![]()
Në historinë e Shqipërisë së shekullit XV, në kohën e qëndresës së Gjergj Kastriotit Skënderbeut kundër pushtimit osman, një vend të veçantë zë edhe një figurë e Kishës Katolike: Imzot Pal Engjëlli, kryeipeshkëv i Durrësit, humanist, diplomat dhe një prej bashkëpunëtorëve më të afërt të Heroit Kombëtar.
I lindur rreth vitit 1417, në familjen fisnike të Engjëllorëve të Drishtit, Pal Engjëlli u formua në një mjedis ku kultura, feja dhe përgjegjësia ndaj vendit kishin rëndësi të veçantë. Ai i përkiste një familjeje me ndikim në jetën politike dhe shoqërore të Arbërisë mesjetare. Me kulturën e gjerë, zotësinë në të folur dhe njohjen e latinishtes e greqishtes, u bë një nga personalitetet më të rëndësishme të kohës.

Marin Barleti, në veprën e tij për jetën dhe bëmat e Skënderbeut, e përshkruan Pal Engjëllin si njeri me dituri të madhe, me kulturë të rrallë dhe me pastërti të jetës. Sipas tij, Skënderbeu e mbante pranë për maturinë, urtinë dhe këshillat e tij. Nuk ishte vetëm një bashkëpunëtor kishtar, por edhe një mik dhe këshilltar i besuar i prijësit të Arbërisë.
Në një kohë kur vendi kishte nevojë për aleatë dhe mbështetje ndërkombëtare, Imzot Pal Engjëlli luajti një rol të rëndësishëm diplomatik. Ai ndihmoi në marrëdhëniet me Papët, Venedikun, Raguzën dhe princërit italianë. Më 1461, shoqëroi Skënderbeun në udhëtimin e tij në Itali dhe në Raguzë, duke kontribuar në përpjekjet për të siguruar ndihma për qëndresën shqiptare. Më vonë, në vitin 1465, u dërgua edhe në Venedik për të përfaqësuar interesat e Skënderbeut.
Një nga meritat e tij ishte edhe ndërmjetësimi për pajtimin e Skënderbeut me Lekë Dukagjinin, në vitin 1459, në një kohë kur bashkimi i princërve shqiptarë ishte jetik për përballimin e rrezikut osman. Për imzot Pal Engjëllin, bashkimi i shqiptarëve nuk ishte thjesht një nevojë politike, por një kusht për mbijetesën e vendit.
Por emri i Imzot Pal Engjëllit lidhet në mënyrë të veçantë edhe me historinë e gjuhës shqipe. Më 8 nëntor 1462, në Kishën e Trinisë Shenjte në Mat, gjatë një kuvendi kishtar, Imzot Pal Engjëllit përfshiu në një dokument në gjuhën latine disa fjalë në gjuhën shqipe, të njohura si Formula e Pagëzimit:
«Unte paghesont premenit Atit et Birit et Spertit Senit».
Në shqipen e sotme: «Unë të pagëzoj në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt».
![]()
Kjo formulë u shërbente prindërve për të pagëzuar fëmijët në rast rreziku për jetën, kur mungonte prifti. Ajo përbën fjalinë më të hershme të njohur deri më sot, të shkruar në gjuhën shqipe dhe me datë të saktë. Dorëshkrimi u zbulua në Bibliotekën Laurentiana të Firences nga studiuesi rumun Nicolae Iorga, më 1915. Kështu, përmes një udhëzimi baritor, emri i imzot Pal Engjëllit u lidh përgjithmonë edhe me historinë e shkrimit shqip.
Imzot Pal Engjëllit i është atribuar edhe një histori e Skënderbeut, e botuar në Venedik më 1480 nga një autor anonim. Historiani imzot Fan Noli ka mbështetur hipotezën se autori mund të ketë qenë pikërisht ai, por kjo autorësi nuk është vërtetuar përfundimisht.

Imzot Pal Engjëlli ndërroi jetë rreth viteve 1469–1470, duke lënë pas një trashëgimi që kapërcen kufijtë e detyrës kishtare. Ai ishte një bari që kujdesej për besimtarët, një diplomat që mbronte interesat e Arbërisë, një humanist që çmonte dijen dhe një njeri që e kuptonte rëndësinë e gjuhës së popullit të vet.
Sot, kur kujtojmë figurën e tij, kujtojmë një personalitet që bashkoi në një jetë të vetme tri përmasa të rëndësishme: fenë, kulturën dhe atdhedashurinë. Emri i tij mbetet pjesë e çmuar e historisë së Kishës dhe të kombit shqiptar, ndërsa Formula e Pagëzimit vazhdon të jetë një dëshmi e gjallë e lashtësisë së gjuhës sonë të shkruar. /Vatican News