Flash

Analiza/ Humbi apo fitoi Albin Kurti nga loja me president?

A do të jetë Justina Shiroka Pula një garante për mbrojtjen e të drejtave të opozitës, apo mënyra si u zgjodh mund ta shndërrojë atë në një instrument të kryeministrit 

Lapsi.al 7 October 2026

Analiza/ Humbi apo fitoi Albin Kurti nga loja me president?

Votimi i Justina Shiroka Pula në çastet e fundit përpara se vendi të shkonte në zgjedhje, duke e berë Kosovën me të tretën presidente grua në historinë e saj, ka ngritur edhe një pikëpyetje: kush fitoi më shumë nga zgjedhja e saj? Në pamje të parë, partia kryesore e opozitës, PDK-ja, ka arritur të ngrejë në krye të shtetit një ish anëtare të saj, ish kryetare e forumit të gruas dhe ministre ne qeverinë e parë të Hashim Thaçit. 

E parë nga ky këndvështrim, kjo mund të konsiderohet si një sukses i lidershipit të Bedri Hamzës, i cili jo vetëm arriti të votojë ligjin për Gjykatën Speciale por “mori” edhe presidenten. "PDK ka arritë dje me e marrë një fitore politike në kohen shtesë, ose me gjuhen e futbollit me e dhanë nje gol në kundersulm ne minuten e 97.

E para: Me e kalu Ligjin per Dhomat e Specializume, ne formen qysh e kane shkru vete, edhe qysh kane kerku vete.

E dyta: Me e detyru Albin Kurtin me e propozu nje ish ministre te PDK, ish deputete te PDK, ish kryetare te forumit te gruas te PDK”, e ka komentuar këtë ngjarje drejtuesi i medias Nacionale, Berat Buzhala.

Në fakt, momenti kur shefi i PDK-së tha po-në, që sot nga partia e tij po konsiderohet si sukses, erdhi pas një loje të gjatë nervëshkatërruese. Pas dënimit të katër komandantëve në Hagë, partia e tij vendosi të propozojë një ligj për kufizimin e kompetencave të gjykatës. Hamza, që ishte tërhequr nga çdo negociatë për presidentin, hapi dritën jeshile në 25 shtator, kur deklaroi se ai kthehej në bisedime nëse partia në pushtet e kalonte ligjin edhe me votat e saj.

Këtu Albin Kurti pa një opsion për t'u shfrytëzuar. Vetëvendosja votoi një deklaratë të përbashkët të përgatitur nga opozita në kuvend dhe premtoi ta kalonte ligjin e hartuar nga kundërshtarët për të shmangur zgjedhjet e katërta të parakohëshme radhazi. Vetëm të martën ai bëri një seri propozimesh me distancë të shkurtër kohore nga njëra- tjetra.  

Kurti dhe Hamza s’kishin dakordësi as për radhën se cili duhej votuar paraprakisht, ligji që mëtonte të kufizonte gjykatën e Hagës apo zgjedhja e kreut të shtetit e, aq më pak pastaj, për emrin e këtij të fundit. 

Kurti rinxorri fillimisht në lojë emrin e Bekim Sejdiut, nga marrëveshja e mëparshme me LDK, Hamza ia eleminoi duke pretenduar se ai nuk ishte pjesë e këtij pakti. I pari bëri tjetër ofertë, me zotim për të votuar ligjin për gjykatën speciale, nëse PDK-ja bënte të mundur zgjedhjen e Glauk Konufcës apo Feride Rushitit, rivali i tij e hodhi poshtë duke thënë se nuk do të pranonte kurrë të çonte në presidencë një militant të të parit.      

Kishin mbetur më pak se dy orë që gjithçka të dështonte kur kryeministri propozoi emrin e akademikes Justina Shiroka Pula, që mesa duket kishte qenë më parë pjesë e bisedave konfidenciale mes tij dhe liderit të opozitës. “Albini ka bo bllof, duke mendu qe PDK ne panik e sipër nuk kanë me e pranu as Justinen. Komplet interneti filloi me bo hajgare me PDK-në, qysh Albini po i sfidon me emna, me show, madje edhe me ish zyrtare te tyre, e PDK vec po refuzon”, komenton Buzhla.

Dhe PDK-ja vendosi të shkojë në sallë të votojë edhe ligjin e propozuar prej saj edhe presidenten e saj, në atë që shumëkush e konsideron si fitore.

Por a qe vërtet e tillë?

Ndonëse dështoi në disa përpjekje dhe në disa propozime për të realizuar atë që kundështarët e konsiderojnë si "dëshira për të kapur të gjitha institucionet", Albin Kurti mund të mos ketë dalë aq i humbur sa duket.

Së pari, ai arriti të sigurojë një mandat të plotë katërvjeçar si kryeministër, që nuk i ndërpritet më nga kriza presidenciale.

Së dyti, ai vërtetoi se gjatë këtyre dy viteve nuk kishte qenë ai burimi i krizave dhe se qe i gatshëm të votonte si president edhe një kandidat të propozuar nga opozita. Fillimisht duke thënë PO për Bekim Sejdiun nga LDK-ja, që nuk gjeti dot konsensusin mes anëtarëve të saj dhe, së fundi, duke thënë sërisht PO për një figurtë të PDK-së.

Së treti, me shumë gjasë ai arriti të çojë në presidencë një personalitet me shumë më pak ambicie sesa Vjosa Osmani, që filloi të luajë një rol personal ndërkombëtar. Pra me gjasë ai edhe bëri tolerantin duke lëshuar pe, edhe mund të ketë më pak andralla në ushtrimin e pushtetit me Justina Shiroka Pulan në presidencë.

Këtë skenar parashikon një nga gazetarët më kritikë kundër Kurtit në Prishtinë, Lirim Mehmetj. Në Facebook-un e tij ai shkruan: “Per votuesin e sinqerte te PDK-se qe beson se sonte Albin Kurti propozoi nje ish-anetare te PDK-se, ai do ta kuptoje shume shpejt se ketu behet fjale, edhe njehere tjeter, per dike qe thjesht i sherben shefit te radhes me devotshmeri. 

Sa per intelektualitetin e presidentes se re, ju ftoj te me tregoni reagimin e saj te vetem kundrejt pushtetit te eger te Albin Kurtit tash e 6 vjet. S'ka. Asnje.

Sa per integritetin e saj, fakti se pranoi te vije shpejt e shpejt ne Kuvend per ta marre nje post e propozuar pa u pyetur fare e veç nje gjys ore me heret, derisa po darkonte me disa mysafire sarajevas, tregon me shume se gjithçka tjeter.

Une e kuptoj qe Albin Kurti e ka bere te lodhshme situaten, po ai pikerisht per kete arsye e ben, qe ne te ulim standardet nga lodhja. Por, nuk duhet te lodhemi asnjehere duke mbrojtur çfare eshte e drejte, nuk duhet asnjehere t'i ulim kriteret”.

Pra pyetja mbetet: A arriti Kurti atë që donte falë trysnisë nervëshkatërruese dhe “mos lëshimit pe në negociata”? Kjo do të shihet në të ardhmen, tani për tani ai shmangu zgjedhjet e reja dhe do të vijojë të jetë në krye të qeverisë për një mandat katër vjeçar. Lapsi.al

 

Të këshilluara

Tek parku Rinia, një tjetër kullë që rivret qytetin

Lubonja: “Mund të konsiderohet si kulm në kuptimin e shkatërrimit urbanistik të qytetit, që përkon edhe me një kulm në kuptimin psikologjik të delirit të omnipotencës së Edi Ramës, me një kulm të babëzisë së oligarkëve që do të përfshihen aty dhe me një kulm të paturpësisë para qytetarëve të Tiranës të arkitektëve të Albanian Files,”

11:25 Blerina Gjoka

ide

Dhunë? Po, të lutem! Por, kundër kujt?

Dëmi që i është bërë Shqipërisë përgjatë qeverisjes së regjimit të Ramës, është radikalisht i pakrahasueshëm me dëmin minimal të shkaktuar përgjatë këtyre ditëve."

20:08 Agon Hamza

MOTI TIRANA

19°c

KËMBIMI EURO

91.32

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI