
Protestuesit i kanë vënë flakën një prej hyrjeve të godinës së Ministrisë së Bujqësisë. Tensionet janë shtrirë në disa pika të kryeqytetit. Më herët, kosha mbeturinash u dogjën në kryqëzimin e “21 Dhjetorit”, duke sjellë bllokime të përkohshme të qarkullimit.
Grupe protestuesish janë shpërndarë pranë bashkisë së Tiranës, Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, sheshit “Skënderbej” dhe zonës së Piramidës.
Policia ka avancuar drejt Piramidës për të larguar protestuesit, duke përdorur gaz lotsjellës dhe ujë me presion. Sipas raportimeve nga terreni, janë përdorur edhe plumba gome.
Pas ndërhyrjes, një pjesë e turmës është tërhequr drejt Parkut Rinia dhe në anën tjetër të lumit Lana. Gjatë ndërhyrjes së policisë janë raportuar gjithashtu shtyrje të fotoreporterëve, kameramanëve dhe gazetarëve që po ndiqnin zhvillimet në terren.