
Ndjesa e Kylian Mbappé dhe Real Madrid nuk kanë mjaftuar për të qetësuar krizën diplomatike të shpërthyer me Kinën pas një batute të futbollistit për një meme që lidhet me të, ku fytyra e tij është vendosur mbi imazhin e Mao Ce Dunit, të cilin ai e cilësoi si “një diktator kinez”. Batuta i ka kushtuar francezit dy kontrata të rëndësishme sponsorizimi, ndërsa censura është shtrirë edhe te i gjithë futbolli spanjoll, ndeshjet e të cilit nuk do të transmetohen më në televizion.
Ndërsa po kërkohet një zgjidhje për të shmangur humbjen e miliona eurove nga të ardhurat televizive, tifozët kanë reaguar ashpër, duke marrë qëndrim kundër futbollistit dhe duke djegur fanellat e tij. Që nga kjo javë, Mbappé nuk është më i mirëpritur nga një pjesë e tifozëve kinezë.
Tifozët kinezë kundër Mbappé
Dy kompanitë që prej muajsh kishin zgjedhur francezin si imazh reklamues ishin të parat që reaguan, duke anuluar kontratat e sponsorizimit. Më pas, edhe televizioni shtetëror CCTV njoftoi se transmetimi i ndeshjeve të futbollit spanjoll dhe i atyre të Real Madrid do të pezullohej me vendim të qeverisë. Ky është një dëm financiar prej miliona eurosh për Los Blancos, të cilët e kishin kthyer Kinën në një prej tregjeve të tyre strategjike, por edhe për vetë La Liga, e cila ishte e para që u distancua nga Mbappé. Klubi dhe sulmuesi kanë kërkuar zyrtarisht falje, por kjo nuk ka mjaftuar për ta mbyllur çështjen.
VIDEO | Vídeos en redes muestran a aficionados chinos quemando camisetas de Mbappé y rompiendo carteles con su rostro tras unas declaraciones del jugador sobre un ‘meme’ en el que aparece su cara encima del cuerpo de Mao Zedong, al que alude como "un dictador chino". https://t.co/rdflEoTMHg
— EFE Noticias (@EFEnoticias) October 28, 2026
Agjencia spanjolle EFE ka publikuar pamje të tifozëve që djegin fanellat e Francës dhe të Real Madrid me emrin e Mbappé. Ata u vënë flakën pa mëshirë, të zemëruar nga fakti se futbollisti i tyre i preferuar kishte bërë atë deklaratë të papërshtatshme në podcastin The Bridge: “Ajo që më bëri të qesh më shumë ishte fotografia ku përdornin fytyrën time si fytyrën e një diktatori kinez. E përdor shpesh me miqtë e mi.” Disa tifozë shkojnë edhe më tej, duke shkelur posterat publicitarë me imazhin e tij dhe duke i hequr kokën figurës prej kartoni. “Më zemëron ajo që Mbappé tha për Kinën. Vendos të bojkotohet plotësisht dhe nuk do ta fal kurrë”, deklaroi një tifoz.
Polemika mes Mbappé dhe Kinës po zgjerohet gjithnjë e më shumë, duke shkaktuar dëme financiare prej miliona eurosh për futbollistin dhe për Real Madridin, të cilët deri në atë moment kishin ndërtuar marrëdhënie të rëndësishme tregtare me këtë vend.