Flash

"Groposi nëpër fuçi! Kam 6 mln euro, 20 ml të tjera…"/ Shpëtim Aliu bënte trafikun, vëllai pastronte paratë

Lapsi.al 17 June 2026

Salvadore Aliu, personi për të cilin SPAK ka lëshuar urdhër arresti dhe që konsiderohet si një nga figurat më të fuqishme të narkotrafikut shqiptar në arenën ndërkombëtare, dyshohet se ka pastruar në Shqipëri të paktën 30 milionë euro të përfituara nga trafiku i kokainës. Sipas hetimeve, rolin kryesor në investimin dhe legalizimin e këtyre parave e ka luajtur vëllai i tij, Isa Aliu, i cili zotëron zyrtarisht katër kompani të ndryshme, të përdorura për blerje pasurish të paluajtshme, vila, apartamente, troje, si dhe për investime në ndërtime e struktura hoteliere në zonat turistike të vendit.

Dosja e SPAK tregon se Salvadore Aliu përdorte platformën e enkriptuar SKY ECC për komunikimet e tij, ku identifikohej me disa pseudonime, si “Dala”, “Qero”, “Qerosi”, “Viktor” apo “Albo Pelon”. Pikërisht nga zbardhja e këtyre komunikimeve ka dalë në dritë edhe mekanizmi i fshehjes së parave të trafikut. Në një bisedë të zhvilluar në gusht të vitit 2020, Isa Aliu i komunikon vëllait se kishte në dispozicion 6 milionë euro cash. Vetëm dy javë më vonë, Salvadore Aliu e njofton se do të mbërrinin edhe 20 milionë euro të tjera. Në pritje të investimit të tyre, ai i jep udhëzime të detajuara Isait për mënyrën e fshehjes së shumave, duke i sugjeruar madje vendosjen e tyre në fuçi 50 litërshe dhe më pas groposjen në tokë.

Hetimi ndaj Salvadore Aliut ka nisur në maj të vitit 2020 pas një referimi të Policisë së Shtetit. Sipas SPAK, ai dhe persona të lidhur me të familjarisht dyshohen se kanë qenë pjesë e një rrjeti të trafikut ndërkombëtar të kokainës nga Ekuadori drejt vendeve të Europës. Brenda kësaj strukture kriminale, Salvadore Aliu dyshohet se ka pasur rolin drejtues, duke kontrolluar të gjithë zinxhirin e aktivitetit, nga sigurimi i kokainës, financimi i ngarkesave, transporti dhe deri te furnizimi i grupeve të tjera kriminale.

Sipas burimeve pranë SPAK, 50-vjeçari nga Elbasani konsiderohet si një nga figurat më të fuqishme të narkotrafikut shqiptar të hetuar ndonjëherë nga drejtësia shqiptare. Ai përshkruhet si një personazh që për vite me radhë ka qenë në fokus të disa agjencive ligjzbatuese europiane, por pa u arritur të dokumentohej plotësisht roli i tij në trafikun ndërkombëtar të drogës.

Në dosjen hetimore përmenden edhe emra të tjerë të njohur të botës së krimit, si grupi i Çopjave, Eldi Dizdari, Dritan Gjika apo grupi i Jetmir Pepës, të cilët sipas hetuesve kanë pasur lidhje apo kanë operuar nën ndikimin e rrjetit të drejtuar nga Salvadore Aliu.

Hetimet e SPAK kanë dokumentuar aktivitetin e këtij rrjeti për periudhën 2019-2021. Sipas organit të akuzës, gjatë kësaj kohe grupi dyshohet se ka trafikuar drejt Europës rreth 50 tonë kokainë. Deri tani janë provuar të paktën pesë episode të trafikimit në sasi të mëdha, ku janë sekuestruar afro 9 tonë lëndë narkotike.

Në kuadër të këtij hetimi, Gjykata e Posaçme ka vendosur sekuestro preventive mbi 491 pasuri, të regjistruara në emër të anëtarëve të grupit apo personave të lidhur me ta. Nga këto, 266 janë pasuri të paluajtshme, që përfshijnë toka, vila, apartamente, hotele dhe automjete në Tiranë, Durrës, Elbasan, Lezhë, Shkodër, Dhërmi dhe Sarandë.

Sipas përllogaritjeve të SPAK, vlera e pasurive të sekuestruara arrin të paktën në 150 milionë euro, duke e bërë këtë një nga goditjet më të mëdha të ndërmarra ndonjëherë ndaj pasurive të krijuara nga trafiku ndërkombëtar i drogës.

Të këshilluara

ide

Si po e çon Rama vendin drejt përplasjes civile

Insistimi në dhunë, në armatosje të civilëve, në pagesa të policëve si të ishin mercenarë, vetëm paqe nuk pjell. Frika e Edi Ramës se ku do të përfundojë kur të mos jetë kryeministër nuk ka pse të bëhet makthi i Shqipërisë

15:20 Armand Shkullaku

Pse guri dhe molotovi u bënë të pashmangshëm

Kjo revoltë rinore ka pasur një meritë të madhe. Ajo i bëri të njohur publikut të gjërë anën më kriminale të këtij regjimi që ishte deri më tani e konservuar në skutat më të fshehta. Nëse revolucioni ekstremisht paqësor i flamingove na tregoi se kjo qeverisje nuk ishte më popullore, epilogu i tij radikal, me gurë dhe molotov po shërben për të nxjerrë në dritë të diellit se autokrati është në gjendje të përdorë çdo mjet për të qëndruar në pushte

11:37 Andi Bushati

MOTI TIRANA

16°c

KËMBIMI EURO

91.10

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI