
Protesta pranë Ministrisë së Arsimit është tensionuar sërish, pasi disa protestues kanë hedhur gurë, molotovë dhe mjete piroteknike në drejtim të policisë dhe godinës së ministrisë. Disa prej tyre kanë shkulur edhe pllaka nga trotuari, të cilat më pas i kanë hedhur drejt efektivëve dhe autobotit të ujit.
Policia është kundërpërgjigjur me ujë me presion dhe gaz lotsjellës, ndërsa një tjetër autobot është vendosur në gatishmëri në zonë.
Përmes altoparlantëve, forcat e rendit u kanë bërë thirrje qytetarëve të distancohen nga aktet e dhunës dhe të vijojnë protestën në mënyrë paqësore. Ata gjithashtu janë përpjekur të intimidojnë protestuesit e maskuar duke u thënë se janë identifikuar dhe do të arrestohen.
Tubimi i studentëve nisi pranë Ministrisë së Arsimit, ndërsa protestues të Partisë Demokratike, të mbledhur fillimisht para Kryeministrisë, marshuan më pas drejt zonës për t’iu bashkuar protestës.