Flash

Lista Studentore në Serbi/ Kosova, pikëpyetja e madhe e një ndryshimi

Studentët sfiduan pushtetin e Aleksandar Vuçiqit, njeriut të fortë në Serbi. Por, përtej premtimeve për një Serbi ndryshe, qëndrimet e tyre për Kosovën, Bosnjën, Bashkimin Evropian dhe Rusinë mbeten ende të paqarta.

Idro Seferi 26 October 2026

Lista Studentore në Serbi/ Kosova, pikëpyetja e madhe e një

Një sallë e vogël e improvizuar në një pallat biznesi në Beogradin e Ri, qindra gazetarë vendas e të huaj përpiqen të gjejnë hapësirë mes kamerave televizive. Është ora 21:30 dhe në selinë elektorale të Partisë Progresiste Serbe (SNS) mbizotëron një heshtje pothuajse e plotë. Në selinë e Listës Studentore dëgjohen si mbytshëm nga celularët e shumtë zëri iAleksandar Vuçiqit,në paraqitjen e tij të parë pas mbylljes së votimeve në mbrëmje.

"Kemi humbur…", dëgjohet të thotë deri në këtë moment figura dominuese e politikës së vendit. Shumicës nuk i besohet fillimisht dhe pyesin edhe një herë nëse tha "kemi humbur” për rikonfirmim.

Festë në selinë e Listës Studentore

Brohoritje, këngë dhe trumpeta, ndërsa gazetarët bashkohen me festuesit. Fjalimet janë të pakta. Pushteti që prej vitesh kishte ushtruar ndikim mbi pothuajse çdo nivel të jetës politike dhe publike në Serbi po përballet me një sfidë të re.

Në mes të festës dhe ceremonisë zyrtare, akademiku dhe kandidati për deputet, Radomir Shaiçiq, merr fjalën për të shpallur fitoren.

"Sonte dëgjohet zëri i qytetarëve. Ata kanë treguar se asnjë pengesë nuk është më e madhe se vullneti i tyre dhe se asgjë nuk mund ta ndalë një popull që ka vendosur ta marrë fatin në duart e veta", thotë ai.

Sipas Shaiçiqit, qytetarët kanë dëshmuar se e ndiejnë vendin e tyre dhe se kërkojnë ndryshim, jo vetëm në Serbi, por edhe përtej kufijve të saj.

"Kjo është një fitore që tregon se Serbia mund të jetë ndryshe", thotë ai nga foltorja. "Nuk i përket një individi, por të gjithë qytetarëve të saj. Por, e dashur Serbi, fitorja e madhe bart me vete edhe një përgjegjësi të madhe", tha ai.

Pikërisht këtu nis pyetja që shkon përtej festës se çfarë do të thotë ky ndryshim për politikën e Serbisë ndaj fqinjëve të saj dhe, mbi të gjitha, ndaj Kosovës?

Kosova: mes skepticizmit dhe shpresës për ndryshim

Për një kohë të gjatë, Kosova nuk ka qenë në qendër të mesazheve publike të lëvizjes studentore. Por, kur lëvizja filloi të shndërrohej në një listë politike me synimin për të konkuruar në zgjedhje, çështja e Kosovës u bë një nga provat më të rëndësishme për të kuptuar kufijtë e ndryshimit që ajo premton.

Një nga qëndrimet e para më të artikuluara u shfaq në maj të këtij viti, gjatë një tubimi në Kragujevc, në Serbinë qendrore. Atje u lexua një memorandum për Kosovën, i cili e cilësonte atë pjesë të patjetërsueshme të Serbisë, theksonte lidhjet identitare të serbëve me Kosovën dhe i referohej Kushtetutës së Serbisë. Dokumenti përmendte gjithashtu zgjidhjet institucionale për mbrojtjen e të drejtave të serbëve.

Përmbajtja shkaktoi reagime në një pjesë të opinionit publik serb, por edhe në Kosovë. Për shumë shqiptarë nga Kosova, referencat ndaj memorandumeve për të drejtat e serbëve ngjallën kujtime të pakëndshme të Memorandumit të Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve (SANU), të vitit 1986, i cili trajtonte, ndër të tjera, pozitën e serbëve në Jugosllavi dhe kundërshtonte zhvillimet kushtetuese që kishin zgjeruar autonominë e Kosovës dhe të Vojvodinës.

Nga ana tjetër, më 14 korrik 2026, studentët reaguan ndaj deklaratës së ministres Snezhana Paunoviq, e cila tha se, po të kishte qenë në vendin e Slobodan Millosheviqit më 1998, do ta kishte "pastruar etnikisht Kosovën" nga shqiptarët.

"Në një shoqëri demokratike nuk ka asnjë justifikim për thirrjet për spastrim etnik, as si hipotezë historike, as si mesazh politik dhe as si qëndrim personal", thuhej në deklaratën e studentëve.

Gjatë fushatës, ndërsa lëvizja studentore po shndërrohej në një subjekt politik, Kosova u përmend më rrallë. Megjithatë, qëndrimet e artikuluara deri atëherë vazhdonin t'i referoheshin Kushtetutës së Serbisë, e cila e konsideron Kosovën pjesë të territorit të saj, si dhe nevojës për rishikimin e marrëveshjeve të arritura në dialog.

Për ata që presin një shkëputje të qartë nga politika e deritanishme, kjo paqartësi është domethënëse. Por disa shohin arsye për të mos e përjashtuar mundësinë e një ndryshimi gradual.

Maja Stojanoviq, drejtuese e organizatës beogradase Nismat Qytetare, e cila prej vitesh bashkëpunon me organizata të shoqërisë civile në Kosovë, thotë se ekziston arsye për të besuar se marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe serbëve mund të përmirësohen.

"Politika e tyre, në përgjithësi, ende nuk është e qartë për pothuajse asgjë. Ajo bazohet në një pragmatizëm politik", thotë Stojanoviq.

Megjithatë, ajo e sheh mobilizimin studentor si një fitore të një brezi të ri, të mbështetur, sipas saj, në vlera që mund të krijojnë hapësirë për marrëdhënie më të mira shoqërore. Ajo përmend si shembull afrimin mes grupeve të ndryshme etnike dhe pamjet e grave myslimane me ferexhe që festonin së bashku me serbët. "Kjo më jep shpresë për Serbinë", thotë ajo.

Stojanoviq nuk pretendon se pajtimi me Kosovën do të jetë i lehtë. Por beson se ndryshimi i raportit mes qytetarëve dhe pushtetit mund të hapë një rrugë tjetër. "Jam e bindur se do të ketë ndryshime pozitive, sepse kjo tregon një valë të fuqisë së njerëzve përballë pushteteve të forta. Nacionalizmi nuk ishte ai që e solli këtë fitore", shton ajo.

Dushan Spasojeviq, profesor i shkencave politike në Universitetin e Beogradit, është më i kujdesshëm. Ai pranon se ekziston mundësia për marrëdhënie më të mira, por nuk sheh ende shenja të një ndryshimi thelbësor në qëndrimet shtetërore ndaj Kosovës. "Nuk mund të presim gjëra si rasti i Banjskës apo instrumentalizimi i Listës Serbe në Kosovë, siç ka ndodhur deri tani nga Partia Progresiste Serbe. Por, për disa çështje, nuk shoh ndryshime", thotë Spasojeviq.

Sipas tij, qeverisja e Listës Studentore do të jetë e pazakontë, pasi vendimmarrja brenda lëvizjes është zhvilluar përmes këshillave studentorë dhe qytetare, në procese të gjata diskutimi.

Për Kosovën, ai nuk pret që lëvizja të hapë apo pranojë negociata për statusin. Hapësira për ndryshim, sipas tij, mund të jetë diku tjetër: në tonin e komunikimit, në tolerancën ndëretnike dhe në mënyrën se si trajtohen komunitetet. "Nuk besoj se do të kemi më fyerje ndaj shqiptarëve nga zyrtarët shtetërorë. Mundësinë e shoh te rritja e tolerancës ndëretnike, e cila mund të çojë në një pozitë më të mirë për serbët në veri të Kosovës, por edhe për shqiptarët në Luginën e Preshevës", thotë profesori.

Bosnja, rajoni, BE-ja dhe Rusia: çfarë do të ndryshojë?

Pikëpyetjet nuk mbarojnë tek Kosova. Marrëdhëniet me Bosnjë-Hercegovinën, ndikimi i Serbisë në Mal të Zi dhe raportet me Kroacinë janë po ashtu pjesë e një harte rajonale ku Beogradi ka luajtur prej kohësh një rol të rëndësishëm.

Gjatë protestave, studentët janë përballur edhe me gjuhë përjashtuese nga pushteti. Shpesh, ata janë quajtur "ustash" nga Vuçiq, zyrtarët e tij dhe nga mbështetesit e tij, një referencë ndaj lëvizjes fashiste kroate të Luftës së Dytë Botërore. Ata e quanin Vuçiqin "shiptar”, shprehje pezhorative më shumë e përdorur për shqiptarët e ish-Jugosllavisë.

Një nga reagimet e para që dukej si e parakohshme disa orë para mbylljes së vendëvotimeve erdhi nga Millorad Dodik, lideri i Aleancës së Socialdemokratëve të Pavarur, i cili për vite ka ushtruar ndikim të madh në Republikën Srpska, entitetin me shumicë serbe brenda Bosnjë-Hercegovinës.

Edhe pse Dodiku kishte sulmuar vazhdimisht studentët dhe kishte mbështetur Vuçiqin, deklarata e tij u interpretua si një përpjekje për të ripozicionuar veten përballë një realiteti politik që mund të ndryshonte.

"Në marrëdhëniet tona dua të tregoj se Serbia është e rëndësishme për ne. Shumica në Serbi e duan Republikën Srpska dhe pothuajse shumica në Republikën Srpska e duan Serbinë. Kjo nuk do të ndryshojë", shkroi ai në rrjetet sociale.

Dragan Bursaq, gazetar kritik nga Banja Lluka, thotë se Dodiku ka arritur t'u mbijetojë ndryshimeve të shumta politike në Serbi duke përshtatur qëndrimet e tij.

"Dodik ka mbijetuar gjashtë pushtete të ndryshme në Serbi", thotë Bursaq, duke argumentuar se deklarata e tij e fundit erdhi në një moment kur kishte arsye të rishqyrtonte pozicionin e vet.

Tani, sipas Bursaqit, mbetet për t'u parë nëse Lista Studentore do t'ia falë mbështetjen e mëparshme dhe sulmet e tij. Dodiku i kishte quajtur studentët "autoshovinistë".

Bursaq ka edhe një këshillë për lëvizjen studentore.  "Të qartësojë qëndrimin e saj ndaj vendeve fqinje”. ”Në fillim, do të duhej ta trajtonin Bosnjën si shtet, Malin e Zi dhe Kosovën. Bosnja, Mali i Zi dhe Kosova do të mund të marrin frymë pak më lirshëm nga Serbia, të paktën derisa institucionet të konsolidohen. Lista Studentore e ka për detyrë të sqarojë kornizën e saj ideologjike dhe marrëdhëniet me rajonin", thotë ai.

Për Bursaqin, përgjigjja ndaj Listës Studentore nuk duhet të jetë as mbështetje e pakushtëzuar, as kundërshtim automatik. Ajo duhet të varet nga qëndrimet dhe veprimet që lëvizja do të shfaqë në të ardhmen. "Ashtu siç do të verpojnë, ashtu do të reagojmë edhe ne”, shton ai.

Spasojeviq, nga ana tjetër, vëren se Lista Studentore ka shmangur disa nga temat më të ndjeshme të politikës së jashtme. "Është e qartë se Lista Studentore i ka shmangur disa prej temave rajonale dhe të politikës së jashtme. Por këto çështje do të kërkojnë përgjigje", thotë ai.

Në programin e tyre, Spasojeviq sheh një kujdes të veçantë serbët në rajon. "Ka shumë brenga për serbët në rajon, një qëndrim fluid ndaj BE-së dhe një qëndrim se nuk do të ketë sanksione ndaj Rusisë", thotë ai.

Megjithatë, profesori thekson se kjo paqartësi mund të lidhet edhe me natyrën e vetë lëvizjes pasi Lista Studentore nuk është një parti tradicionale me një strukturë të konsoliduar dhe një program të përcaktuar në çdo hollësi. "Jam shumë i sigurt se, për disa tema, as vetë ata nuk e kanë të qartë se çfarë do të bëjnë", shton Spasojeviq.

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi, Lista Studentore ka fituar 52,65 për qind të votave, ndërsa lista "Serbia e Bashkuar”, e bashkuar rreth Partisë Progresiste Serbe (SNS), ka marrë 39,22 për qind, tregojnë të dhënat e Komisionit Republikan të Zgjedhjeve (RIK), bazuar në numërimin e votave nga 91 për qind e vendvotimeve.

Në këto zgjedhje nuk e kanë kaluar pragun zgjedhor as Partia Socialiste e Serbisë, ish-partia e Slobodan Millosheviqit, e drejtuar aktualisht nga Ivica Daçiq, as Lëvizja Evropiane dhe e djathta e vërtetë. Kjo nënkupton që Lista Studentore me rreth 140 deputetë mund ta formojë vet qeverinë. /Marrë nga DW

Të këshilluara

ide

Shembja e Vuçiçit, manual përdorimi për ne në Tiranë

Serbia përbën shembullin tipik për të treguar se këto lloj pushtetesh nuk mund të mposhten me rrugë normale, se metoda për tu ndeshur me të nuk është rendja pas zgjedhjeve, si demi pas cohës së kuqe, por gryerja, dobësimi, delegjitimimi dhe legenosja e tyre, përmes metodash që në pjesën më të madhe konsiderohen si të paligjshme ose të dhunshme nga kasta në fuqi

11:11 Andi Bushati

Revolta si shpresa e fundit

Revolta studentore dhe e të rinjëve përgjatë javës së fundit në Shqipëri, përveç që shpërfaqi dhu...

11:19 Agon Hamza

MOTI TIRANA

11°c

KËMBIMI EURO

90.80

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Shembja e Vuçiçit, manual përdorimi për ne në Tiranë

Serbia përbën shembullin tipik për të treguar se këto lloj pushtetesh nuk mund të mposhten me rrugë normale, se metoda për tu ndeshur me të nuk është rendja pas zgjedhjeve, si demi pas cohës së kuqe, por gryerja, dobësimi, delegjitimimi dhe legenosja e tyre, përmes metodash që në pjesën më të madhe konsiderohen si të paligjshme ose të dhunshme nga kasta në fuqi

11:11 Andi Bushati

Me sytë katër

PAPARAZZI