarë, vetëm paqe nuk pjell. Frika e Edi Ramës se ku do të përfundojë kur të mos jetë kryeministër nuk ka pse të bëhet makthi i Shqipërisë

15:20 Armand Shkullaku

MOTI TIRANA

20°c

KËMBIMI EURO

90.74

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI