Flash

“Ngushtica e Hormuzit nuk është problemi ynë”, Trump braktis Europën

Lapsi.al 31 March 2026
“Ngushtica e Hormuzit nuk është problemi ynë”, Trump

Presidenti Donald Trump deklaroi se Ngushtica e Hormuzit është “problem i gjithë botës”, duke u dërguar një mesazh të drejtpërdrejtë aleatëve të SHBA-së, të cilëve u është rrezikuar furnizimi me naftë për shkak të përshkallëzimit të konfliktit me Iranin: të mbështeten te vetja.

“Të gjitha ato vende që nuk mund të sigurojnë karburant për avionët për shkak të Ngushticës së Hormuzit, si Mbretëria e Bashkuar, e cila refuzoi të përfshihej në ‘eliminimin’ e Iranit, kam një sugjerim për ju: Së pari, blini nga SHBA, ne kemi mjaftueshëm, dhe së dyti, gjeni pak kurajë të vonuar, shkoni në Ngushticë dhe thjesht MERRENI atë,” shkroi ai në platformën Truth Social.

Kjo rrugë ujore strategjike, përmes së cilës kalon zakonisht rreth 20 për qind e furnizimit global me naftë, është bllokuar pothuajse plotësisht nga Irani që prej nisjes së operacionit të përbashkët të SHBA-së dhe Izraelit në fund të shkurtit.

Çmimet e naftës janë rritur ndjeshëm që nga fillimi i luftës, ndërsa çmimi mesatar i benzinës në SHBA ka kaluar nivelin 4 dollarë për gallon, më i larti që nga viti 2022.

Aleatët e NATO-s, përfshirë Bashkimin Europian, kanë refuzuar në masë të madhe të angazhohen për sigurimin e Ngushticës. “Kjo nuk është lufta e Europës,” deklaroi më herët gjatë marsit Kaja Kallas.

Reagimi i aleatëve tradicionalë ka shkaktuar irritim në Shtëpinë e Bardhë. Trump ka vënë në pikëpyetje të ardhmen e aleancës mbrojtëse dhe ka kritikuar hapur partnerët europianë, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar dhe Francën.

“Do t’ju duhet të mësoni të luftoni vetë, SHBA nuk do të jetë më aty për t’ju ndihmuar, ashtu siç ju nuk ishit për ne,” shkroi ai. “Irani është, në thelb, i shkatërruar. Pjesa e vështirë ka mbaruar. Shkoni dhe merrni vetë naftën tuaj!”

Ndërsa më herët gjatë javës ai kishte sinjalizuar përparim në negociatat me Iranin, Trump paralajmëroi gjithashtu se do të “shkatërronte plotësisht” infrastrukturën energjetike të Teheranit nëse ngushtica nuk rihapet “menjëherë”.

Më vonë gjatë së martës, në një intervistë për CBS News, ai sqaroi se SHBA nuk planifikon të tërheqë menjëherë praninë e saj nga zona.

“Në një moment do ta bëj, jo ende, por vendet duhet të hyjnë dhe të merren vetë me këtë çështje,” tha ai. “Irani është shkatërruar, por ata duhet të bëjnë punën e tyre.”

Ndërkohë, aleatët europianë janë shprehur të hutuar nga mesazhet që i cilësojnë si “absurdësisht jokonsistente”. Administrata Trump më herët kishte kërkuar nga Europa të përqendrohej në konfliktin në Ukrainë, ndërsa tani kërkon angazhim në një krizë shumë më të largët gjeografikisht.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, mbështeti qëndrimin e presidentit gjatë një konference për shtyp.

“Ka vende në mbarë botën që duhet të jenë të gatshme të marrin përgjegjësi për këtë rrugë ujore kritike. Nuk është vetëm Marina e SHBA,” tha ai. “Sa herë që kam kontrolluar, ekzistonte një Marinë Mbretërore e fuqishme që mund të ishte e gatshme të ndërmarrë veprime të tilla. Ai po thekson se kjo është një rrugë ujore ndërkombëtare që ne e përdorim më pak se të tjerët.”/Politico.eu

Të këshilluara

ide

Si po e çon Rama vendin drejt përplasjes civile

Insistimi në dhunë, në armatosje të civilëve, në pagesa të policëve si të ishin mercenarë, vetëm paqe nuk pjell. Frika e Edi Ramës se ku do të përfundojë kur të mos jetë kryeministër nuk ka pse të bëhet makthi i Shqipërisë

15:20 Armand Shkullaku

Pse guri dhe molotovi u bënë të pashmangshëm

Kjo revoltë rinore ka pasur një meritë të madhe. Ajo i bëri të njohur publikut të gjërë anën më kriminale të këtij regjimi që ishte deri më tani e konservuar në skutat më të fshehta. Nëse revolucioni ekstremisht paqësor i flamingove na tregoi se kjo qeverisje nuk ishte më popullore, epilogu i tij radikal, me gurë dhe molotov po shërben për të nxjerrë në dritë të diellit se autokrati është në gjendje të përdorë çdo mjet për të qëndruar në pushte

11:37 Andi Bushati

MOTI TIRANA

10°c

KËMBIMI EURO

91.10

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI