Flash

BSH: Fiksimi i kursit të Euros do ta çonte inflacionin në 7%

Lapsi.al 3 April 2026
BSH: Fiksimi i kursit të Euros do ta çonte inflacionin në 7%

Banka e Shqipërisë ka vlerësuar se, një vendim i mundshëm për të kaluar në një regjim të fiksuar të kursit të këmbimit do të kishte sjellë një goditje të fortë në parametrat kryesorë makroekonomikë të vendit.

Vlerësimet ekonometrike të Bankës së Shqipërisë sugjerojnë se ndjekja e opsionit të ndërhyrjes për të ruajtur një nivel të caktuar të kursit të këmbimit do të kishte sjellë pasoja negative në ekonomi.

Më konkretisht, në një skenar hipotetik ku kursi i këmbimit kundrejt Euros do të mbahej fiks gjatë periudhës 2023-2025 (në nivelin e tremujorit të parë të vitit 2023, apo 115.5 lekë/euro), vlerësohet se norma e inflacionit do të rritej deri në intervalin 6 – 7% në periudhën 2024-2025, nga niveli mesatar faktik prej 2.2% i kësaj periudhe.

Këto nivele inflacioni do të kërkonin rritjen e normës bazë deri në nivelin 7%, çka do të ishte një shtrëngim i qenësishëm i politikës monetare dhe do të impononte një kosto të lartë mbi huamarrësit.

Shtrëngimi i kushteve financiare do të frenonte kërkesën agregate, duke e ulur rritjen ekonomike deri në 2.6%, nga 3.9% që ka qenë aktualisht.

Ngadalësimi ekonomik do të rriste me 1.2 pikë përqindje normën e papunësisë për vitin 2005, duke e çuar atë në nivelin mesatar prej 9.7%, dhe duke shkaktuar vështirësi financiare për bizneset dhe individët. Po ashtu, raporti i kredive me probleme të bizneseve do të rritej me pothuaj 3 pikë përqindje, duke kërcyer nga niveli 4.6% në 7.5%.

Megjithatë, Banka e Shqipërisë vëren se ndryshimi i koniunkturës ekonomike në periudhën 2024-2025 krijoi hapësira për një prani të shtuar të saj në tregun valutor.

Më konkretisht, rënia e inflacionit nën objektiv në këtë periudhë, si pasojë e goditjeve të ofertës në çmimet e mallrave bazë dhe të naftës, rriti rreziqet potenciale që një forcim i shpejtë dhe i mëtejshëm të kursit të këmbimit mund të kishte mbi stabilitetin monetar.

Në këtë kontekst, një prani më aktive e Bankës së Shqipërisë në treg u konsiderua e nevojshme si masë mbrojtëse ndaj rrezikut, me probabilitet të ulët, por me kosto të lartë, të shmangies së kursit nga bazat e veta, duke reduktuar njëkohësisht edhe rrezikun potencial të zhvendosjeve të pritjeve  inflacioniste nga objektivi.

Megjithatë, Banka e Shqipërisë thekson edhe njëherë se ndërhyrjet në tregun valutor nuk kanë synuar dhe nuk synojnë mbajtjen e kursit në një nivel të caktuar, por zbutjen e shpejtësisë së forcimit të tij, në funksion të reduktimit të rreziqeve që luhatjet e larta të kursit në tregun valutor mund të kenë mbi stabilitetin monetar e financiar dhe në funksion të ankorimit më të mirë të pritjeve inflacioniste.

Në përmbledhje të analizës së saj, Banka e Shqipërisë vlerëson se regjimi i lirë i kursit të këmbimit dhe përqasja e saj ndaj forcimit të Lekut në vitet e fundit i kanë mundësuar vendit një rritje ekonomike të lartë, të qëndrueshme dhe joinflacioniste.

Sipas Bankës së Shqipërisë, forcimi i kursit të këmbimit të Lekut përfaqëson një fenomen strukturor, për sa kohë dhe në masën që përmirësimi i bilancit të pagesave dhe reduktimi i primeve të rrezikut në tregun financiar vlerësohen të jenë të qëndrueshëm.

Përmirësimet strukturore që kanë diktuar forcimin e kursit të këmbimit janë pasqyruar në forcimin jo vetëm të kursit nominal, por edhe atij real të këmbimit.

Në vija të përgjithshme, sipas Bankës së Shqipërisë, forcimi i kursit ilustron një konvergjencë më të shpejtë të të ardhurave dhe të çmimeve të ekonomisë shqiptare me partnerët tanë tregtarë të Bashkimit Evropian.

Ky ritëm më i shpejtë konvergjence është i qëndrueshëm për sa kohë ai bazohet në rritjen e produktivitetit të ekonomisë shqiptare dhe reduktimin e primeve të rrezikut në tregun e brendshëm financiar.

Në veçanti, zhvendosja e fuqisë punëtore drejt sektorit të turizmit dhe shërbimeve të lidhura me të, sektorë të cilët janë në gjendje të paguajnë paga krahasimisht të larta, ilustron një rritje të produktivitetit të përgjithshëm të punës në ekonomi.

Po ashtu, toleranca që investitorët vendas kanë shfaqur ndaj niveleve relativisht të ulëta të normave të interesit në Lekë, si dhe rritja e interesit të investitorëve të huaj për të investuar në tregjet financiare shqiptare, janë dëshmi e primeve më të ulëta të rrezikut në to.

Këto konkluzione sugjerojnë se forcimi i kursit të këmbimit bazohet në faktorë strukturorë dhe pasqyron një lëvizje më të shpejtë konverguese të ekonomisë shqiptare, të paktën në afatin e shkurtër dhe të mesëm./ E.Sh. Monitor

Të këshilluara

ide

Pse guri dhe molotovi u bënë të pashmangshëm

Kjo revoltë rinore ka pasur një meritë të madhe. Ajo i bëri të njohur publikut të gjërë anën më kriminale të këtij regjimi që ishte deri më tani e konservuar në skutat më të fshehta. Nëse revolucioni ekstremisht paqësor i flamingove na tregoi se kjo qeverisje nuk ishte më popullore, epilogu i tij radikal, me gurë dhe molotov po shërben për të nxjerrë në dritë të diellit se autokrati është në gjendje të përdorë çdo mjet për të qëndruar në pushte

11:37 Andi Bushati

Dhunë? Po, të lutem! Por, kundër kujt?

Dëmi që i është bërë Shqipërisë përgjatë qeverisjes së regjimit të Ramës, është radikalisht i pakrahasueshëm me dëmin minimal të shkaktuar përgjatë këtyre ditëve."

20:08 Agon Hamza

MOTI TIRANA

22°c

KËMBIMI EURO

91.10

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI