Flash

Izraeli paralajmëron luftë të gjatë kundër Iranit dhe Hezbollahut

Lapsi.al 23 March 2026
Izraeli paralajmëron luftë të gjatë kundër Iranit dhe

Teksa po afrohet afati i fundit i vendosur nga presidenti amerikan, Donald Trump që Irani të hapë Ngushticën e Hormuzit, ushtria izraelite i ka paralajmëruar shtetasit e vet për “më shumë javë” luftë kundër Iranit dhe Hezbollahut – grupit të shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe fuqi të tjera. “Shtetas të Izraelit, ne përballemi me më shumë javë luftime kundër Iranit dhe Hezbollahut”, ka thënë zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Effie Defrin në disa deklarime televizive më 22 mars.

“Çdo ditë që kalon, ne jemi më afër dobësimit të regjimit terrorist [në Teheran]. Ne nuk do të lejojmë atë apo degëzimet e tij të kërcënojnë qytetarët tanë të Izraelit, apo ekzistencën e shtetit të Izraelit”, ka thënë Defrin, duke shtuar se fushata tokësore kundër Hezbollahut në Liban do të intensifikohet në javët në vijim.

“Operacioni kundër organizatës terroriste të Hezbollahut tashmë ka nisur… ky është operacion më i gjatë”, ka thënë gjenerallejtënant, Eyal Zamir përmes një deklarate.

Deklaratat nga Izraeli janë disi të kundërta në krahasim me palën amerikane për kohëzgjatjen e luftës. Të gjithë sytë tani janë te një ultimatum i Trumpit, i vendosur më 21 mars, në orën 19:44 me kohën e Uashingtonit, kur presidenti i ka kërkuar Teheranit “hapjen e plotë” të Ngushticës së Hormuzit brenda 48 orësh ose në të kundërtën do të përballet me pasoja të rënda – një përshkallëzim i madh i tensioneve në luftën që tashmë rrezikon të dalë jashtë kontrollit.

“Nëse Irani nuk e HAP PLOTËSISHT, PA KËRCËNIME, Ngushticën e Hormuzit brenda 48 orësh nga ky moment, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t’i godasin dhe zhdukin CENTRALET E ENERGJISË, DUKE NISUR ME MË TË MADHEN!” ka thënë Trump përmes një postimi në platformën Truth Social.

Ai nuk e ka përmendur se cilat centrale të energjisë do të shënjestrohen, mirëpo deklarata e tij vjen një ditë pasi ai ka thënë se e konsideron uljen e intensitetit të operacioneve luftarake, meqë, sipas tij, shumica e synimeve amerikane janë arritur.

Pentagoni gjithashtu raportohet se po dërgon mijëra trupa shtesë tokësore në rajon.

Irani, në anën tjetër, është zotuar se do të hakmerret nëse Trump e jetëson kërcënimin e tij me sulme në centralet bërthamore. Komanda ushtarake e Iranit është cituar të ketë thënë, sipas medias shtetërore, se nëse sulmohet infrastruktura e energjisë e Iranit, e gjithë infrastruktura e energjisë që i përket SHBA-së në rajon, do të sulmohet gjithashtu.

Sulme të tilla hakmarrëse iraniane do të kishin efekte shkatërruese në shtetet e Gjirit Arab, të cilat janë konsumatore të mëdha të energjisë.

Garda Revolucionare Islamike e Iranit ka kërcënuar me mbyllje të plotë të Ngushticës së Hormuzit, duke shtuar se ajo mund të rihapet vetëm kur të rindërtohen objektet e shkatërruara nga sulmet amerikane.

Bllokada në ngushticë i ka rritur çmimet globale të naftës dhe më pas i ka rritur edhe çmimet e produkteve tjera të domosdoshme.

Sulmet iraniane në objektet e naftës dhe gazit në rajonin e Gjirit i kanë rritur shqetësimet për më shumë rritje çmimesh.

Trump u ka kërkuar shteteve që e shfrytëzojnë Ngushticën e Hormuzit për të transportuar burime të energjisë, që ta sigurojnë transportin në atë zonë. Ai është shprehur edhe i zemëruar pse shumë shtete kanë hezituar t’i angazhojnë ushtritë e tyre.

Mirëpo më 22 mars, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte ka thënë se mbi 20 shtete janë duke planifikuar të përfshihen në rihapjen e ngushticës.

“E di që presidenti ka qenë i zemëruar për shkak se ndihet sikur aleatët evropianë dhe aleatët tjerë kanë qenë shumë të ngadalshëm”, ka thënë Rutte për Fox News më 22 mars.

Ai ka shtuar se NATO-ja po synon të punojë në këtë drejtim me Japoninë, Korenë e Juugt, Australinë, Zelandën e Re, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahrejnin./REL

Të këshilluara

ide

Kriza jonë e trefishtë tashmë ka emër

Edi Rama është sot mishërimi, edhe pse jo shkaku i vetëm, i krizës së përfaqësimit politik. Askush më shumë se ai nuk punuar për të ndërtuar një parti dhe një sistem politik në shërbim të kryetarit dhe jo të qytetarit

09:49 Blendi Kajsiu

Si po e çon Rama vendin drejt përplasjes civile

Insistimi në dhunë, në armatosje të civilëve, në pagesa të policëve si të ishin mercenarë, vetëm paqe nuk pjell. Frika e Edi Ramës se ku do të përfundojë kur të mos jetë kryeministër nuk ka pse të bëhet makthi i Shqipërisë

15:20 Armand Shkullaku

MOTI TIRANA

13°c

KËMBIMI EURO

90.64

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI