
SPAK ka paraqitur pretencën për dosjen e vrasjeve të Vajdin Lamajt dhe Klodian Saliut, të ndodhura në vitin 2005. Prokuroria e Posaçme ka kërkuar nga 25 vite burg për Emiljano Shullazin, Viktor Bajraktarin (Imeraj), Indrit Taullain, Lulzim Berishën, Plaurent Dervishajn dhe Indrit Rusin.
Ndërkohë, për Luftar Reçin, i cili ka statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, SPAK ka kërkuar dënimin me 8 vite burg.
Vrasja e Klodian Saliut u regjistrua në shkurt të vitit 2005, në zonën e Maminasit, në autostradën Tiranë-Durrës, ku ai u qëllua me armë zjarri. Ndërsa më 27 shkurt të po atij viti, biznesmeni Vajdin Lamaj dhe miku i tij Artan Arsi humbën jetën nga shpërthimi i një sasie eksplozivi të vendosur në ashensorin e pallatit ku banonin.
Hetimet për këto ngjarje u rihapën dhe u bashkuan në një dosje pas dëshmisë së Luftar Reçit, i cili vendosi të bashkëpunonte me drejtësinë në vitin 2020. Dëshmia e tij ndihmoi SPAK-un të rindërtonte dinamikën e atentateve dhe të identifikonte personat e dyshuar për përfshirje.
-
SPAK: Emiljano Shullazi vrau Vajdin Lamen
8 Dhjetor, 18:14
Në korrik të vitit 2022, GJKKO kaloi dosjen për gjykim, ndërsa të pandehurit përballen me akuza që lidhen me vrasjen me paramendim, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, si dhe vepra të tjera penale.
Tashmë, pas paraqitjes së pretencës nga SPAK, pritet që gjykata të shqyrtojë kërkesat e prokurorisë dhe qëndrimet e mbrojtjes përpara dhënies së vendimit përfundimtar.
