
Disa gjimnaze në Tiranë kanë bojkotuar sërish mësimin këtë të enjte dhe nxënësit kanë dalë në protestë. Në shkollat e mesme “Qemal Stafa”, “Petro Nini Luarasi”, “Partizani” dhe “Çajupi”, një pjesë e gjimnazistëve kanë lënë mësimin dhe janë grumbulluar jashtë ambienteve të shkollave.
Situata më e tensionuar është regjistruar te “Petro Nini Luarasi”, ku që në orët e para të mëngjesit pati përplasje mes nxënësve dhe policisë. Efektivët janë vendosur pranë hyrjes së shkollës, ndërsa gjimnazistët kanë tentuar të dalin për t’iu bashkuar protestës. Në zonë ka prani të shtuar policore, ndërsa të rinjtë kanë vijuar me thirrje kundër qeverisë. Bojkoti vjen në ditën e tretë të protestave në kryeqytet.