
Këngëtari Justin Timberlake ka vendosur t’i japë fund spekulimeve që kanë zgjatur për gati dy dekada lidhur me këngën e tij të famshme “What Goes Around… Comes Around”, për të cilën është aluduar se i kushtohej ish-partneres së tij, Britney Spears.
Gjatë një interviste në programin “Re-Rank” të Complex, Timberlake sqaroi se kënga e publikuar në vitin 2006 nuk ishte frymëzuar nga historia e tij e dashurisë me Britney-n, por nga përvoja personale e një miku.
“Është një histori personale e një miku, të cilit i kërkova leje për ta përdorur”, shpjegoi këngëtari.
Ai tregoi se miku i tij po kalonte një ndarje të vështirë dhe i kishte rrëfyer gjithçka që kishte ndodhur. Pikërisht kjo histori i dha frymëzimin për këngën, të cilën, sipas tij, e shkroi për rreth 20 minuta.
Prej vitesh, fansat kanë dyshuar se “What Goes Around… Comes Around” ishte një lloj vazhdimi i këngës “Cry Me a River”, e publikuar në vitin 2002, e cila lidhej me ndarjen e tij nga Britney Spears.
Në videoklipin e kësaj të fundit shfaqej një vajzë që ngjante me këngëtaren, duke nxitur edhe më shumë spekulimet për marrëdhënien e tyre.
Justin Timberlake dhe Britney Spears u lidhën në vitin 1999 dhe u ndanë në vitin 2002, pas rreth tre vitesh së bashku.