
Ndeshja mes Egnatias dhe Midtjylland, e vlefshme për raundin e parë të Conference League, rrezikon të mos zhvillohet sipas programit në stadiumin “Air Albania”. Situata e tensionuar në kryeqytet, ku protestat dhe përdorimi i gazit lotsjellës kanë krijuar kaos, kanë ndërprerë përgatitjet e dy skuadrave. UEFA ka marrë një vendim pas mbledhjes së jashtëzakonshme të sigurisë, për ta zhvilluar ndeshjen në “Elbasan Arena”.
Stërvitja e Midtjylland ndërpritet nga gazi lotsjellës
Përgatitjet e skuadrës daneze në stadiumin “Air Albania” nuk kanë shkuar sipas planit. Seanca stërvitore zgjati vetëm pak minuta në pjesën e hapur për mediat, përpara se të ndërpritej për shkak të gazit lotsjellës që ka përfshirë zonën në një moment të tensionuar në kryeqytet.
Ngjarjet kanë ndikuar drejtpërdrejt në organizimin e ndeshjes, duke vënë në pikëpyetje mundësinë e zhvillimit të saj në stadiumin e parashikuar. Situata e krijuar në Tiranë ka detyruar organizatorët të rivlerësojnë kushtet e sigurisë përpara se të merret një vendim përfundimtar.
Egnatias i anulohet stërvitja në “Air Albania”
Problemet nuk kanë prekur vetëm skuadrën daneze. Edhe Egnatias i është anuluar seanca stërvitore e planifikuar në “Air Albania”, pasi kushtet në zonë nuk kanë lejuar zhvillimin normal të përgatitjeve.
Kjo situatë e vendos skuadrën shqiptare përballë një vështirësie shtesë në prag të një takimi të rëndësishëm europian. Ndërprerja e programit stërvitor dhe pasiguria për stadiumin ku do të luhet ndeshja krijojnë një situatë të pazakontë për të dyja skuadrat, të cilat presin qartësimin e vendimit nga autoritetet përgjegjëse.
Protestat në Tiranë komplikojnë organizimin e ndeshjes
Kryeqyteti ndodhet në një situatë të tensionuar, ndërsa protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Përplasjet dhe përdorimi i gazit lotsjellës kanë ndikuar edhe në aktivitetet sportive të planifikuara në zonën e stadiumit.
Në këto kushte, çështja nuk lidhet më vetëm me organizimin sportiv, por edhe me garantimin e sigurisë për futbollistët, stafet teknike, tifozët dhe të gjithë personat e përfshirë në zhvillimin e aktivitetit.
UEFA pritet të vendosë, “Elbasan Arena” si alternativë
Vendimi përfundimtar është marrë nga UEFA pas një mbledhjeje të jashtëzakonshme për çështjet e sigurisë. Në varësi të vlerësimit të situatës, u përcaktua një stadium tjetër për zhvillimin e takimit: “Elbasan Arena”. Stadiumi i Elbasanit është edhe pranë kryeqytetit, edhe larg trazirave. Për më tepër plotëson edhe kushtet e një ndeshje të një niveli të tillë ndërkombëtar.
Kur është programuar Egnatia-Midtjylland?
Takimi mes Egnatias dhe Midtjylland është programuar të zhvillohet të enjten, më 15 tetor, në orën 18:45, në kuadër të Conference League. Megjithatë, zhvillimet e fundit kanë krijuar paqartësi për stadiumin pritës dhe kushtet e zhvillimit të ndeshjes. Për momentin, prioritet mbetet garantimi i sigurisë dhe përcaktimi i kushteve të përshtatshme për zhvillimin e një ndeshjeje europiane, ndërsa të dyja skuadrat presin vetëm të luajnë ndeshjen e tyre, që rrogozhinasit rrezikuan edhe ta humbasin në tavolinë.